Qeveria miraton privatizimin e
Lotarisë, Braçe: Ngutje për para

Qeveria miraton privatizimin e <br />Lotarisë, Braçe: Ngutje për para
TIRANE - Komisioni i Ekonomisë ka miratuar vetëm me votat e mazhorancës privatizimin e katër HEC-eve dhe Lotarinë Kombëtare. Mbledhja e cila ka nisur rreth orës 17:30 të mbrëmjes është përfshirë nga debate mes kryetarit të Komisionit dhe deputetëve socialistë, që pasi kërkuan shtyrje të diskutimit u larguan nga salla. Megjithatë më herët deputeti Erjon Braçe e quajti këtë shitje, që kap vlerën e 110 milionë eurove, abuzive ndërsa debatoi me kryetarin e Komisionit për nxitimin e këtij privatizimi. 

Ndërsa sipas ministrit të Energjetikës, Eno Bozdo, 4 HEC-et po privatizohen me çmim 10 herë më të lartë se 15 hidrocentralet e privatizuara në kohën e socialistëve.

Pa praninë e opozitës 12 deputetët e mazhorancës kanë miratuar Lotarinë kombëtare për Austrian Lotteries, duke komentuar se leja është 10-vjeçare dhe pritet që fitimet e shtetit të jenë të shtrira në
kohë pavarësisht shifrës së ulët të shitjes. Kontratat e ratifikuara nga Komisioni do të votohen të hënën në seancën plenare në Kuvend.

Deputeti socialist Erjon Braçe i ftuar në studion e lajmeve të televizionit A1 REPORT, pasi braktisi mbledhjen e Komisionit, tha se me një urgjencë të pajustifikueshme u kërkua miratimi i Lotarisë, duke e argumentuar këtë me nevojën për para të qeverisë. Sipas Braçes, kjo kontratë tashmë e miratuar, nuk është vënë në dispozicion të deputetëve.

ZGJEDHJET, QEVERIA NXITON ME PRIVATIZIMET
Qeveria nxiton për të kaluar në procesin e ratifikimit të gjitha provatizimet që ka bërë kohët e fundit. Njëherësh kanë mbërritur në komisionet parlamentare kontrata e lidhur me kompaninë Austrian Lotteries për lotarinë kombëtare, ajo me turqit e Kurum International për blerjen e HEC-eve mbi Mat dhe kontrata me të njejtin subjekt për blerjen e hidrocentraleve Bistrica-1 dhe Bistrica-2.

Nxitimi ka të bëjë me nevojën e ngutshme për të ardhura në buxhet, pasi vetëm në momentin e ratifikimit nga parlamenti kryhet pagesa e plotë e shumës së ofruar nga subjektet. Në rastin e lotarisë kombëtare, shifra e pranuar ka qenë shumë e ulët, 5 milionë euro, e cila, sipas specialistëve, mund të mbulohet me fitimet e më pak se një viti.

Ndërkohë, me anë të shitjes së katër HEC-eve, arka e shtetit do të ketë në dispozicion rreth 110 milionë euro më shumë. Por, ajo që e nxiton më shumë procesin duket se është nevoja për të patur likuiditet para zgjedhjeve, për të paguar disa subjekte që prej vitesh presin pagesën e faturave, si dhe dëshira për të nisur nga puna në disa vepra infrastrukturore, që më parë kanë shoqëruar proceset elektorale, por këtë vit një gjë e tillë nuk po ndodh.

Deputeti i Partisë Socialiste Erjon Braçe ka komentuar këtë fakt në FB, duke thënë se “Berisha nxiton! I shiti të gjitha, i solli sot në Kuvend: Lotarinë Kombëtare, hidrocentralet Ulëz, Shkopet, Bistrica 1, Bistrica 2! I do të miratuara menjëherë!”

“Një gjë më bën përshtypje”, vijon ai”. “Sipas letrave, kontrata e lotarisë është bërë hyrje në Kuvend më 26 dhjetor 2012 dhe vetëm pas dy muajsh u jepet deputetëve. Pse?”

Përgjigjen e jep ndryshimi i klauzolave të kontratës së lotarisë. Qeveria, në varjantin e fundit të kësaj kontrate, ka hequr çdo mundësi, në 10 vjet, për të rishikuar kontratën.

Konkretisht, në germën “e” të saj, pika 5.5, thuhet se Shqipëria “garanton dhe pranon se nuk do të revokojë, anulojë, përfundojë, modifikojë, ndryshojë, kufizojë apo pezullojë, plotësisht ose pjesërisht, licensën ose këtë marrëveshje, fushën dhe kohëzgjatjen e saj, për asnjë arsye tjetër, veç atyre, të dhëna shprehimisht në këtë marrëveshje”.

Redaksi Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Konfrontim fizik te “Zogu i Zi”, Bylykbashi pengon arrestimin në flagrancë të një protestuesi: Mos prekni njeri, të bëjë kallëzim! Kur të merrem unë me ju, s'ju ikën shejtani, kaq po them

Konfrontim fizik te “Zogu i Zi”, Bylykbashi pengon arrestimin në flagrancë të një protestuesi: Mos prekni njeri, të bëjë kallëzim! Kur të merrem unë me ju, s'ju ikën shejtani, kaq po them