TIRANE- Këshilli i Ministrave ka miratuar programin ekonomik e fiskal të Shqipërisë për periudhën 2014-2016, si dhe vendosi miratimin e kuadrit makroekonomik e fiskal për periudhën 2015-2017. Në mbledhjen e sotme të qeverisë është miratuar edhe kalendari i menaxhimit të shpenzimeve publike për vitin 2014, si dhe janë përcaktuar rregullat për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe Agjencive Rajonale të Mjedisit. . Vendimet e miratuara nga Këshilli i Ministrave më 29.01.2014
 
Po kështu, me vendim të Këshillit të Ministrave ndryshon edhe numri i ushtarakëve shqiptarë, pjesëmarrës në operacione ushtarake në shtabe të ndryshme në Afganistan, duke shkuar në 5, nga 3 që ishte deri më tani.
 
“- Numri i pjesëmarrësve 3 (tre) ushtarakë.” zëvendësohet me “- Numri i pjesëmarrësve 5 (pesë) ushtarakë”, thuhet në vendim.

Ndërkaq, në mbledhjen e sotme të qeverisë është miratuar në parim marrëveshja e grantit nr.TF014999, ndërmjet “Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, që vepron si administratore e fondeve të grantit të akorduar nga fondi i mirëbesimit me shumë donatorë, për financimin e projektit të zbatimit të nismës për transparencë në industrinë nxjerrëse në Shqipëri (EITI), me një shumë prej 300 000 dollarë.

Një tjetër vendim i miratuar në mbledhjen e qeverisë është për krijimin dhe mënyrën e organizimit dhe funksionimit të Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)