Qeveria miraton rregullat dhe kushtet për zgjedhjen e vartësve të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë

Qeveria miraton rregullat dhe kushtet për zgjedhjen e vartësve të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë

TIRANE-Kuvendi i Shqipërisë me propozim të KED-së do të zgjedhë Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, më pas drejtuesi do të zgjedhë një pjesë të inspektorëve. Në mbledhjen e sotme të qeverisë janë miratuar rregullat se si do të zgjidhen inspektorët dhe filtrat që duhet të kalojnë më parë.

Në mbledhjen e sotme të KED-së (Këshilli i Emërimeve në Drejtësi) përsa i përket postit për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë u miratua lejimi i kandidimit të Artur Malajt, ndërsa u refuzua Altin Hazizaj dhe Mimoza Qinami, që ishte kandidate edhe për në Gjykatën Kushtetuese.

Shumë shpejt pritet që përpos plotësimit të Gjykatës Kushtetuese të zgjidhet edhe Inspektori i Lartë të Drejtësisë, i cili më pas do të zgjedhë inspektorët.

Vendimi i plote
V E N D I M
PËR

KRIJIMIN E KUSHTEVE PËR INSPEKTORIN E LARTË TË DREJTËSISË PËR VERIFIKIMIN E PLOTËSIMIT TË KUSHTEVE DHE TË KRITEREVE LIGJORE, VERIFIKIMIN E FIGURËS E TË PASURISË SË KANDIDATËVE JOMAGJISTRATË PËR POZICIONIN E INSPEKTORIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 289, pikat 3 e 4 , 283, pikat 3 e 4, të ligjit nr.115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Ky vendim përcakton rregulla më të hollësishme lidhur me procedurat që Inspektori i Lartë i Drejtësisë (Inspektori) zhvillon për verifikimin e figurës e të pasurisë, si edhe të kushteve e të kritereve të tjera ligjore që duhet të plotësojnë kandidatët jomagjistratë për t’u zgjedhur në pozicionet vakante për inspektorë.

2. Këto rregulla kanë për qëllim realizimin e kësaj procedure duke u bazuar në meritat e kandidatëve jomagjistratë dhe duke respektuar parimet e përgjithshme të procedurës administrative, veçanërisht ato të ligjshmërisë, të transparencës, të informimit, të drejtësisë, të paanësisë, të proporcionalitetit, të mbrojtjes të të dhënave, konfidencialitetit e të sekretit shtetëror dhe të parimeve të tjera që garantojnë të drejtën për një proces të rregullt ligjor të kandidatëve jomagjistratë për pozicionin e Inspektorit gjatë procesit të verifikimit të plotësimit të kushteve e të kritereve ligjore si dhe verifikimin e figurës e të pasurisë.

II. RREGULLA TË PËRGJITHSHME TË PROCEDURËS SË VERIFIKIMIT

A. Fillimi i procedurës së verifikimit

3. Procedura administrative e verifikimit të pasurisë të kandidatëve jomagjistratë kryhet nga Inspektori dhe fillon brenda 10 (dhjetë) ditëve nga publikimi i listës së kandidatëve jomagjistratë.

4. Inspektori verifikon përmbushjen e kushteve ligjore dhe vlerëson kriteret profesionale e morale të kandidatëve jomagjistratë. Inspektori, pasi përjashton nga konkurrimi kandidatët që nuk plotësojnë kushtet ligjore, rendit kandidatët e tjerë, sipas meritës, duke zbatuar, për aq sa është e mundur dhe me ndryshimet e nevojshme, kërkesat e nenit 240, të ligjit nr.115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

B. Të drejtat e kandidatit jomagjistrat

5. Kandidati jomagjistrat ka të drejtë që, në çdo fazë të procedurës së verifikimit, me kërkesën e tij, të njihet me dokumentet e dosjes së kandidimit dhe aktet procedurale të kryera nga Inspektori për verifikimin e plotësimit të kushteve e të kritereve ligjore si dhe të verifikimit të figurës e të pasurisë së kandidaturës, si edhe të marrë kopje të tyre, sipas rregullave të Kodit të Procedurave Administrative, si dhe duke respektuar kërkesat e legjislacionit në fuqi për informacionin e klasifikuar dhe atyre të përcaktuara në këtë vendim.

6. Kryesisht apo mbi kërkesën e Inspektorit, kandidati jomagjistrat ka të drejtë të paraqesë shpjegime me shkrim për faktet, rrethanat apo çështjet ligjore të lidhura me kandidimin e tij/saj, si dhe të depozitojë dokumente shkresore shtesë, në mbështetje të këtyre shpjegimeve.

7. Kandidati jomagjistrat ka të drejtë të tërhiqet në çdo kohë nga kandidimi, duke e njoftuar me shkrim Inspektorin. Pas këtij njoftimi, Inspektori vendos menjëherë përfundimin e procedurës së verifikimit të kandidatit jomagjistrat. Akti i Inspektorit për konstatimin e tërheqjes nga kandidimi i njoftohet menjëherë kandidatit jomagjistrat dhe bëhet publik në faqen zyrtare të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

C. Njoftimet

8. Njoftimet e Inspektorit drejtuar kandidatit jomagjistrat gjatë procedurës së verifikimit bëhen me shkresë, në adresën postare ose në adresën elektronike të deklaruar për këtë qëllim nga kandidati, pranë Inspektorit.

9. Njoftimet dhe kërkesat e kandidatit jomagjistrat drejtuar Inspektorit bëhen me shkrim, duke i depozituar drejtpërdrejt pranë zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ose në adresën elektronike të tij, e cila i është bërë e njohur për këtë qëllim secilit kandidat, me fillimin e procedurave të verifikimit të kandidaturave.

10. Kandidati jomagjistrat, në ditën e thirrjes nga Inspektori për t’u pajisur me formularët e deklarimit dhe të autorizimeve, sipas ligjit dhe këtij vendimi, deklaron me shkrim adresën postare dhe adresën elektronike për efekt të komunikimit dhe njoftimeve me Inspektorin. Njëkohësisht, për efekt të pranimit të njoftimeve që dërgon, kandidati jomagjistrat njihet me adresat zyrtare elektronike të Inspektorit.

11. Kandidati jomagjistrat ka detyrimin të njoftojë menjëherë me shkrim Inspektorin për çdo ndryshim të mëvonshëm të adresës postare dhe elektronike të deklaruar.

III. PROCEDURA ADMINISTRATIVE E VERIFIKIMIT TË KANDIDATËVE JOMAGJISTRATË

A. Veprimet procedurale dhe verifikuese të Inspektorit

12. Procedura administrative e verifikimit të kandidatëve jomagjistratë fillon dhe zhvillohet njëkohësisht për të gjitha kushtet dhe kriteret e tjera ligjore të kandidimit.

13. Inspektori ndjek dhe kryen të gjitha veprimet procedurale e verifikuese të lidhura me proceset e ndryshme të verifikimit të përmbushjes së kushteve dhe të kritereve të tjera ligjore nga secili kandidat jomagjistrat.

14. Krahas veprimeve procedurale dhe verifikuese të tjera që i vlerëson të nevojshme rast pas rasti, për secilin kandidat jomagjistrat, Inspektori realizon procedurat standarde, si më poshtë vijon:

a) Pajisjen e kandidatit jomagjistrat me formularin “Deklaratë e pasurisë dhe interesave privatë e kandidatit për pozicione të ndryshme në institucionet e sistemit të drejtësisë”;
b) Pajisjen e kandidatit jomagjistrat me formularin për vetëdeklarim sipas kërkesave të ligjit nr.138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”;
c) Pajisjen e kandidatit jomagjistrat me formularin e aplikimit “Për informim përpara emërimit/zgjedhjes në poste të larta”, në përputhje me parashikimet ligjore të nenit 29, të ligjit nr.45/2015, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”;
ç) Pajisjen dhe marrjen në dorëzim të nënshkruar të formularëve për dhënien e miratimit për përpunimin e të dhënave personale;
d) Pajisjen dhe marrjen në dorëzim të nënshkruar të formularëve autorizues për verifikimin, në të gjitha subjektet publike dhe private, brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë, të të dhënave që lidhen me kushtet dhe kriteret e tjera ligjore të kandidimit;
dh) Pajisjen dhe marrjen në dorëzim të nënshkruar nga kandidati të formularit deklarues për adresën postare, adresën elektronike dhe kontaktin telefonik, për qëllimet e procedurës së verifikimit dhe vlerësimit të kandidaturës;
e) Dërgimin e shkresave standarde për kërkimin e informacionit dhe të shpjegimeve përkatëse nga kandidati, institucionet publike dhe subjektet private, në lidhje me kushtet dhe kriteret e tjera ligjore të kandidimit.

15. Inspektori njofton, menjëherë, zyrtarisht kandidatin jomagjistrat për fillimin e procedurave të verifikimit të kandidaturës dhe për detyrimin për t’u paraqitur, jo më vonë se 10 (dhjetë) ditë nga ajo e njoftimit, pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për t’u pajisur me formularët e deklarimeve dhe të autorizimeve të përcaktuara në pikën 14, të këtij vendimi. Në pamundësi objektive për t’u paraqitur brenda afatit dhjetëditor, kandidati jomagjistrat njofton menjëherë Inspektorin duke i parashtruar edhe motivet përkatëse. Inspektori, kur motivet janë të justifikuara, i cakton kandidatit jomagjistrat një afat të ri të arsyeshëm për t’u paraqitur pranë zyrës së Inspektorit.

16. Nëse nga shqyrtimi i dokumentacionit të paraqitur nga secili kandidat jomagjistrat, Inspektori konstaton dhe vlerëson se është i paplotë, njofton menjëherë kandidatin për të përmbushur detyrimin e plotësimit të tij sipas ligjit, duke i caktuar një afat jo më shumë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë për dorëzimin e tij pranë zyrës së Inspektorit. Kur i vlerëson të justifikuara motivet e paraqitura nga kandidati jomagjistrat për mospërmbushjen e detyrimit për dorëzimin e dokumentacionit të kërkuar brenda afatit pesëmbëdhjetëditor, Inspektori i cakton një afat të ri të arsyeshëm.

17. Pas realizimit të procedurave të parashikuara në pikat 15 e 16, të këtij vendimi, Inspektori procedon me dërgimin e shkresave standarde për kërkimin e informacionit dhe të shpjegimeve përkatëse nga kandidati jomagjistrat, institucionet publike dhe subjektet private në lidhje me kushtet dhe kriteret e tjera ligjore të kandidimit.

18. Në procedurën e verifikimit, Inspektori shqyrton dokumentacionin e paraqitur nga secili kandidat jomagjistrat, formularët e deklarimeve të plotësuara, aktet e dërguara nga organet e ngarkuara me ligj për kontrollin dhe verifikimin e deklarimeve të kandidatëve jomagjistratë, si edhe çdo akt, informacion dhe të dhënë tjetër të dërguar nga subjektet publike dhe private, me nismën e tyre ose mbi kërkesën e Inspektorit që vlerëson se ka lidhje me gjykimin mbi plotësimin ose jo të kushteve dhe të kritereve të tjera ligjore për kandidim.

19. Bazuar në gjetjet e procedurës së verifikimit, nëse vlerëson paraprakisht që mund të procedohet me vendimin e lejimit ose të ndalimit të kandidimit, Inspektori njofton kandidatin jomagjistrat të verifikuar lidhur me gjetjet paraprake, si edhe për të drejtën që:

a) brenda një afati pesëmbëdhjetëditor nga dita e njoftimit, të paraqesë me shkrim, drejtpërdrejt pranë zyrës së Inspektorit ose në rrugë elektronike, qëndrimin dhe shpjegimet përkatëse lidhur me gjetjet e procedurës së verifikimit, si edhe të dokumentacionit mbështetës të nevojshëm, sipas vlerësimit të kandidatit jomagjistrat;
b) të tërheqë, sipas rastit, kopje të dokumentacionit dhe të akteve të këtij procedimi administrativ ose të asaj pjese të tyre që lidhet me verifikimin e kushteve dhe të kritereve përkatëse ligjore, për të cilat Inspektori ka vlerësuar paraprakisht se mund të sjellin ndalimin e kandidimit. Në rast se informacioni është i klasifikuar “sekret shtetëror” të zbatohen kërkesat e legjislacionit në fuqi për informacionin e klasifikuar.

20. Në pamundësi objektive ose për motive të tjera të justifikuara për të paraqitur qëndrimin dhe shpjegimet brenda afatit pesëmbëdhjetëditor, kandidati jomagjistrat njofton menjëherë Inspektorin, duke i parashtruar edhe motivet përkatëse. Kur i vlerëson motivet si të justifikuara, Inspektori i cakton kandidatit jomagjistrat një afat të ri të arsyeshëm për të paraqitur qëndrimet dhe shpjegimet lidhur me gjetjet e procedurës së verifikimit.

21. Në rastin kur, në përfundim të afatit të njoftimeve sipas pikave 15 deri 20 të këtij vendimi, kandidati jomagjistrat nuk paraqitet, nuk i përgjigjet njoftimeve të Inspektorit, nuk paraqet dokumentacionin e kërkuar ose nuk parashtron shpjegime me shkrim për gjetjet e procedurës së verifikimit, Inspektori procedon me përgatitjen e relacionit mbi gjendjen e faktit dhe problemet ligjore të konstatuara.

22. Nëse në përfundim të këtyre procedurave administrative për verifikimin e kushteve dhe të kritereve të tjera ligjore të kandidimit, Inspektori vlerëson se nuk ka të dhëna që mund të sjellin ndalimin e kandidimit, procedon me shqyrtimin e çështjes.

23. Nëse vlerëson që kandidati jomagjistrat nuk përmbush ndonjërin prej kushteve dhe kritereve të tjera ligjore të kandidimit, Inspektori procedon me përgatitjen e relacionit përkatës mbi gjendjen e faktit dhe të ligjit të zbatueshëm, pa qenë e nevojshme kryerja e procedurës së verifikimit për të gjitha kushtet dhe kriteret e tjera ligjore.

24. Kur kandidati jomagjistrat njofton tërheqjen nga kandidimi, Inspektori përgatit relacionin që përshkruan procedurën e zhvilluar dhe projektaktin mbi përfundimin e procedurës administrative të verifikimit të kandidatit jomagjistrat të tërhequr.

25. Inspektori vendos për të gjitha çështjet që parashtrohen në relacion me vendim të arsyetuar.

26. Në rastin kur pas shqyrtimit të akteve që përmban dosja e kandidatit jomagjistrat të verifikuar, Inspektori vjen në përfundimin që ka vend për të vlerësuar edhe mundësinë e ndalimit të kandidimit, por në atë çështje nuk janë ndjekur procedurat e përcaktuara në pikat 15 deri në 20 të këtij vendimi, kandidatit të verifikuar i njoftohet materiali me gjetjet dhe motivet të cilat mund të sjellin ndalimin e kandidimit. Kandidati ka të drejtën e parashtrimit me shkrim të shpjegimeve të tij dhe dokumenteve mbështetëse, jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë nga dita e marrjes në dijeni të materialit të dërguar nga Inspektori.

27. Pas shqyrtimit të akteve, Inspektori vendos:

a) lejimin e kandidimit;
b) ndalimin e kandidimit;
c) vijimin e procedurës së verifikimit për kushtet dhe kriteret e tjera ligjore të kandidimit.

28. Inspektori vendos ndalimin e kandidimit nëse kandidati jomagjistrat nuk përmbush qoftë edhe njërin nga kushtet ose kriteret e tjera ligjore të kandidimit, duke u bazuar në të dhënat që përmbajnë:

a) deklarimet dhe dokumentacionin e paraqitur nga vetë kandidati jomagjistrat;
b) gjetjet dhe përfundimet e organeve kompetente të kontrollit të pasurisë dhe të integritetit të kandidatit, si dhe informacionet e subjekteve të tjera publike dhe private dërguar në përgjigje të kërkesave për informacion të Inspektorit.

29. Inspektori vendos ndalimin e kandidimit edhe në rastet kur, pas njoftimeve të tij gjatë procedurës së verifikimit, kandidati jomagjistrat përsëri nuk i përmbush detyrimet për paraqitjen ose plotësimin e deklaratave, të autorizimeve dhe të dokumentacionit lidhur me kushtet dhe kriteret e tjera ligjore të kandidimit, të parashikuara nga ligji.
B. Akti i verifikimit. E drejta e ankimit

30. Vendimi për procedurën e verifikimit të kandidatit jomagjistrat është i arsyetuar dhe hartohet sipas kërkesave të nenit 99, të Kodit të Procedurave Administrative, lidhur me formën dhe përmbajtjen e aktit administrativ.

31. Vendimi i arsyetuar i njoftohet kandidatit jomagjistrat, i cili ka të drejtën e ankimit sipas legjislacionit në fuqi për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative.

C. Publikimi i akteve të procedurës së verifikimit

32. Vendimet e Inspektorit për verifikimin e kandidaturave bëhen publike në faqen zyrtare të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

33. Në faqen zyrtare të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë publikohen edhe:

a) lista e kandidatëve jomagjistratë për të cilët është vendosur ndalimi i kandidimit;
b) lista e kandidatëve jomagjistratë për të cilët është vendosur lejimi i kandidimit.

IV. PROCEDURA TË VEÇANTA PËR VERIFIKIMIN E KANDIDATËVE JOMAGJISTRATË

34. Përveç kur parashikohet ndryshe në seksionet A, B dhe C të kësaj ndarjeje, për zhvillimin e procedurës së verifikimit të pasurisë, të figurës dhe të kushteve të tjera ligjore të kandidatit jomagjistrat, zbatohen rregullat e përgjithshme të parashikuara në krerët II dhe III, të këtij vendimi.

A. Verifikimi i pasurisë së kandidatit jomagjistrat

35. Jo më vonë se 10 (dhjetë) ditë nga ajo e njoftimit zyrtar për fillimin e procedurës së verifikimit, kandidati jomagjistrat paraqitet në zyrën e Inspektorit për të tërhequr, kundrejt nënshkrimit, kopjen fizike të formularit “Deklaratë e pasurisë dhe e interesave privatë e kandidatit për pozicione të ndryshme në institucionet e sistemit të drejtësisë”, të hartuar nga ILDKPKI-ja, në zbatim të nenit 3/1, të ligjit nr.9049, datë 10.4.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, të ndryshuar, si edhe informacionin mbi lidhjen elektronike zyrtare të ILDKPKI-së në të cilën kandidati jomagjistrat mund të marrë dhe të plotësojë në rrugë elektronike këtë deklaratë, përfshirë udhëzimin përkatës për mënyrën e plotësimit të saj.

36. Njëkohësisht, kandidati jomagjistrat pajiset me formularët e autorizimeve për Inspektorin që të kryejë verifikimin në të gjitha subjektet publike dhe private, brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë, të të dhënave mbi pasuritë, interesat private dhe detyrimet financiare që ekzistojnë në emër dhe për llogari të kandidatit dhe personave të lidhur. Autorizimet, të nënshkruara rregullisht nga kandidati jomagjistrat dhe personat e lidhur, depozitohen pranë zyrës së Inspektorit, jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë nga dita e marrjes në dorëzim.

37. Jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë nga dita e nënshkrimit dhe e dorëzimit nga kandidatët jomagjistratë dhe personat e lidhur të autorizimeve, sipas pikës 36, të këtij vendimi:

a) Inspektori i dërgon ILDKPKI-së listën e kandidatëve jomagjistratë që i nënshtrohen procedurës së verifikimit të kushteve dhe të kritereve të tjera ligjore të kandidimit sipas ligjit nr.115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”;
b) Inspektori fillon procedurat për kryerjen e veprimeve të kërkimit nga subjekte publike dhe private, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, të të dhënave mbi pasuritë, interesat private dhe detyrimet financiare që ekzistojnë në emër dhe për llogari të kandidatit jomagjistrat dhe të personave të lidhur.

38. Jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga marrja në dorëzim e formularit të deklarimit të pasurisë, kandidati jomagjistrat e dorëzon atë të plotësuar pranë ILDKPKI-së, së bashku me dokumentacionin justifikues/shoqërues. Deklarimi bëhet sipas përcaktimeve të neneve 3/1, 4, pika 2 e vijues të ligjit nr.9049, datë 10.4.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, të ndryshuar.

39. ILDKPKI-ja njofton menjëherë Inspektorin në rastin kur kandidati jomagjistrat nuk e dorëzon të plotësuar formularin e deklarimit të pasurisë.

40. ILDKPKI-ja kryen kontrollin e plotë për verifikimin e vërtetësisë dhe të saktësisë të të dhënave që përmbahen në deklaratën e pasurisë dhe të interesave private, brenda 2 (dy) muajve nga paraqitja e kësaj deklarate pranë ILDKPKI-së.

41. Nëse gjatë 180 (njëqind e tetëdhjetë) ditëve para asaj të paraqitjes së deklaratës, kandidati jomagjistrat i është nënshtruar kontrollit të plotë nga ILDKPKI-ja dhe kontrolli nuk ka rezultuar në disfavor të tij, si edhe në rastin kur ILDKPKI-ja vlerëson se nuk është vendi për rikontroll të plotë sipas përcaktimit të pikës 4, të nenit 25/1, të ligjit nr.9049, datë 10.4.2003, atëherë kontrolli konsiderohet i kryer. ILDKPKI-ja i dërgon menjëherë Inspektorit kopjen e deklarimit të bërë nga kandidati jomagjistrat, si edhe gjetjet dhe përfundimet e këtij institucioni nga procedura e mëparshme e kontrollit të plotë të deklarimit. Në çdo rast, Inspektori kryen veprimet e parashikuara nga shkronja “b”, e pikës 37, të këtij vendimi.

42. Pavarësisht parashikimit të pikës 41, të këtij vendimi, nëse pas fillimit të procedurës së verifikimit të kandidatit jomagjistrat, Inspektori vihet në dijeni, nga burime të ligjshme, për rrethana që vënë në dyshim vërtetësinë dhe saktësinë e të dhënave që përmbahen në deklarimin e pasurisë së kandidatit jomagjistrat, njofton menjëherë ILDKPKI-në për të ushtruar kompetencën e rikontrollit të plotë të deklarimit të kandidatit, sipas parashikimeve të neneve 3/1 dhe 25/1, pika 4, të ligjit nr.9049, datë 10.4.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, të ndryshuar.

43. Në përfundim të verifikimit të kryer sipas ligjit, ILDKPKI-ja i dërgon menjëherë Inspektorit raportin e kontrollit të plotë për pasuritë, interesat private dhe detyrimet financiare të kandidatit dhe të personave të lidhur.

44. Inspektori shqyrton rezultatet e kontrollit, gjetjet dhe përfundimet e raportit të ILDKPKI-së, si edhe të dhënat mbi pasuritë, interesat private dhe detyrimet financiare të kandidatit jomagjistrat dhe të personave të lidhur, të dërguara nga subjektet publike dhe private, sipas kërkesës të tij.

45. Në varësi të rezultateve të kontrollit dhe të nevojave të verifikimit të mëtejshëm të pasurisë, Inspektori mund të kërkojë:

a) informacione shtesë nga subjektet publike dhe private;
b) shpjegime me shkrim nga kandidati jomagjistrat, i cili, jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë nga marrja dijeni, duhet të paraqesë këto shpjegime dhe dokumente mbështetëse drejtpërdrejt pranë zyrës së Inspektorit. Nëse për motive të justifikuara nuk mund të respektojë afatin pesëmbëdhjetëditor, kandidati jomagjistrat njofton menjëherë Inspektorin. Kur i vlerëson motivet si të justifikuara, Inspektori i cakton kandidatit jomagjistrat një afat të ri të arsyeshëm për të paraqitur shpjegimet lidhur me gjetjet e procedurës së verifikimit.

46. Në rastin kur në procedurën e verifikimit të pasurisë lind nevoja për njohuri të posaçme lidhur me konstatimin dhe sqarimin e të dhënave që rezultojnë nga deklarimet e kandidatit jomagjistrat, gjetjet dhe përfundimet e ILDKPKI-së dhe atyre të sjella nga subjektet publike e private, Inspektori ka të drejtën të thërrasë ekspertë të fushës përkatëse.

47. Ekspertët e fushës përkatëse të institucioneve shtetërore thirren nga Inspektori sipas fushës së njohurive. Në rastet kur ekspertiza nuk mbulohet nga institucionet shtetërore, ekspertët përzgjidhen nga listat e përditësuara të subjekteve të licencuara për fushën përkatëse, në përputhje me rregullat e prokurimit publik.

48. Ekspertët caktohen nga Inspektori. Shpenzimet për pagesën e ekspertëve mbulohen nga buxheti i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

49. Kandidati jomagjistrat që verifikohet, njoftohet menjëherë për ekspertin e caktuar nga Inspektori. Jo më vonë se 5 (pesë) ditë nga marrja dijeni, kandidati jomagjistrat ka të drejtë të paraqesë me shkrim kërkesën e motivuar pranë Inspektorit, duke treguar shkaqet për gjendjen e papajtueshmërisë apo të konfliktit të interesit me ekspertin. Në çdo rast, Inspektori vendos për pranimin ose rrëzimin e kërkesës, sipas legjislacionit në fuqi.

50. Përpara fillimit të detyrës, eksperti nënshkruan formulën e betimit. Pas veprimit të betimit, sipas udhëzimeve të Inspektorit, eksperti ka detyrimin të shqyrtojë aktet, të përgatisë, sipas rastit, raport financiar apo mendimin e tij me shkrim, si edhe të ruajë konfidencialitetin e të dhënave që siguron gjatë kryerjes së ekspertimit.

51. Kur e vlerëson, Inspektori mund të thërrasë ekspertin për të dhënë shpjegime. Në vendimin e arsyetuar të Inspektorit për lejimin ose ndalimin e kandidimit trajtohet edhe nevoja për ekspertim dhe mendimi i dhënë nga eksperti.

52. Nëse nga gjetjet dhe përfundimet e raportit të ILDKPKI-së, atyre të nxjerra nga të dhënat që rezultojnë nga shkresat e dërguara nga subjektet publike dhe private, si edhe nga shpjegimet me shkrim të dhëna nga kandidati jomagjistrat, Inspektori vlerëson se nuk ka të dhëna që mund të sjellin ndalimin e kandidimit, procedon me përgatitjen e pjesës së relacionit përkatës mbi gjendjen e faktit dhe të ligjit të zbatueshëm, për sa i përket verifikimit të pasurisë.

53. Nëse nga gjetjet dhe përfundimet e raportit të ILDKPKI-së, atyre të nxjerra nga të dhënat që rezultojnë nga shkresat e dërguara nga subjektet publike dhe private, si edhe nga shpjegimet me shkrim të dhëna nga kandidati jomagjistrat, Inspektori vlerëson se ka të dhëna që mund të sjellin ndalimin e kandidimit, procedon me përgatitjen e relacionit mbi gjendjen e faktit dhe të ligjit të zbatueshëm për sa i përket verifikimit të pasurisë.

54. Ndalimi i kandidimit vendoset nga Inspektori, në rastet kur ka të dhëna nga burime të ligjshme se kandidati jomagjistrat:

a) ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar pasuritë;
b) ka fshehur pasurinë dhe të dhënat mbi interesat private, që janë të detyrueshme të deklarohen;
c) ka kryer deklarim të rremë;
ç) gjendet në situatën e konfliktit të interesit.

55. Ndalimi i kandidimit vendoset edhe në rastet kur kandidati jomagjistrat:

a) ka refuzuar të përmbushë detyrimin për t’u pajisur me formularin e deklaratës së pasurisë ose nuk e ka plotësuar dhe depozituar atë pranë ILDKPKI-së, sipas ligjit;
b) ka refuzuar nënshkrimin e autorizimeve të kërkuara nga Inspektori për verifikimin e pasurisë.

B. Verifikimi i integritetit të kandidatit jomagjistrat

56. Jo më vonë se 10 (dhjetë) ditë nga ajo e njoftimit zyrtar për fillimin e procedurës së verifikimit, kandidati paraqitet në zyrën e Inspektorit për të tërhequr, kundrejt nënshkrimit:

a) kopjen fizike të formularit për vetëdeklarim, sipas ligjit nr.138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”,
b) kopjen fizike të formularit të aplikimit “Për informim përpara emërimit/zgjedhjes në poste të larta”, sipas ligjit nr.45/2015, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”;
c) informacionin mbi lidhjen elektronike në faqen zyrtare të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në të cilën kandidati jomagjistrat mund të marrë dhe të plotësojë sipas ligjit, në rrugë elektronike, këta formularë deklarimi;
ç) formularin e autorizimit për Inspektorin që, në zbatim të pikës 4, të nenit 283, të ligjit nr.115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, të kryejë verifikimin pranë organeve kompetente sipas ligjit, të të dhënave mbi figurën e kandidatit jomagjistrat.

57. Jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë)) ditë nga marrja e formularëve të parashikuar në pikën 56, të këtij vendimi, kandidati jomagjistrat i dorëzon ato të plotësuara në zyrën e Inspektorit.

58. Vetëdeklarimi i kandidatit jomagjistrat, sipas ligjit nr.138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, bëhet publik në faqen zyrtare të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

59. Inspektori e përcjell menjëherë formularin e vetëdeklarimit, sipas ligjit nr.138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të plotësuar nga kandidati jomagjistrat, në Prokurorinë e Përgjithshme.

60. Prokuroria e Përgjithshme kryen verifikimet sipas ligjit, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga paraqitja e vetëdeklarimit pranë atij institucioni.

61. Gjithashtu, jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë nga dorëzimi i vetëdeklarimit të kandidatit jomagjistrat, të plotësuar sipas ligjit nr.138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, Inspektori kryen edhe veprimet për kërkimin e informacionit mbi pengesat ligjore sipas shkronjave “a” dhe “c”, të pikës 66, të këtij vendimi, nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar.

62. Formulari i aplikimit “Për informim përpara emërimit/zgjedhjes në poste të larta”, sipas nenit 29, të ligjit nr.45/2015, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, i plotësuar nga kandidati jomagjistrat, i dërgohet menjëherë për kompetencë dhe shqyrtim Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit.

63. Në varësi të rezultateve të kontrollit dhe të nevojave të verifikimit të mëtejshëm të integritetit të kandidatit, Inspektori mund të kërkojë:

a) informacione shtesë nga institucionet e përmendura në këtë seksion;
b) shpjegime me shkrim nga kandidati jomagjistrat, i cili, jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë nga marrja dijeni, duhet të paraqesë drejtpërdrejt pranë zyrës së Inspektorit, shpjegimet e tij dhe dokumentet mbështetëse. Nëse për motive të justifikuara nuk mund të respektojë afatin pesëmbëdhjetëditor, kandidati jomagjistrat njofton menjëherë Inspektorin. Kur i vlerëson motivet si të justifikuara, Inspektori i cakton kandidatit jomagjistrat një afat të ri të arsyeshëm për të paraqitur shpjegimet lidhur me gjetjet e procedurës së verifikimit.

64. Nëse nga gjetjet dhe përfundimet e raportit të Prokurorisë së Përgjithshme, si edhe gjetjet e përfundimet e nxjerra nga të dhënat e dërguara nga institucionet e tjera të përmendura në këtë seksion, Inspektori vlerëson se nuk ka të dhëna që mund të sjellin ndalimin e kandidimit, procedon me përgatitjen e pjesës së relacionit përkatës mbi gjendjen e faktit dhe të ligjit të zbatueshëm për sa i përket verifikimit të integritetit të kandidatit jomagjistrat.

65. Nëse nga gjetjet dhe përfundimet e raportit të Prokurorisë së Përgjithshme, si edhe të atyre të dërguara nga institucionet e tjera të përmendura në këtë seksion, Inspektori vlerëson se ka të dhëna që mund të sjellin ndalimin e kandidimit, procedon me përgatitjen e relacionit mbi gjendjen e faktit dhe të ligjit të zbatueshëm për sa i përket verifikimit të integritetit.

66. Ndalimi i kandidimit vendoset në rastet kur nga Prokuroria e Përgjithshme dhe institucionet e tjera të përmendura në këtë seksion konfirmohet se kandidati jomagjistrat:

a) ka lidhje ose kontakte të papërshtatshme me personat e përfshirë në krimin e organizuar;
b) ka qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar i ish-Sigurimit të Shtetit para 2 korrikut 1991, në kuptimin e ligjit nr.45/2015, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”;
c) është bashkëpunëtor, informator ose agjent i shërbimeve të inteligjencës.

67. Ndalimi i kandidimit vendoset edhe kur:

a) kandidati jomagjistrat ka refuzuar të përmbushë detyrimin për t’u pajisur me formularin e vetëdeklarimit, sipas kërkesave të ligjit nr.138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” ose me formularin e aplikimit “Për informim përpara emërimit/zgjedhjes në poste të larta”, sipas ligjit nr.45/2015, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, apo nuk i ka plotësuar dhe depozituar ato;
b) kandidati jomagjistrat ka refuzuar nënshkrimin e autorizimit për Inspektorin që të kryejë verifikimin në organet kompetente, sipas ligjit, lidhur me të dhënat që lidhen integritetin e kandidatit.

C. Verifikimi i kushteve të tjera ligjore të kandidimit

68. Jo më vonë se 10 (dhjetë) ditë nga ajo e njoftimit zyrtar për fillimin e procedurës së verifikimit, kandidati jomagjistrat pajiset me formularin e autorizimit për Inspektorin që të kryejë verifikimin në të gjitha subjektet publike dhe private, brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë, lidhur me të dhënat që lidhen me plotësimin e kushteve dhe të kritereve të tjera ligjore të kandidimit, të përcaktuara në pikën 6, të nenit 209, të ligjit nr.115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”. Autorizimi i nënshkruar rregullisht nga kandidati jomagjistrat depozitohet pranë zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë nga ajo e marrjes në dorëzim.

69. Inspektori shqyrton dokumentacionin e paraqitur nga kandidati jomagjistrat për të vlerësuar nëse, për efekt të verifikimit të kushteve dhe kritereve të tjera ligjore të kandidimit, të dhënat e deklaruara janë të plota, kanë përmbajtje të saktë dhe nuk gjenden elemente që sjellin dyshime për vërtetësinë e dokumentit apo të përmbajtjes së tij.

70. Kur nga shqyrtimi i dokumentacionit vlerëson se të dhënat e deklaruara nuk janë të plota, përmbajnë pasaktësi ose edhe elemente që sjellin dyshime për vërtetësinë e dokumentit apo të përmbajtjes së tij, Inspektori mund të kërkojë:

a) informacione nga subjektet publike dhe private;
b) shpjegime me shkrim nga kandidati jomagjistrat, i cili, jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë nga marrja dijeni, duhet të paraqesë drejtpërdrejt pranë zyrës së Inspektorit shpjegimet e tij dhe dokumentet mbështetëse. Nëse për motive të justifikuara nuk mund të respektojë afatin pesëmbëdhjetëditor, kandidati jomagjistrat njofton menjëherë Inspektorin. Kur i vlerëson motivet si të justifikuara, Inspektori i cakton kandidatit një afat të ri të arsyeshëm për të paraqitur shpjegimet lidhur me gjetjet e procedurës së verifikimit.

71. Nëse nga gjetjet e procesit të verifikimit Inspektori vlerëson se nuk ka të dhëna që mund të sjellin ndalimin e kandidimit, procedon me përgatitjen e pjesës së relacionit përkatës mbi gjendjen e faktit dhe të ligjit të zbatueshëm për sa i përket verifikimit të kushteve dhe të kritereve të tjera ligjore të kandidimit.

72. Nëse nga gjetjet dhe përfundimet e nxjerra nga dokumentacioni i paraqitur nga kandidati jomagjistrat, si edhe nga gjetjet e përfundimet e nxjerra nga shqyrtimi i shkresave të dërguara nga subjektet publike dhe private, Inspektori vlerëson se ka të dhëna që mund të sjellin ndalimin e kandidimit, procedon me përgatitjen e relacionit mbi gjendjen e faktit dhe të ligjit të zbatueshëm për sa i përket verifikimit të kushteve e kritereve të tjera ligjore.

73. Ndalimi i kandidimit vendoset në rastet kur nga dokumentacioni i paraqitur nga kandidati jomagjistrat, si edhe nga shkresat e dërguara nga subjektet publike dhe private, rezulton se kandidati jomagjistrat nuk plotëson ndonjërin prej kushteve dhe kritereve të tjera ligjore të parashikuara nga pika 6, e nenit 209, të ligjit nr.115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

74. Ndalimi i kandidimit vendoset edhe kur kandidati jomagjistrat ka refuzuar nënshkrimin e autorizimit për Inspektorin që të kryejë verifikimin në të gjitha subjektet publike dhe private, brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë, lidhur me të dhënat që lidhen me plotësimin e kushteve dhe kritereve të tjera ligjore të kandidimit.

V. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

A. Fillimi dhe procedura e verifikimit dhe e përzgjedhjes së kandidatëve jomagjistratë, pas krijimit të zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë

75. Çdo jurist i interesuar për pozicionin e inspektorit në zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, brenda 1 (një) muaji nga krijimi i zyrës së Inspektorit të Lartë, dorëzon aplikimin pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

76. Inspektori verifikon plotësimin e kushteve dhe të kritereve ligjore, sipas parashikimeve të ligjit nr.115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, si dhe bën verifikimin e figurës dhe të pasurisë së kandidatëve jomagjistratë.

77. Njoftimi zyrtar i Inspektorit për fillimin e procedurave ligjore të verifikimit të kandidaturave, sipas ligjit nr.115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, shpallet menjëherë në faqen zyrtare të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

78. Gjithashtu, ky njoftim zyrtar i dërgohet individualisht secilit kandidat jomagjistrat në adresën elektronike të deklaruar prej tij në dokumentacionin e kandidimit të depozituar pranë Inspektorit.

79. Inspektori paraqet kërkesë për informacion për verifikimin e figurës, sipas përcaktimeve të nenit 38, të ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, dhe të çdo shkaku tjetër përjashtues, pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, prokurorisë, organeve publike financiare, Byrosë Kombëtare të Hetimit, shërbimeve shtetërore informative, Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, si dhe çdo organi disiplinor që ka mbikëqyrur disiplinën në marrëdhëniet e mëparshme të punës të kandidatit.
Nëse vlerësohet e nevojshme, Inspektori i Lartë i Drejtësisë mund të kërkojë informacione shtesë nga institucione të tjera.

80. Inspektori, për kandidatin jomagjistrat bën vlerësimin e aftësive profesionale dhe morale, sipas kritereve të parashikuara për pozicionin e inspektorit.

81. Inspektori miraton një raport të arsyetuar me shkrim, bazuar në rezultatet e deklaratave të pasurisë, të vlerësimit të figurës, si dhe në përmbushjen e kushteve e të kritereve ligjore, të parashikuara ligjin nr.115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, për kandidatin jomagjistrat.

B. Rregulla kalimtare për përmbylljen e procedurave të verifikimit

82. Procedurat e vlerësimit dhe të renditjes së kandidaturave fillojnë pasi Inspektori të ketë përfunduar procedurat e verifikimit dhe të ketë vendosur për lejimin ose ndalimin e kandidimit të të gjithë kandidatëve jomagjistratë.

83. Ngarkohen Inspektori i Lartë i Drejtësisë si dhe institucionet e tjera të përmendura në këtë vendim për zbatimin e tij.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë