Qeveria në Strasburg: Pezulloni
 dosjet e pronave nga Shqipëria

Qeveria në Strasburg: Pezulloni<br /> dosjet e pronave nga Shqipëria
Një delegacion qeveritar i nivelit të lartë, i kryesuar nga ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani dhe ministri i Financave, Arben Ahmetaj, zhvilluan dje një takim me presidentin e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), Guido Raimondi.

Komunikata e qeverisë ve në dukje se ministrat e informuan z. Raimondi mbi ecurinë e zbatimit të ligjit të ri për trajtimin e pronës. Gjatë diskutimit, ata paraqitën me hollësi të gjitha angazhimet administrative, ligjore dhe financiare të shtetit shqiptar për zgjidhjen e drejtë të çështjes së pronës në Shqipëri.

Ministri Manjani u shpreh se “ka nevojë të kemi një bashkëpunim nga Gjykata, duke marrë në konsideratë faktin se tashmë ka një Ligj, që ofron mekanizmin e munguar për trajtimin e kësaj çështjeje në Shqipëri”. Në këtë kontekst, u kërkua që, në bazë të Nenit 38.1 të Statutit të Gjykatës, të pezullohet shqyrtimi i mëtejshëm i çështjeve në pritje në këtë gjykatë.

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, shprehu shqetësimin lidhur me efektet e rënda buxhetore të vendimeve të dhëna nga GJEDNJ. “Qeveria është përpjekur të ofrojë një zgjidhje të drejtë dhe proporcionale, pa dëmtuar interesat e brezave që do të vijnë. Për 10 vitet e aplikimit të Ligjit, në buxhetin e shtetit do të ketë një zë me vete, ku do të alokohen fondet për këtë çështje” – tha ministri, ndërsa përsëriti kërkesën për pezullimin e vendimeve për të krijuar hapësirat e nevojshme për implementimin e Ligjit.

Sipas komunikatës, nga ana e tij, presidenti i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut shprehu konsideratën se është e rëndësishme që të ketë harmoni ndërmjet respektimit të së drejtës së pronës, me interesin publik të atyre që paguajnë.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Hamas dhe Fatah, marrëveshje në Pekin për qeveri pajtimi! Angazhim pas luftës në gaza

Hamas dhe Fatah, marrëveshje në Pekin për qeveri pajtimi! Angazhim pas luftës në gaza