TIRANE, 18 shkurt /ATSH/. - Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 37, pika 2, të ligjit nr.105/2014, datë 31.7.2014, "Për barnat dhe shërbimin farmaceutik", me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave vendosi ne mbledhjen e te merkures:
1. Çmimi maksimal i prodhimit të barnave nga fabrikuesit vendas caktohet duke shtuar 20 (njëzet) për qind mbi koston e fabrikimit.
2. Çmimi maksimal i tregtimit me shumicë të barnave nga importuesit dhe shpërndarësit farmaceutikë caktohet duke shtuar 11 (njëmbëdhjetë) për qind mbi çmimin CIF të importit të barit dhe të EXW të prodhimit vendas, e konvertuar në lekë sipas kursit mesatar të njoftuar nga Banka e Shqipërisë, për çdo 6-mujor. Marzhi 11 (njëmbëdhjetë) për qind ndahet ndërmjet importuesit dhe shpërndarësit, përkatësisht, 8 (tetë) për qind dhe 3 (tre) për qind.
3. Çmimi maksimal i tregtimit me pakicë të barnave caktohet duke shtuar 25 (njëzet e pesë) për qind mbi çmimin e blerjes nga shpërndarësi farmaceutik.
4. Për barnat e listës, që rimbursohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, zbatohen marzhe të diferencuara, të cilat miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
5. Për barnat që blihen nga institucionet shëndetësore publike, çmimi maksimal i tregtimit dhe marzhi i fitimit, që do të zbatohen mbi çmimin CIF ose EXW, do të jetë sipas tabelës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Për barnat që nuk janë përfshirë në listën bashkëlidhur do të zbatohet një marzh fitimi 8 (tetë) për qind.
6. Vendimi nr.53, datë 5.2.2014, i Këshillit të Ministrave, "Për përcaktimin marzheve të fabrikimit dhe të tregtimit të barnave", shfuqizohet.
7. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në "Fletoren zyrtare". /a.ke/







