Qeveria, Rama: Me këta
ministra deri në fund të mandatit

Qeveria, Rama: Me këta<br />ministra deri në fund të mandatit
TIRANE- Gjashtë muajt e parë të qeverisë Rama ka qenë boshti i puntatës së kësaj të enjteje të emisionit “Top Story”, të gazetarit Sokol Balla me kryeministrin. Rama ka folur për opozitën, qeverisjen, SHISH dhe luftën kundër korrupsionit.
 
Ish-kryeministri Berisha ju akuzoi për një marrëveshje të fshehtë me FMN. Cila është e vërteta?
FMN nuk bën asnjë marrëveshje të fshehtë me askënd dhe as qeveria nuk ka bërë një të tillë. Nuk do ketë taksa të reja. Marrëveshja na jep mundësinë që ne t’i japim fund një periudhe krize, anarkie financiare dhe të hyjmë në ritmet e një rritjeje.
 
Sot patët një debat me kryetarin e republikanëve, Fatmir Mediu për ish-të përndjekurit...
Ndryshe nga 2013, kur qeveria në ikje e tmerruar shtoi fondin për ta. U fol për pronat dhe pronarët dhe sërish kjo qeveri, kjo aleancë PS-LSI, ka adresuar në sensin e së drejtës edhe çështjen e pronës e problematikën e pronarëve duke filluar inventarizimin e pronave, ku kemi vënë re një mal falsifikimesh. Sot mbi 2 mijë të përndjekur, më në fund, falë kësaj qeverie do prekin paratë e para pas 20 e kusur vitesh. PD e PR janë talluar.
 
Batutat tuaja në Parlament, të quash ish-kryetaren e Kuvendit “dhiakë” të ish-kryeministrit është pak e rëndë...
Më në fund ka ardhur dita që të them edhe unë çfarë mendoj në atë sallë ku për vite me radhë ç’nuk është thënë për mua për njerëzit e shtëpisë sime, ku familja ime është përgojuar për shkakun tim padrejtësisht. Tjetër gjë është debati publik, tjetër gjë janë batutat që thuhen në një sallë ku rrihet me orë të tëra.
 
Ju keni një çështje delikate për të trajtuar me opozitën, si reforma territoriale. Çfarë do të bëni?
Ne jemi këtu për bashkëpunim dhe do dëgjojmë me respekt të gjithë, përfshirë opozitën, por edhe do vendosim dhe udhëheqim. Kam vendosur t’i drejtohem edhe njëherë me një letër kryetarit të PD që të na bashkohet në këtë proces të reformës territoriale. Është ngritur komisioni, i kemi njohur të drejtën e vetos dhe kemi kaq kohë që presim. Por ne s’mund të presim pafund.
 
Keni thënë se kriminelët po vrasin njëri-tjetrin pasi ndjejnë frikën e ligjit. Mund të na i shpjegoni pak këtë?
Kriminaliteti sot ka një rënie të ndjeshme, 33 për qind vrasje më pak se një vit më parë, ka mbi 30 për qind më shumë forcë goditëse ndaj trafiqeve. Vitin e kaluar eksplozivi ka qenë aty e shifrat tregojnë se në periudhën e fundit të vitit të kaluar ngjarjet e ndodhura janë vetëm 1/3 e ngjarjeve të vitit. Spektakolare kanë qenë goditjet e policisë ndaj krimit dhe përdoruesve të eksplozivit. Policia e Shtetit sot ka vlerësimet më të larta nga ndërkombëtarët. Shumica e këtyre ngjarjeve janë të lidhura me larje hesapesh që ndodhin në një klimë shumë më të dizfavorshme për krimin.
 
Kam një foto të ministrit të Brendshëm Tahiri, gjatë protestës paqësore të opozitës. Ai ndodhet në tarracën e Kryeministrisë...
Nuk është çudi që ministri i Brendshëm të ndodhet në tarracën e Kryeministrisë para një proteste. Puna është se çfarë ka poshtë Kryeministria para një proteste dhe në fund vlerësimi bëhet nga sa më shumë armë apo vajza police janë para protestuesve.
 
Për 100 ditët e para të qeverisë keni folur me superlativa për zotin Tahiri, vazhdoni ta mendoni këtë?
Nëse më parë e kam quajtur punën e tij si të shkëlqyer, sot kam një arsye më shumë për ta riquajtur kështu, sepse po bën një punë që së shpejti do të kthehet në produkt për publikun. Po bëhen reforma brenda strukturave.
 
Për dosjet ndaj ish-ministrit Imami që janë çuar në prokurori nga ministrja aktuale e Mbrojtjes Mimi Kodheli, ç’mund të na thoni?
Nuk është fjala për Arben Imamim por ministrin dhe Ministrinë e Mbrojtjes, që ka lënë një situatë shumë të rëndë që ka vënë në vështirësi raportet me NATO-n dhe është kthyer në problem serioz me aletatët, për shkak të korrupsionit në të gjitha nivelet e ushtrisë, deri te Shtabi i Përgjithshëm. Për këtë arsye ka më shumë se një çështje me të cilën po merret prokuroria që shpresoj se do veprojë në bazë të nevojës për të ndëshkuar një kulturë administrimi.
 
Cilat janë zotimet që i konsideroni të mbajtura në këto 6 muaj
Zotimin më të rëndësishëm, ulje taksash për 97% të shqiptarëve që ka rritur fuqinë blerëse për shqiptarët dhe rritjen e konsumit dhe aktualisht kemi 14 përqind më shumë dhe një nga arsyet për këtë rritje, është pikërisht ulja e taksave. Rritja e rrogave thuajse dyfish për policinë e shtetit, lufta pa kompromis kundër korrupsionit në Dogana dhe Tatime që ka sjellë një rritje shumë të madhe të të ardhurave, jo duke i rënë në qafë sipërmarrjes. Do rritet taksa për ata që fitojnë më shumë, për sipërmarrësit që s’janë në biznesin e vogël, nga 10 në 15 përqind, përgjysmimi i tatim-fitimit mbi biznesin e vogël dhe heqjen e taksës për të. Në javët në vijim do fillojë veprimi shumë energjik për legalizimet.
 
Ka një debat për këtë, procesi apo gjithcka falas?
Është gjithçka procedurë. Kur vjen puna te trualli i zaptuar, s’mund të flasim për truall falas sepse ecim me kompensimin. Na duhen për kompensimin e pronarëve.
 
Është e kotë të pyes për korrigjime në kabinet?
Kemi një skuadër që do çojë deri në fund mandatin e vet dhe do marrë përgjegjësitë e veta për gjithë programin dhe çdo sektor. Lëvizje do të jenë të lidhura me shkeljen e atij kodi që ne kemi pranuar së bashku që lidhet me shërbimin me dinjitet, transparencë, integritet të shqiptarëve. Çdo përzierje me korrupsionin nuk do tolerohet. Përformanca është e skuadrës.
 
U fol që deri në mars do të krisej aleanca..?
Është një aleancë e çimentuar nga 1 mln shqiptarë. Jemi shumë të vegjël për t’i shkuar kundër apo për ta cënuar besimin e tyre.
 
Thuhet që bazën tuaj po e merr LSI që më pas i punëson..?
Do shqetësohesha nëse nuk do të ankoheshin edhe në anën tjetër.
 
Raportet me institucionet e pavarura. Fokusi është tek SHISH e kreu Visho Ajazi. Keni ju bashkëpunimin e duhur me të?
Kam komunikim fare të thjeshtë prej të cilit t’u them të drejtën mundohem të gjej arsyen për të thënë se jam i kënaqur, por s’mund të them se jam i kënaqur për faktin që në fund të fundit ajo që ka rëndësi dhe që më intereson mua nuk është se më intereson kush është e nga vjen në krye të institucionit, por sa produkt marrim nga institucioni. Me keqardhje, por në një proces shumë të vështirë kundër krimit që lidhej me shpërthimet e tritolit, policia s’ka patur thuajse asnjë informacion e ky është problemi. Nuk ka lidhje sa më takon me personin. Këto ia kam thënë kreu të Shërbimit, reagimi i tij ka qenë korrekt, por i strukturës lë shumë për të dëshiruar.
 
Keni diskutuar me Presidentin?
Po. Por s’dëshiroj të diskutoj ato që bisedoj me Presidentin, por gjithçka ka të bëjë me qëllimin e përbashkët që ne e ndajmë me presidentin. Rrjedha e komunikimit mes meje dhe presidentit është një model komunikimi mes institucioneve e do të ishte fantastike sikur e tillë të ishte edhe bashkëpunimi mes institucioneve.
 
Nishani për SHISH vlerëson po bën një punë të shkëlqyer e s’ka ndërmend të firmosë shkarkimin e Visho Ajazit. Ju si do veproni? S’kam asnjë plan dhe nuk ndërtoj plane të tilla, por konsideroj të domosdoshme që të ketë një reflektim serioz në këtë aspekt sepse kjo nuk është një histori kampesh dhe aleancash që burojnë nga e kaluara. Kjo është histori që lidhet me shtetin shqiptar dhe domosdo që të jemi në lartësinë e sfidave të mëdha një nga këto është siguria dhe me të ardhmen e këtij vendi, në këtë aspekt e konsideroj të rëndësishëm reflektimin e Komisionit të Sigurisë dhe pres të shoh se cilat do jenë konkluzionet e këtij institucioni. Në këtë rast MB e Presidenti.
 
Keni provë që Visho Ajazi ka shkelur ligjin?
Kjo s’është çështje e imja dhe e vlerësimit tonë si qeveri. Kam shqetësimin që ka Ministri i Brendshëm e këtë e kemi të bazuar në fakte jo në dëshirën për të hapur një front konfrontimi me SHISH.
 
Ju keni mbrojtur presidentin Moisiu që nuk pranoi shkarkimin e Sollakut, si e vlerësoni Nishanin nëse shkarkoni kreun e SHISH?
Presidenti do të gjejë të gjithë arsyet për të reaguar ashtu siç duhet nëse vërtet do jetë i interesuar për të qëndruar mbi palët, për të garantuar funksionimin e institucioneve.
 
Ka qendruar deri më sot?
Nuk mund ta pohoj, por s’kam asnjë dëshirë ta mohoj. Do kisha shumë dëshira ta pohoja, kam bërë dhe do të bëj gjithçka që kështu të ndodhë.
 
Nishani e ka bërë fakt të kryer që nuk do ta shkarkojë atë. Kemi parë një reagim kritik, por të qetë të Tahirit e të Kodhelit..? Ne duam të ndryshojmë Shqipërinë dhe njëra prej këtyre është kultura e bashkëpunimit dhe e ndryshimit të gjuhës si me presidentin e opozitën. Ju e dini që Këshilli i Sigurisë kishte 10 vjet pa u mbledhur.
 
Është ndërprerja e mandatit të presidentit një opsion?
Jo.
 
Jeni të pakënaqur nga drejtuesi i SHISH, tani e mirëkuptoni Berishën kur akuzonte Bahri Shaqirin?
Jo. Unë nuk po e akuzoj për bashkëpunim me forca të errta, po shpreh këtu përmbajtjen e shqetësimit që ka qeveria bazuar tek shqetësimi i shprehur nga Ministria e Brendshme mbi fakte.
 
A është Tahiri kandidat për kryetar i Bashkisë së Tiranës?
Jo nuk është. Nuk kemi emra.
 
Shkrimi u publikua sot (21.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Vendimet e Qeverisë/ Vlerësohen me pension të posaçëm shtetëror 15 personalitete nga fusha e artit, kulturës, muzikës dhe sportit! Ja sa do marrin dhe EMRAT

Vendimet e Qeverisë/ Vlerësohen me pension të posaçëm shtetëror 15 personalitete nga fusha e artit, kulturës, muzikës dhe sportit! Ja sa do marrin dhe EMRAT