Qeveria rrit edhe 33% taksën
e biznesit mbi ndërtesat

Qeveria rrit edhe 33% taksën<br />e biznesit mbi ndërtesat<br>
Bizneset do të paguajnë më shumë për ndërtesat në pronesi të tyre, ndërkohë që disa dhjetëra familje nuk do të taksohen aspak për shtëpinë ku banojnë. Deputetët e Komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave kanë bërë dje dy ndryshime të rëndësishme në projektligjin e paraqitur nga qeveria në kuadër të Paketës Fiskale 2018 që ka të bëjë me taksimin e banesave.

Të përjashtuarit
Në draftin qeveritar nuk ishte parashikuar asnjë përjashtim në aplikimin e detyrimit fiskal mbi pronësinë e një banese, i cili, në rastin e qytetarëve do të jetë sa 0.05% të çmimit të ndërtesës. Ndërkohë, që para diskutimeve në Kuvend, në opinion ishin hedhur ide të ndryshme për të vendosur edhe një politikë sociale, të paktën për shtresat në nevojë, të cilat kanë vështirësi për të paguar taksa të reja. Një politikë e tillë, psh, zbatohet edhe në kompensimin e energjisë elekrike, furnizimin me ujë të pijshëm, apo disa taksa vendore.

Sipas amendimeve që iu bënë projektligjit të përgatitur nga ekspertët e ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe të miratuar nga qeveria, Komisioni pranoi dje që në seancën plenare, ku do të diskutohen nen për nen të gjitha draftet e Paketës Fiskale, sa i përket ndryshimit të taksimit mbi banesat, që përjashtohen kategoritë e kryefamiljarëve, që përfitojnë pension pleqërie, ose social, që janë me banim në fshat, ose qytet kur familja përbëhet vetëm nga pensionistë. Po kështu, nuk do të taksohen ndërtesat e banimit të kryefamiljarëve që trajtohen me ndihmë ekonomike, si dhe kryefamiljarëve me aftësi të kufizuar.

Po kështu, do të përfitojnë një lehtësim të tillë edhe ndërtesat e kryefamiljarëve që përfitojnë pension invaliditeti shtetëror dhe pension invaliditeti të plotë në fshat dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar, ose të vetëpunësuar. Mendohet se këto kushte i plotësojnë rreth 60 mijë familje në fshat e qytet. Nga përllogaritjet e bëra, rezulton që të paktën 36 për qind e stokut të banesave do të përjashtohej nga detyrimi fiskal.

Bizneset
Por ky lehtësim i shtresave në nevojë është bërë duke ngarkuar barrën e të ardhurave që do të vinin prej tyre në arkën e shtetit në kurriz të bizneseve, që posedojnë ndërtësa, në të cilat kanë akomoduar aktivitetet e tyre. 

Këshilli i Ministrave ka çuar në Kuvend varjantin, sipas të cilit përqindja, me të cilën do të llogaritej taksa vjetore e ndërtesës që përdoret për veprimtari ekonomike, të ishte sa 0.15% e çmimit të saj real. Por, ndërkohë që u miratua politika sociale, që do të krijonte një boshllëk në të ardhurat e parashikuara duke filluar nga viti i ardhshëm, qeveria duket se ka menduar sërish varjantin e saj, duke synuar që këtë barrë t’ua ngarkojë subjekteve tregtare. Kështu, dje Komisioni dëgjoi propozimin e ri të ardhura sërish nga qeveria, duke e çuar në 0.20 për qind përqindjen e llogaritjes së çmimit për efektin fiskal të taksës mbi ndërtesën dhe e miratoi atë. 

Diskutimet
Të ftuara në Komision, përfaqësues të biznesit shprehën mendimet e tyre për ndryshimet në taksën e pronës, në taksën e infrastrukturës mbi ndërtimet, tatimit mbi të ardhurat personale dhe shtrirjen e skemës se TVSh-së për bizneset qe kanë xhiro më të lartë se dy milionë lekë, nga 5 milionë lekë që është aktualisht.

Për sa i përket taksës së banesave, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka, propozoi që, për shtëpitë e para ajo të jetë zero, pasi kjo do të nxiste qytetërt dhe familjet të blejnë një shtëpi të parë. Sipas mendimit të tij dhe të bizneseve që përfaqëson, Jaka shtoi se barra për të ardhurën e munguar mund të shtohej pastaj mbi shtëpitë e dyta dhe të treta, për të cilat qytetarët më të pasur do të paguanin më shumë.

Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku kërkoi që Financat të jenë më të qartë lidhur me metodologjinë që do të aplikojnë për taksën e pronës, e cila në vitin 2018 hyn në një cikël komplet të ri. Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj tha në Komision se do të jetë detyrë e kadastrës fiskale përcaktimi i një takse sa më të drejtë në raport me zonën ku është banesa. Për të patur një vlerësim më real se më parë, tani kemi edhe një mundësi tjetër, tha ai, duke përmendur se procesi i rivlerësimit të pasurive të patundshme, që u mbyll në maj të këtij viti, i ka dhënë shtetit një pasqyrë më të saktë të vlerës reale të ndërtesave. Por ende jo të gjitha pronat janë të vlerësuara, madje kjo do të ishte një punë shumë voluminoze, e cila mendohet të fillojë vitin e ardhshëm vetëm në katër bashkitë më të mëdha, si një proces-pilot. Në çdo rast, mes çmimit minimal dhe çmimit maksimal të një zone të caktuar, duket qartë se se vlerësimi nga ana e administratës do të bëhet mbi atë maksimal. Sipas ministrit, “nëse individi blen në një zonë, ku çmimi minimum fiskal është 1.000 euro/m2 dhe transaksionet e shit-blerjes apo të vlerësimit nga ana e bankave për efekt kreditimi tregojnë se në fakt fjala është për 1.300/m2 euro, banori do të paguajë mbi bazën e vlerës së tregut: 1.300 euro/m3”.

Nga ana e tij, kryetari i komisionit Erjon Braçe paralajmëroi se duhet treguar vëmendje për deformimin e mundshëm të çmimeve që vjen nga prania në treg e parave të pista që përdoren edhe në sektorin e ndërtimit apo në blerjen e të patundshmeve. Sipas tij, mund të ketë raste kur individë të caktuar blejnë me çmim më të lartë sesa çmimi mesatar i tregut, thjesht me synimin e pastrimit të parave dhe kjo mund të rezultojë në një çmim më të lartë, që automatikisht ndryshon taksën mbi ndërtesën. Po kështu, ai nënvizoi faktin që taksa e pronës, e cila do të paguhet çdo tre muaj në faturën e energjisë elektrike, mund të japë ndikim tek arkëtimet e OSHEE, pasi vlera e faturës do të rezultojnë dukshëm më e lartë se mesatarja që paguan një familje.

taksa

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

U dënua për korrupsion, senatori amerikan Menendez jep dorëheqjen

U dënua për korrupsion, senatori amerikan Menendez jep dorëheqjen