Qeveria: Shqipja pa gjuhë standarde
reagojnë gjuhëtarët

Qeveria: Shqipja pa gjuhë standarde<br />reagojnë gjuhëtarët
Në faqen zyrtare të Kryeministrisë Gjuha Standarde Shqipe është hequr nga qarkullimi. Madje nuk përmendet fare. Gjuhëtarët më të njohur kanë reaguar mjaft të shqetësuar për poshtërimin që i është bërë gjuhës "që bashkon kombin dhe kulturën shqiptare", siç shprehen ata.

Dr. Rami Memushaj: Është e pabesueshme! Mos e kanë bërë nga padija
Nuk ka mundësi të mos jetë shkruar se kemi si gjuhë zyrtare të detyrueshme për ta përdorur në institucionet publike gjuhën Letrare Shqipe. Ju lutem me thoni ku ta shikojë faqen, se nuk ka mundësi. Kjo nuk është korrekte. (Pak minuta më vonë). E pashë, por ata shkruajnë se e kanë marrë modelin nga Ministria e Jashtme. Nuk mund ta besoj se Kryeministria institucioni më i lartë zyrtar, që duhet të ishte vetë zbatuese e ligjit institucional për përdorimin e gjuhës zyrtare të mos e përmed ekzistencën e saj. Ka mundësi që ata që e kanë hartuar të mos jenë profesionist, të mos kenë studiuar fare për gjuhën. Nuk di ç'të them. Kjo është e pabesueshme.


Dr Mehmet Çeliku: Gjuha Zyrtare është e shkruar në kushtetutë

Kryeministri i vendit dhe çdo pushtetar që drejton institucionet kombëtare si Kryeministria, Ministria e Kulturës, etj duhet ta ketë si detyrim ligjor elementar përdorimin e shqipes standarde, në të gjitha kontekstet publike. Ata privatisht le të përdorin cilën gjuhë të duan, por atje janë të detyruar të shkruajnë si detyrim gjuhën zyrtare, gjuhën standarde. Juve ju lumtë që e konstatuat, sepse kjo që kanë bërë është e pajustifikueshme. Nuk di ç'të them, por unë i kam thënë shumë nga arsyet e këtyre qëndrimeve ndaj standardit të shqipes edhe në intervista edhe në librat e mi. Standardi është i detyrueshëm si gjuhë zyrtare për më shumë se 40 vjet. I detyrueshëm të përdoret në të gjitha fushat e jetës, në administratë, në shkollë, në arsim, në media, në letërsi artistike, etj. Qeveritë e shteteve ku ka shqiptarë si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi etj, të kujdesen që të përdoren tekste të njëjta kudo. Gjuha zyrtare dhe ligjet e përdorimit të saj janë të shkruara në kushtetutë.

Dr. Stavri J. Dajo: Mospërfillje kriminale për cungimin e shqipes
Gjuha Letrare Shqipe është një e mirë e përbashkët, e trashëguar që shqiptarët duhet t'ua përcjellin brezave, të plotë e të pacungur, madje më të pasur e më të vyer. Nuk është pronë e shqiptarëve të sotëm, por një pasuri shpirtërore e marrë hua që duhet t'ua përcjellim brezave që do të vijnë. Është një e vërtetë e pamohuar se gjuha ka ligjet e veta të zhvillimit, të pavarura dhe të mëvetësishme, por është po aq e vërtetë se këto ligje i institucionalizojnë shoqëritë civile, të cilat, kohë pas kohe, me aktet e tyre ndërhyrëse, pra me reforma a reformime, "disiplinojnë" bartësit e gjuhës, e sidomos ata të ligjërimit gojor, të cilët kanë tendence shkëputjeje nga rregullat gjuhësore normative. Dhe këtë punë e bëjnë dhe duhet ta bëjnë vetëm specialistët e gjuhës, dijetarët e saj dhe aspak politikanët dhe ca më shumë politikanët me kulturë të mangët gjuhësore. Politikanët kanë për detyrë të institucionalizojnë rekomandimet shkencore te specialistëve dhe të respektojnë gjuhën normative, duke e përdorur atë saktë.

(Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Man.City shokohet para nisjes së Premier League, në janar mund të dënohet me zbritjen në Championship

Man.City shokohet para nisjes së Premier League, në janar mund të dënohet me zbritjen në Championship