Qeveria shqiptare 5 mln Euro
për Shakirën në Tiranë

Qeveria shqiptare 5 mln Euro<br />për Shakirën në Tiranë
TIRANE- Qeveria shqiptare planifikon të sjellë në Shqipëri njërën prej yjeve të muzikës botërore të momentit. Idea është hedhur në komitetin ndërministror që merret me organizimin aktiviteteve për Festimet e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
“Fituesi” në letër ka mbetur mbetur këngëtarja kolumbiane, Shakira, për të cilën kanë nisur tratativat që të vijë të japë një koncert në Shqipëri. Emri i saj nuk del për herë të parë në qeverisë berisha, që një vit më parë, lakoi emrin e saj dhe të këngëtareve të tjera më të zëshme të momentit për të dhënë koncerte në Shqipëri. Fatura? Flitet për shumë, shumë fonde. Jozyrtarisht një fatura prej 5 milionë eurosh për të sjellë yllin kolumbian në Shqipëri, shumë që nuk konfirmohet nga anëtarët e komitetit ndërministror, sepse gjithçka është në projekt. Por jo ndonjë "hata" që qeverinë e kryeministrit Berisha. Një koncert dhe festime të tjera me këngëtarë vendas, në të kaluarën kanë kushtuar deri në 2 milionë euro dhe qeveria e ka bërë rrugë shpenzimin e fondeve buxhetore për koncerte dhe festime.

KOMITETI NDËRMINISTROR
Aurel Plasari, një prej anëtarëve të komitetit për festimet e 100 vjetorit të pavarësisë, tha për "Shqiptarja-.com", se ende nuk ka marrë në dorë një projekt-propozim për sjelljen e Shakirës në Shqipëri.
"Mbledhja jonë e fundit ishte para dy javësh dhe nuk kemi diskutuar për këtë çështje, ndërsa mbledhja e rradhës ende nuk është njoftuar. Zakonisht me propozimet dhe projektet ne njihemi një ditë përpara mbledhjes. Ende nuk i kemi parë projektet që do të diskutojmë në mbledhjen e radhës"-tha ai.
Një tjetër anëtar i komitetit ndërministror të zgjedhur për shqyrtimin e projekteve shprehet se: "Ende nuk dimë sa mund të jetë fondi limit i përcaktuar për këtë rast, por mendojmë se ky fond do të variojë në bazë ideve të propozuara". Duke mohuar se ka njohuri për koncertin e përfolur të Shakirës, i njëjti anëtar thotë se rrjedhimisht nuk mund të diskutojnë as shifrën që do të duhej për ta sjellë në Shqipëri këngëtaren. Po ashtu edhe në Ministrinë e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve, thonë se ende nuk kanë përgjigje për projektet që kjo ministri ka menduar të realizojë në këtë vit jubilar.

PROPOZIMI NË MPJ
"Shqiptarja.com" iu drejtua dje ambasadorit të Shqipërisë në Itali, z.Llesh Kola, duke e pyetur se: "Përse ju keni hyrë si ndërmjetes në sjelljen e këngëtares Shakira në Tiranë në kuadër të festimeve për 100- vjetorin dhe me cfarë shifre vjen ajo nw Shqipëri?
Përgjigjia e z.Kola ishte: "Ju bëj me dije se Ambasada në Romë e unë si Ambasador nuk kemi ndonjë informacion të veçantë për t'ju ofruar. Eshtë bërë një takim, është përcjellë një informacion me një propozim në Ministrinë e Jashtme dhe jemi në pritje të një përgjigje. Komunikimi është vijuar në linjë institicionale dhe përmbajtja e tij është konfidenciale, si gjithë komunikimet diplomatike të Ambasadës me Qendrën".
Ministria e Punëve të Jashtme me anë të këshilltares së marrëdhënieve me Shtypin, Eva Kushova sqaroi se: "Nuk ka asgjë zyrtare për sjelljen e këngëtares Shakira në Tiranë. Mund të bëhen me qindra propozime, por s'do të thotë që realizohen". Ndërkohë burime brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme thanë për "Shqiptarja.com" se idea për të sjellë këngëtaren kolumbiane në Shqipëri, ka lindur spontanisht gjatë një takimi në mjedise diplomatike, me disa miq të kulturës e spektaklit italian dhe amerikan. Aty është përmendur emri e Shakirës dhe i disa të tjerave dhe u është kërkuar një ide artistëve të huaj dhe kjo kërkesë ekziston zyrtarisht në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë.

8 DHJETORI, 1 MILIONË DOLLARË
Berisha nuk e kursen buxhetin e shtetit kur vjen puna për të bërë koncerte dhe harxhime që mbjellin një frymë hareje në vendin më depresiv dhe më të varfër të Europës. Mitingu festiv i 8 dhjetorit 2009, Ditës Kombëtare të Rinisë, p.sh. kushtoi afro 1 milion dollarë. Sipas faturës zyrtare, vendimit të Këshillit të Ministrave, numër 1191, datë 13.11.2009, parashikohej një shtesë fondi në buxhetin e vitit 2009, për Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Ministrinë e Integrimit. Tekstualisht thuhej: "Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 dhe 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, "Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë", dhe të nenit 12, të ligjit nr.10025, datë 27.11- .2008, "Për buxhetin e vitit 2009?, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Reformat dhe Marrëdhëniet me Kuvendit, Këshilli i Ministrave vendosi t'i shtohen Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, 350- 00000 (tridhjetë e pesë milionë) lekë, në zërin "Projekte kulturore", për organizimin e veprimtarive kulturore, në kuadër të 8 dhjetorit, Ditës Kombëtare të Rinisë. Ministrisë së Integrimit i shtohet shuma prej 54175350 (pesëdhjetë e katër milionë e njëqind e shtatëdhjetë e pesë mijë e treqind e pesëdhjetë) lekë, në zërin "Shpenzime operative", për realizimin, prodhimin dhe transmetimin e spotit publicitar dhe dokumentar, e të tjera, në kuadër të 8 dhjetorit, Ditës Kombëtare të Rinisë. Këto fonde merreshin nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, ndërsa ngarkoheshin Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministria e Integrimit dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi. PS, nga ana tjetër tha se evenimenti i partisë në pushtet,kushtoi 2 milionë euro, sepse qeveria pagoi për postera, printime, transport me autobusë dhe reklama në median e shkruar dhe vizive, afërsisht 1.7 milionë euro, ndërsa për koncertin dhe fishekzjarret afërsisht 228000 euro.

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Shkëmbim të burgosurish mes Rusisë dhe SHBA-së! Pritet të lirohen gazetari Evan Gershkovic dhe ish marinsi Paul Whelan

Shkëmbim të burgosurish mes Rusisë dhe SHBA-së! Pritet të lirohen gazetari Evan Gershkovic dhe ish marinsi Paul Whelan