Pak nga pak po ravijëzohet objekti i vizitës së misionit aktual të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Tiranë. Ashtu sikurse pritej, fjala është për të arritur në një marrëveshje dypalëshe midis institucionit financiar ndërkombëtar, si dhe shtetit shqiptar. Por, ndryshe nga marrëveshja e fundit trevjeçare, qeveria Rama 2 po përpiqet të arrijë një ulje të kontrollit që shoqëron marrëveshje të tilla, për të arritur në një marrëdhënie të re, më të zbutur, ku FMN nuk do të kishte më rol imponues në politikat ekonomike të qeverisë, por vetëm një rol këshillues. 

Për këtë, Shqipëria i është referuar nenit 4 të dokumentave themelues të Fondit Monetar, duke kërkuar një marrëveshje, që zakonisht u rezervohet vendeve të zhvilluara, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumë ekonomi të tjera, të cilat klasifikohen si të qëndrueshme. Sipas burimeve nga Ministria e Financave, situata ekonomike në Shqipëri tanimë është shumë më e stabilizuar dhe vendi nuk është më në kushtet e emergjencës financiare siç ishte 4 vjet më pare, kur 700 milionë dollarë borxhe të prapambetura ndaj privatëve, veç të tjerave, rrezikuan seriozisht stabilitetin makroekonomik të vendit.

Financat e argumentojnë këtë qendrim të qeverisë me faktin se rritja ekonomike tanimë është përforcuar nga një ritëm rritjeje prej vetëm një përqindësh, që ishte në vitin 2013, në rreth 4 për qind aktualisht, ndërkohë që edhe borxhi publik ka hyrë në një trajektore të qëndrueshme rënëse dhe këtë vit pritet të zbresë në një masë sa 68.9 për qind e prodhimit kombëtar bruto. 

Sipas qeverisë, dalja e ekonomisë nga kriza është arsyeja kryesore se pse është preferuar një marrëveshje e re, më e zbutur me Fondin. 
Programi i ri nuk do të vendoste objektiva apo masa të detyrueshme për qeverinë në drejtim të rritjes së taksave. Megjithatë, FMN do të vazhdonte të shprehte publikisht qëndrimet e tij mbi politikat e qeverisë dhe ecurinë e treguesve ekonomikë. Natyrisht, në këtë mes, Fondit nuk do t’i kërkohej kontribut financiar nëpërmjet kredive të buta.

Gjithsesi, mbetet për të parë se sa do të gjejë konsensus një synim i tillë nga misioni aktual, por edhe nga institucioni ndërkombëtar.  

Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com