VLORE-Qindra qytetarë të Vlorës dolën për të nderuar kujtimin e 17-vjeçarit Leandro Shametaj, i cili humbi jetën pas një aksidenti të shkaktuar nga shoferi i dehur.

Nxënës të gjimnazit ku Leandro studionte, familjarë dhe qytetarë të shumtë marshuan përgjatë bulevardit kryesor të qytetit, nga gjimnazi “Ali Demi” deri në vendin ku ndodhi aksidenti fatal. Në duar mbanin fotografi të Leandros dhe pankarta me mesazhe të fuqishme, ku apelohet për përgjegjshmëri dhe ndëshkim për shkaktarët e aksidenteve.

Përgjatë marshimit nuk munguan as familjarë të 17-vjeçarit të ndjerë por edhe të tjerë të cilët kanë humbur të afërmit e tyre në aksidente rrugore.  Po keshtu, marshimit iu bashkua dhe prefektja e qarkut, Evis Allushi.

Në vendin e ngjarjes u vendosën buqeta lulesh dhe qirinj pranë fotografisë së 17-vjeçarit, ndërsa qytetarë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe prefektja e qarkut të Vlorës përcollën mesazhe për rritje të disiplinës rrugore dhe ashpërsim të ligjit për të parandaluar tragjedi të ngjashme.

“Drejtësi për Leandron!” ishte thirrja e tyre, gjatë gjithë marshimit.

Aksidenti tragjik u shënua më 28 tetor, pas mesnate në Bulevardin Ismail Qemali. Leandro Shametaj pse ishte maturant punonte kamerier turn i dytë për të ndihmuar familjen.  Teksa kthehej nga puna me motor të vogël “trinity”, një makinë luksoze “Porsche” që lëvizte me shpejtësi e ka marrë  zvarrë për disa metra. Leandro humbi jetën nga plagët e shumta, ndërsa shoferi që shkaktoi aksidentin, Hajri Barjamaj, 32-vjeç u prangos. Sipas policisë ai drejtonte makinën me shpejtësi në gjendje të dehur.

Ndërsa familjarët e 17-vjeçarit deklarojne se drejtimi i automjetit me shpejtësi mbi 200 km/orë, në mes të bulevardit dhe në gjendje të dehur, nuk mund të cilësohet si aksident. Ndonëse autori  u la një ditë më parë, në masën e sigurisë “arrest me burg”, familjarët kërkojnë ashpërsimin e ligjeve dhe dënimin maksimal për autorët e ngjarjeve të tilla tragjike.

“Ne kërkojmë që të ashpërsohet ky ligj. Nuk ishte një aksident, por për është një vrasje me dashje. Në momentin që ecën me 200 km/h në bulevard dhe të rezultosh i dehur, nuk ka fjalë për ne”.

Kërkojmë që të ashpërsohet ligji, nuk është shkelje e qarkullimit rrugor, është vrasje me dashje, thanë ata.