Një kontenier është ndaluar në Portin e Durrësit ku u konstatuan veshje me marka të mbrojtura ndërkombëtare si Armani, Diesel, Boss, Calvin Klein etj., me dyshime për shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale. Kontrolli i konteinerit u bë në bazë të Analizës së Riskut.

Ngarkesa është konstatuar dy ditë më parë ndërsa burime për Report Tv, kanë bërë me dije konteinieri ishte nisur nga Kina dhe se destinacion ishte Kosova, pasi malli ishte porositur nga një biznes në këtë shtet.

Nga verifikimet rezultoi se brenda ngarkesës ndodheshin:

            •           600 copë xhinse me logon DIESEL

            •           200 copë xhinse Armani

            •           400 copë xhinse Boss

            •           103 copë tuta sportive Armani

            •           48 copë bluza Diesel

            •           25 copë xhupa Armani

            •           2 copë xhupa Calvin Klein

Në bashkëpunim me njësinë përgjegjëse për pronësinë intelektuale (IPR), u verifikua se artikujt e mësipërm përfaqësojnë marka të mbrojtura, ndaj u bë bllokimi i tyre në kontejnerin përkatës, i cili është vulosur zyrtarisht pas përfundimit të kontrollit.