Qiratë e shtëpive/objekteve, ja çfarë njeh shteti për efekt taksash

Këtë vit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njoftoi personat e paregjistruar në sistemin e taksave në lidhje me detyrimin për të deklaruar dhe paguar tatimin mbi të ardhurat e përfituara nga dhënia me qira e shtëpive apo apartamenteve. Kjo mori spunto nga njoftimet se shumë ambjente po jepeshin me qira në zonat turistike, ndërkohë që askush nuk i deklaron ato. Po kështu, sipas njoftimeve të tjera, është një numër jo i vogël studentësh italianë, që studiojnë në filialen tiranase të Universitetit të Barit “Aldo Moro” (Zonja e Këshillit të Mirë), të cilët kërkojnë edhe këtë vit banesa me qira, duke preferuar zona afër ish-Bllokut, Tiranën e Re, rrugën “Myslim Shyri”, etj, ku ka edhe prani më të madhe të lokaleve dhe restoranteve italiane.

Individët

Problemi që shqetëson Tatimet është se, sipas ligjit, individi, përfitues i të ardhurave, është i detyruar të deklarojë dhe të paguajë në organin tatimor përkatës tatimin në masën 15% të të ardhurave të realizuara, jo më vonë se data 20 e muajit që pason muajin në të cilin është kryer pagesa. Deklarimi kryhet vetëm elektonikisht, sipas hapave të mëposhtëm: Hyni në faqen zyrare: www.tatime.gov.al; në menynë “e-Shërbime” zgjidhet rubrika “Individët”, në të cilën klikohet për të aksesuar llogarinë e deklarimit elektronik; hapni dritaren e aksesimit në llogari, ku si emër përdoruesi vendoset numri personal (sipas Kartës së Identitetit dhe jepet fjalëkalimi përkatës); për të aksesuar llogarinë, duhet të zgjidhet: “E lexova dhe bie dakord me termat dhe kushtet”; me hyrjen në llogari, në menynë “Deklarata” zgjidhet “Tatimi në Burim”; tek rubrika “Deklarata të padorëzuara” listohen deklaratat, që duhet të plotësohen; zgjidhet periudha për të cilën do të kryhet deklarimi; individi përfitues i të ardhurave, plotëson rubrikën 15 “Pagesat për qiratë” të deklaratës së tatimit të mbajtur në burim, duke hedhur shumën mujore të përfituar nga qiratë dhe tatimin e llogaritur në masën 15%; duke klikuar butonin “Dorëzo”, deklarimi përfundon dhe dorëzohet në Administratën Tatimore.

Pas dorëzimit, deklarata mund të printohet për efekt dokumenti, duke klikuar butonin “Printo”. Për kryerjen e pagesës, individi, përfitues i të ardhurave, në menynë “Deklarata të dorëzuara”, zgjedh periudhën përkatëse dhe shtyp butonin “Printo Urdhër Pagesë”. Ky urdhër i printuar shërben për të kryer pagesën në sportelet e bankave të nivelit të dytë.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u kujton tatimpaguesve se përmbushja vullnetare e detyrimeve, përveçse është një detyrim ligjor, vlerësohet edhe si një akt qytetarie për forcimin e shtetit ligjor.

Vlera

Problemi i parë për Tatimet në këtë mes lind nga fakti se në Shqipëri ka një normë shumë të lartë evazioni në këtë fushë. Shumëkush që ka marrë mjedise me qira në sezonin veror nga persona privatë që zotërojnë shtëpi në bregdet apo në rajone malore, ka konstatuar se nuk ka bërë asnjë kontratë dhe nuk është pajisur me asnjë lloj fature fiskale në momentin e pagesës. Megjithatë, administrata fiskale kufizohet të bëjë thirrje për vullnetarizëm, por që mund të pasohet nga penalitetet, në rast se Task Forcat e ndryshme konstatojnë shkelje në këtë drejtim.

Por nuk është vetëm kjo. Edhe në ato raste kur dikush deklaron qiranë, konstatohet se shumë herë qajo është mjaft e ulët. Logjika thotë se, sa më e ulët të jetë qiraja, aq më i ulët do të jetë edhe detyrimi që duhet të paguhet në shtet (15% e shumës).

Këtu, në fakt, ka një “kleçkë”. Shteti e ka marrë parasysh tendencën në fjalë, duke i dalë përpara me caktimin e çmimeve referencë, sipas zonave të ndryshme të vendit. 

Kontrata dhe vlera

Sipas një Vendimi të Këshillit të Ministrave, që është në fuqi, vlera e dhënies me qira të ndërtesës duhet të përcaktohet në një kontratë të noterizuar të qirasë, sipas legjislacionit të fushës. Në kontratë, veç të tjerave, duhet, detyrimisht, të përcaktohet qartë adresa ku ndodhet ndërtesa, sipërfaqja, në meter katror, dhe vlera mujore e qirasë së objektit.

Në asnjë rast, vlera e dhënies me qira të ndërtesës nuk mund të jetë më e vogël se vlera minimale e qirasë, e përcaktuar në këtë Vendim. Pra, pavarësisht se sa e deklaron një person apo një subjekt tregtar qiranë në kontratë, shteti e njeh atë në përputhje me vlerat e caktuara në VKM: Vlera minimale mujore, për metër katror sipërfaqe ndërtese të dhënë me qira, është e barabartë me 0.3 për qind të çmimit të shitjes së saj, e përcaktuar në udhëzimin e Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kostos mesatare të ndërtimit të banesave, nga Enti Kombëtar i Banesave”, që miratohet çdo vit.

Objekte tregtare

Për dhënien me qira të ndërtesave që nuk janë apartamente banimi, në qytetin e Tiranës, vlera minimale e qirasë mujore, për 1 m2 sipërfaqe ndërtimi, përcaktohet, si më poshtë vijon:

Për 1m2 sipërfaqe për dyqan mallrash apo shërbimesh, vlera minimale e qirasë mujore është dy herë më e lartë se vlera minimale e qirasë mujore për 1m2 sipërfaqe të apartamenteve të banimit, sipas zonave të Tiranës;

Për 1m2 sipërfaqe për garazh të mbuluar, vlera minimale e qirasë mujore është 70 për qind e vlerës minimale të qirasë mujore për 1m2 sipërfaqe të apartamenteve të banimit, sipas zonave të Tiranës;

Për 1m2 sipërfaqe për zyrë dhe magazinë, vlera minimale e qirasë mujore është e barabartë me vlerën minimale të qirasë mujore për 1m2 sipërfaqe të apartamenteve të banimit, sipas zonave të Tiranës;

Për 1m2 sipërfaqe parkim të hapur, vlera minimale e qirasë mujore është 30 për qind e vlerës minimale të qirasë mujore për 1m2 sipërfaqe të apartamenteve të banimit, sipas zonave të Tiranës;

Për 1m2 sipërfaqe bodrumi, vlera minimale e qirasë mujore është 70 për qind e vlerës minimale të qirasë mujore për 1m2 sipërfaqe të apartamenteve të banimit, sipas zonave të Tiranës;

Për 1m2 sipërfaqe të ndërtesave të privatizuara me ligjin nr. 7652, datë 23.12.1992, “Për privatizimin e banesave shtetërore”, të ndryshuar, vlera minimale e qirasë mujore është 70 për qind e vlerës minimale të qirasë mujore për 1m2 sipërfaqe të apartamenteve të banimit, sipas zonave të Tiranës.

Shembuj

Supozojmë se çmimi i shitjes/metër katror të një apartamenti banimi në qytetin e Tiranës është 190.000 lekë dhe sipërfaqja e këtij apartamenti është 70 m2. Vlera minimale e qirasë mujore, për çdo metër katror, në këtë rast, është: 190 000 x 0.3% = 570 lekë për metër katror. Vlera minimale e qirasë mujore, për këtë apartament të dhënë me qira, është: 70 m2 x 570 lekë për metër katror = 39.900 lekë.

Ndërkohë, në rast se çmimi i shitjes/metër katror të një apartamenti banimi në periferi të qytetit të Tiranës është 81.000 lekë dhe sipërfaqja e këtij apartamenti është 70 m2. Vlera minimale e qirasë mujore, për çdo metër katror të këtij apartamenti, është: 81 000 x 0.3% = 243 lekë për metër katror. Vlera minimale e qirasë mujore, për këtë apartament të dhënë me qira, është: 70 m2 x 243 lekë për metër katror = 17.010 lekë.

Tabelën e plotë me cmimet e referencës dhe ato minimale mund ta lexoni në Shqiptarja.com, versioni print

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • silvana: 23/09/2018 11:42

    pershendetje sapo e lexova ligjin korrect po nje pyetje kisha per vete jam nje shtepi 365m2 shtepia eshte e pabanueshme jane 2 dhoma 1 kuzhine dhe dua ta shes ne shtet kjo shtepi ndodhet ne fier lagja 1maj fier rruga tasi dema sa kushton ju lutemi jetoj ne france dhe nuk kam te ardhura qe ta rindertoje si veprohet

    Përgjigju
    • Dada: 23/09/2018 15:21

      Shtepi nuk blene shteri por ti lidhu me agjensi mobilare ne Fier dhe ta shesen ata. Ku ligji nuk ka te bej me shitje blerje .por ata qytetare qe kane shtepi me qira ai qe merre parate do paguaj tatim.

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja