"Po punohet me orare të zgjatur si dhe on-line për regjistrimin e bizneseve pranë QKR-së", tha ajo.
Deri tani, sipas saj, 169.528 biznese janë aktive të regjistruar në QKR.
"Janë 12.896 biznese të regjistruara në perudhën janar-gusht", tha Vjero.
Aksioni i paralajmëruar nga kryeministri Rama kundër evazionit fiskal, që do të nisë në shtator, po ndikon në regjistrimin e bizneseve informale si dhe në blerjen e kasave tatimore në vend.
Deklarata për mediat e Drejtores së Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, znj. Vasilika Vjero
Duke shprehur kënaqësinë për fluksin e konsiderueshëm të regjistrimeve të reja pas lajmërimit të dhënë nga qeveria shqiptare për një operacion të gjerë kundër informalitetit duke nisur nga shtatori, dua të përsëris apelin për formalizim përmes regjistrimit të të gjithë atyre që nuk e kanë bërë ende këtë. Bizneset mund të formalizohen duke u regjistruar drejtpërdrejt në QKR ku po punohet me orare të zgjatura ose duke u regjistruar elektronikisht përmes portalit qeveritar e-albania.
Ndërkohë, dëshiroj po ashtu të ndaj një informacion të përmbledhur për publikun, me vetëdijen e plotë se formalizmi i biznesit përmes regjistrimit dhe dorëzimit të kuponit fiskal tek çdo blerës për çdo mall, do të thotë më shumë të ardhura për investime publike; mundësi reale për rritje rrogash; mundësi e re për ulje taksash.
Në total sot QKR ka të regjistruara 169.528 biznese aktive (biznese që kanë aktivitet të përhershëm);
Gjatë 2014 janë regjistruar 16,731 biznese të reja ose 40% më shumë se viti 2013. Në këto regjistrime 85% e përbëjnë sipërmarrje të vogla që kanë sjellë më shumë vetëpunësim dhe punësim real. Po ashtu, viti 2014 ka shënuar edhe një rritje me 29 % të prezencës së kompanive të huaja krahasuar me vitin 2013.
Për periudhën Janar – 20 Gusht 2015 janë regjistruar 12,897 biznese të reja, çka e çon në rreth 30 mijë numrin e bizneseve të regjistruara në raport me 2013. Por risia shumë inkurajuese e këtij viti është se, vetëm gjatë periudhës Korrik – Gusht 2015 ka pasur dhe po vijon një numër i lartë regjistrimesh: 3,982 ose 2 herë më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2014.
Kjo do të thotë se, përveç bizneseve të reja, kemi të bëjmë edhe me shenjat e para të daljes nga zona gri e informalitetit të bizneseve që nuk janë regjistruar prej më shumë se sa një viti e me tej.
Apeli ynë është regjistrohuni, formalizohuni, pajisuni me kasat fiskale dhe mos shisni pa kuponin fiskal. Operacioni i gjerë kundër informalitetit mund t'ju kushtojë shumë më tepër në terma financiarë dhe ligjorë, atyre që mendojnë se fitojnë më shumë duke qëndruar jashtë binarëve të ligjit.
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)
