TIRANE - Akademiku Rexhep Qosja, (foto) në një intervistë për  "Telegraf" në Shqipëri thotë se Shqipërisë i duhet rotacioni dhe largimi i kryeministrit Sali Berisha, pasi mbi të gjitha "Berisha po e çon vendin drejt katastrofës ekonomike", "Berisha është uzurpator dhe përgjegjës për disa tragjedi... është supergënjeshtar dhe Shqipërisë i duhet Rilindje"- thotë Qosja. 

BERISHA UZURPATOR, PËRGJEGJËS PËR DISA TRAGJEDI, DO TA COJE VENDIN NE KATASTROFE EKONOMIKE

“Mendoj se Shqipërisë shumë, jashtëzakonshëm shumë, i duhet ndërrimi i pushtetit, që politikanë e analistë në Tiranë po e quajnë rotacion. Dhe, mendoj kështu jo vetëm për shkak të gjuhës së urrejtjes, gjuhës fyese, gjuhës konfliktnxitëse të kryeministrit; dhe mendoj kështu jo vetëm pse kryeministri i Shqipërisë i ka bashkuar, në të vërtetë i ka mbledhur në një, në të vërtetë i ka uzurpuar të tri pushtetet; dhe mendoj kështu jo vetëm pse mandatet e ish- kryetarit dhe tani kryeministrit të Shqipërisë janë të shënuara me disa tragjedi, që e bëjnë politikisht dhe juridikisht përgjegjës. Mendoj kështu jo vetëm pse Partinë Demokratike të Shqipërisë e ka bërë parti private; dhe mendoj kështu jo vetëm pse në gjuhën e tij, në sjelljet e tij, në pushtetin e tij, në mendësinë e tij nuk ka asgjë bashkëkohore, evropiane. Mendoj kështu, para së gjithash, për shkak se e ashtuquajtura politikë e tij ekonomike është politikë e pa rend, e pa sistem, e pa strategji, e pa logjikë; politikë e improvizimeve, që do ta çojë Shqipërinë në katastrofë ekonomike! E keni vërejtur besoj se në çka e mbështet ai fushatën? E mbështet në rrugët. Kudo e kurdo flet për rrugët, të shpeshtën e herëve duke tre-katërfishuar kilometrat e tyre! E mbështet në pranimin në NATO thuajse ai është i merituar për pranimin e Shqipërisë në NATO e jo NATO-ja që për arsye politike, strategjike e të tjera i është dashur Shqipëria. E mbështet në heqjen e vizave dhe në integrimet evropiane thuajse ato janë varur a varen prej tij. E mbështet në heqjen e vizave të qytetarëve të Shqipërisë nga ana e SHBA-ve thuajse ato viza do të hiqen për të gjallë të tij? E mbështet në supergënjeshtrën: do të bëjmë gjithçka për!....", analizoi Qosja

BERISHA: RRUGË, RRUGË, RRUGË DHE RRENA, RRENA, RRENA

"Sot edhe politikanët më varfër të arsimuar e dinë se një shtet është i fortë, i përparuar jo në qoftë se e ka ushtrinë dhe policinë e madhe, por në qoftë se ka ekonomi të zhvilluar dhe punësim të madh. Sot edhe politikanë pa ndonjë kulturë të veçantë e dinë se qëllimi më i rëndësishëm, qëllimi i qëllimeve zhvillimore të një shteti është: PUNËSIMI I NJERËZVE. E kryeministri i Shqipërisë pothuajse nuk ka me çka tjetër t’u dalë parasysh votuesve shqiptarë përpos me rrugët. Rrugë! Rrugë! Rrugë! Dhe me rrena! Rrena! Rrena! Rrena! Rrena të pambarimta! E me çka tjetër t’u dalë? Me çka tjetër t’u dalë kur politika e tij ekonomike e ka lënë Shqipërinë pa ekonomi të vërtetë, e ka shtuar pabarazinë midis njerëzve duke e shtuar edhe numrin e të varfërve", konstaton Qose.

I pyetur nga gazetari se si i komenton disa deklarata se ai i ka personale sulmet ndaj Berishës, Qosja shprehet: “Si mund të kenë raporte të mira një despot, dhunëtar e gënjeshtar me gjuhën dhe dhunëtar e mesjetar me veprimtarinë e tij politike dhe një intelektual që jetën dhe veprat shkencore, letrare e publicistike ia ka kushtuar Lirisë: lirisë së mendimit, lirisë së fjalës, lirisë kombëtare. Dhe, natyrisht të Drejtës”.

GJENDJEN E SHQIPËRISË E NDRYSHON RILINDJA

"Jam thellësisht i bindur se gjithë këtë gjendje dëshpëruese do ta ndryshojnë ata që fushatën po e bëjnë me programin RILINDJE. Natyrisht në qoftë se i fitojnë zgjedhjet që meritojnë t’i fitojnë, që është në interesin e përtaTshëm dhe në interesin historik të Shqipërisë e të Kosovës që t’i fitojnë këto zgjedhje”, pozicionohet politikisht akademiku Rexhep Qosja.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)