"Drejtësia", Alibeaj: Tryeza, jo 
më e ekspertëve, në nivel politik

"Drejtësia", Alibeaj: Tryeza, jo <br />më e ekspertëve, në nivel politik
TIRANE - Partia Demokratike kërkon që tryeza e ekspertëve për reformën në drejtësi të mos mblidhet më, duke propozuar kalimin e debatit në nivel politik. Siç edhe paralajmëruan, demokratët nuk morën pjesë dje në mbledhjen e radhës të tryezës, për shkak të ngërçit të krijuar tashmë lidhur me dy kërkesat e opozitës për konsensus më të gjerë se 84 vota për emërimet në institucionet kushtetuese dhe zbatim të përpiktë të rekomandimeve të Venecias. Gjithashtu, një tjetër insistim i demokratëve është edhe ai që Venecias t’i drejtohen me dy drafte, propozim i cili nuk ka gjetur mbështetje.

Eksperti demokrat, Enkelejd Alibeaj, u shpreh dje për “Shqiptarja.com” se opozita do të kërkojë zhvendosjen e debatit për reformën në drejtësi në nivel politik. Gjithashtu, ai deklaroi se ekspertët e PD nuk do shkojnë në tryezën e reformës, përsa kohë mazhoranca nuk reflekton rekomandimet e Venecias, të cilat çmontojnë kapjen e sistemin të drejtësisë. 
 
Reagimi
Gjatë një prononcimi për “Shqiptarja.com”, eksperti demokrat për reformën në drejtësi, Enkelejd Alibeaj, u shpreh se diskutimet duhet t’i lihen politikës për të vendosur, pasi ekspertët nuk mund t’i japin zgjidhje. “Siç edhe e shpreha në mbledhjen e fundit të tryezës ku ne morëm pjesë, në nivel ekspertësh reforma në drejtësi nuk po merr zgjidhje.

Prandaj, përsa kohë ne, pra, ekspertët, nuk po e realizojmë dot dhe nga mazhoranca nuk po shohim asnjë reflektim për vërejtjet e Venecias, atëherë reforma në drejtësi kërkon vullnet politik dhe këtë ta zgjidhë politika”, u shpreh Alibeaj. I pyetur nëse opozita do të marrë pjesë në mbledhjet e ardhshme të komisionit të ekspertëve, ish ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj deklaroi se opozita nuk mund të bëhet pjesë sa për kozmetikë.

“Nuk kemi kohë për të humbur në tryeza ku nuk ka reflektim për konsensusin e gjerë të kërkuar për emërimet në institucionet kushtetuese dhe ku nuk gjejnë zbatim rekomandimet e Komisionit të Venecias. Kemi punë të tjera më të rëndësishme për të bërë sesa të shndërrohemi në kozmetikë”, theksoi eksperti demokrat. Sipas tij, çështja e reformës në drejtësi duhet të kalojë për të gjetur një kompromis politik midis atyre që përfaqësojnë dhe flukset politike në Parlament. “Thirrja e ekspertëve të PD ka qenë që mazhoranca t’i ofrohet dhe të përqafojë zgjidhjen që i ka dhënë opinioni i Komisionit të Venecias”, tha më tej Alibeaj.


Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)    

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Zjarret në aeroplanët e transportit të mallrave, dyshohet se u organizuan nga Moska

Zjarret në aeroplanët e transportit të mallrave, dyshohet se u organizuan nga Moska