Në pjesën e dytë, ku duket dhe kopertina e librit, Rama i kushton vëmendje Bulqizës, grevës së minatorëve, mjerimit dhe “klanit të mafias lokale të kromit që fiton rregullisht zgjedhjet bashkiake duke i mbledhur votat me hijen e frikës e dorën e rryshfetit dhe lidhur nëntokën me politikën e lartë të Tiranës zyrtare që nënshkruan symbyllur prej vitesh tradhtinë kombëtare në marrëveshje kriminale koncensionesh e në licenca shfrytëzimi të pasurisë së përbashkët për gjithfarë dallkaukësh e derdimenësh turrur mbi Bulqizën, si mbi tokën e askujt” (cituar nga pjesë e librit Kurban.
Në Bulqizë, shkruan Rama “thonjt e korrupsionit gërryejnë me cmendimin e etheve të parasë pasurinë e të gjithë shqiptarëve, duke shkallmuar barqet e hapura të nëntokës që po shterpëzohet nga shfrytëzimi pa kriter e as karar dhe hapur varrin e parakohshëm kolektiv të një komuniteti barkzbrazët që ushqehet me thërrime, teksa shumat e majme të punës së tij fluturojnë cdo muaj jashtë në drejtim të paditur, duke i lënë qytetit funeralet e minatorëve të vrarë në fund të dheut, jetimët e panumërt të familjeve të tyre, ku gra të plakura në moshë të re bëhen dhe burra të vetmuar që duhet të rrisin fëmijët….“
Më pas Rama jep një pasqyrë aktuale të gjëndjes ekonomike të qyteteve shqiptare, për të cilën kryeministri Berisha thotë se Shqipëria doli e dyta pas Gjermanisë në klasifikimin e fuqive ekonomike për frymë të Europës.
SHQIPERIA E SALIUT
Bulqiza- shkruan Rama është një gur i mozaikut të shthurur të modelit ekonomik shqiptar, “modelit të suksesshëm pa recension ekonomik” sic e quan Saliu.
Ai ndalet konkretisht në cdo qytet dhe cep të Shqipërisë mes papunësisë, kaosit urbanistik, shkatërrimit, varfërisë, mes të cilave janë katandisur sidomos në këta 20 vitet, e Saliut sidomos, e kanë degdisur në fatin e vet pa menduar gjatë se ku po e shpie mungesa e planeve të zhvillimit dhe lënia me vite e taksave të ndërtimtarisë sie ardhur kryesore për buxhetet sifilitike të bashkive”.
Në Lac, shkruan Rama, njerëzit rrojnë me mënyra të jashtëligjshme, Mamurrasi i dorëzuar nga papunësia, Shkodra e sakatuar prej orgjive ideologjike të së djeshmes e të sotmes, po kështu në Tepelenë, Koplik, Divjakë, Rrogozhinë, Lushnje, Librazhd Ballsh, Gjirokastër, Pogradec, Sarandë, etj