TIRANE- Në Galerinë Kombëtare të Arteve ditën e enjte hapet edicioni i 18-të i ekspozitës ndërkombëtare të arteve pamore. "Onufri XVIII" vjen i titulluar si "Piktura e jetës moderne".

 Botimi i një eseje nga Sharl Bodler në vitin 1863 në Paris me të njëjtin titull, ka ngacmuar kuratorin që edicioni i sivjetshëm të sjellë në vëmendje nocionin që buron prej Bodlerit, i cili e ndan artin në dy elementë: "E bukura përbëhet nga një element i përjetshëm, i pandryshueshëm, sasia e të cilit është tepër e vështirë të përcaktohet, dhe nga një element relativ, rrethanor që do të jetë, si të dojë njeriu, herë tërë ansambli, herë epoka, herë moda, herë morali, herë pasioni." Piktura e jetës moderne preket në Shqipërinë e fotografuar gjatë viteve 1915-1930, në punimet e viteve 1960-1980 e për të mbërritur deri në ditët e sotme, kur arti ka marrë pamjen e një panorame të evolucionit modern.

 Uniformiteti i modernizmit vjen nga sjellja, veshja, marrëdhëniet njerëzore mes burrit e gruas, aspektet kryesore të jetës, gjithnjë bazuar te përcaktimet e Bodlerit. Kërkimi i modernitetit është një përpjekje për ta çliruar artin tonë nga klishe dhe formate të ditës, të cilat e tipizojnë dhe kategorizojnë atë nën terma apo përcaktime fundore. Ky hulumtim kërkon ta vërë atë përballë vlerave universale dhe njëkohësisht ta lerë të hapur qëllimin e tij edhe për kohët në vazhdim. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në datën 5 shkurt 2012 pranë GKA.