"Punonjësi i ministrisë
kërkoi 10 për qind të lotit"

Sipas prokurorisë rezultoi e provuar se i pandehuri Artan Berberi i ka thënë Agur Sadikut se i pandehuri Bujar Murati kishte kërkuar 10% të vlerës së lotit me qëllim që ta shpallte fituese shoqërinë "MALBERTEX"sh.p.k. dhe se Aguri i është përgjigjur se nëse ishte e nevojshme të jepnin lekë ata duhet të jepnin më pas gjatë realizimit të kontratës në institucionet përkatëse dhe jo tek Bujar Murati pasi dokumentat e tyre ishin të rregullta dhe ata e meritonin të shpalleshin fitues, por Artan Berberi i është përgjigjur se e dinte ai atë punë dhe se kishte folur ai për atë çështje.

"...Për këtë tender unë kam qenë një nga personat e interesuar për të konkuruar dhe për të fituar. Unë e mora vesh që do zhvillohej ky tender nga faqja e internetit të APP - së.

Pas kësaj unë kam biseduar me Artan Berberin për t'u futur në këtë tender në lotet për të cilat ne kishim interes. Unë i kam thënë Artanit që lotin e veshmbathjeve të Ministrisë së Shëndetësisë ta merrja unë por ai më tha që këtë lot t'ia lija atij pasi edhe vlera ishte e madhe (28.000.000 lekë) dhe ai mendonte që unë s'do e realizoja dot vetëm. Po kështu edhe ai nuk e realizonte dot vetëm këtë tender pasi afati për realizimin e kontratës ishte shumë i shkurtër (70 ditë). Ne ramë dakort që këtë lot t'a merrte Artani dhe më pas do e punonim bashkë kontratën dhe do ndanim fitimet sipas punës së secilit. Tek ky lot unë do isha si nënkontraktor (jo zyrtarisht por faktikisht) dhe Artani do kishte edhe pjesën e madhe të fitimit. Përsa i përket loteve të tjera unë isha i interesuar për lotin për veshmbathje për Kapitenerinë dhe kostume për punonjësit e zjarrfikëseve. Këto lote meqë ishin me vlera të vogla do i merrja unë. Artani më tha se Bujar Murati kishte kërkuar 10% të vlerës së loteve me qëllim që ne të na shpallte fitues të këtyre loteve. Unë i thashë se ne nuk kishim përse të jepnim lekë aty pasi edhe nëse do jepnim ndonjë gjë ne mund t'ua jepnim punonjësve të institucioneve ku do punonim pra ku do realizonim kontratat dhe jo Bujar Muratit pasi ne dokumentat i kishim të gjitha në rregull. Artani më tha se e dinte ai atë punë dhe se kishte folur ai për këtë gjë. Unë i thashë se le të vazhdonte vetë pasi ai i dinte ato gjëra. Ditën e zhvillimit të tenderit unë kam shkuar në sallën në katin e parë të Ministrisë së Brendshme dhe dorëzova mostrat. Ndërkohë ofertat ne i kishim dorëzuar në rrugë elektronike më parë. Aty ndenjëm rreth një orë. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave përbëhej nga pesë persona të cilët lexuan të gjitha ofertat e dhëna dhe ne i shënuam në një letër të gjitha këto oferta. Më pas u larguam.

Më pas ne po prisnim kualifikimin e ofertave i cili i cili doli pas rreth 10 ditëve në një kohë që sipas ligjit duhet që kualifikimi të bëhej brenda 5 ditësh. Kur u shpall kualifikimi i ofertave unë pashë se kisha fituar tre lote: kapitenerinë, zjarrfikëset si dhe rrobat e punës për një uzinë këtu në Tiranë. Vlera e të tre loteve që unë kisha fituar ishte 5.600.000 lekë. Po kështu, fitues i lotit për veshmbathje për Ministrinë e Shëndetësisë ishte shpallur shoqëria e Artan Berberit. Më pas ne prisnim njoftimin e fituesve kur Artani më takoi këtu në Tiranë dhe më tha se shoqëria "ATLANTIK 3"sh.p.k. kishte bërë ankesë tek APP - ja dhe unë e pyeta nëse ai i kishte të gjitha dokumentat në rregull. Artani më tha se Teki Hoxha (përfaqësuesi i "ATLANTIK 3"sh.p.k.) i kishte kërkuar që Artani t'i jepte punë për një spital. Unë i thashë që të hynte në bisedime me të dhe le t'ia linte një spital me qëllim që Tekiu të tërhiqte ankimin e tij, por ata nuk ranë dakort."

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Media spanjolle ‘Actualidad Viajes’: Bregdeti shqiptar, vendet më të mira për t’u vizituar