"Refugjatët", Rama-Mogherini:Marrim
përgjegjësitë tona, s'ngrejmë mure

"Refugjatët", Rama-Mogherini:Marrim<br />përgjegjësitë tona, s'ngrejmë mure
Kryeministri Edi Rama u shpreh sot gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Përfaqësuesen e Lartë të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë në BE, Federica Mongherini, se Shqipëria nuk do të ngrejë mure për të bllokuar emigrantët, por as do të hapë portat. Shefi i ekzekutivit deklaroi se vendi ynë do të marrë pjesën e vet të përgjegjësisë të krizës së emigrantëve sipas një projekti të Bashkimit Europian. Indirekt, kryeministri s'kurseu kritikat ndaj vendeve të BE që jetojnë me frikë dhe ndërtojnë mure.

"Shqipëria është një vend i vogël por asnjëherë s'i ka bërë bisht përgjegjësisë së çdo sfide të përbashkët me partnerët tanë. Jemi besnik të vlerave dhe parimeve të Europës, që ndërtuan ata që na lanë në trashëgim projektin e BE. Mbetem i gatshëm të marrim pjesën tonë të përgjegjësisë edhe në këtë sfidë, por nga ana tjetër, jemi të vetëdijshëm që s'e kemi as fuqinë dhe as delirin se mund të shpëtojmë Europën dhe botën. Nuk do të hapim kufijtë dhe nuk do të ndërtojmë mure, por jemi të gatshëm të bashkëpunojmë dhe të marrim pjesën tonë të përgjegjësisë në bazë të një projekti Europian. Kjo është një sfidë Europiane, kjo nuk është një sfidë e Greqisë, as e Italisë dhe s'ka si të jetë sfida e Ballkanit dhe aq më pak e Shqipërisë. Është sfida e BE. Dhe brenda këtij BE jemi dhe ne që, për momentin jemi E pa B. Edhe pse jemi sjellë në këtë rajon si qytetarë Europianë të dorës së parë, ndërsa ata që e kanë atë B përpara janë sjellë si "kategoria B"", u shpreh Rama. 

rama dhe mogherini

Ai theksoi gatishmërinë e qeverisë që drejton për ta përafruar Shqipërinë me Bashkimin Europian. "Ne dëshirojmë të bëhemi pjesë e BE një orë e më parë dhe mendoj se e meritojmë të hapim negociatat dhe të bëhemi anëtarë. Do të jemi shpresë kundër Europës së frikës dhe të mureve", tha Rama. 

rama dhe mogherini

Sipas kreut të qeverisë, vizita në Tiranë e përfaqësues së lartë të BE, Federica Mongherini, përkon me një moment shumë të rëndësishëm, atë të kurorëzimit të procesit të reformës në drejtësi, e cila, tha ai, përbën një çelës të pashmangshëm për të çelur portën e negociatave me BE.

"Dialogu i nivelit të lartë në Komisionin Europian që do të zhvillohet në Tiranë në fund të muajit mars, do të jetë një moment tjetër i rëndësishëm bilanci në një rrugë që për ne s'ka kthim pas dhe as qëndrim në vend. Ne e duam reformën në drejtësi si një imperativ jo vetëm për të sotmen, por edhe ua kemi një detyrim parësor fëmijëve tanë, gjeneratës tjetër. Kemi një raport të Komisionit të Venecias dhe mbi atë raport uroj dhe shpresoj që të gjitha palët të ndjekin me përpikmëri rekomandimet dhe me shpejtësi të vënë në jetë pjesën e parë të reformës që ka të bëjë me ndryshimet kushtetuese. Tani është momenti për t'i bërë. Rëndësia e kësaj reforme dihet botërisht, e dinë shqiptarët të cilët e mbështesin masivisht nevojën për këtë reformë. Ajo që na takon është të jemi në aspiratën e nevojës së shqiptarëve për ta votuar këtë reformë pa humbur kohë, pjesën e parë dhe për të vazhduar më pas me pjesët e tjera. Dua të shpreh mirënjohje për Komisionin, për të gjithë njerëzit tuaj që janë të drejtpërdrejtë të angazhuar me Shqipërinë, për delegacionin, ambasadoren, dhe unë që s'njihem si një person me aftësi të veçanta për tu bërë qejfin të huajve, por pa të huajt, pa ambasadorin s'do ishim kaq pranë për këtë reformë. Do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka na takon edhe për 5 prioritetet dhe reformat e tjera që s'janë brenda prioriteteve por që përcaktojnë fizionominë europiane të Shqipërisë që duam të ndërtojmë, të një Shqipërie me institucione të forta dhe ku të gjitha i nënshtrohen njësoj ligjit", deklaroi Rama.

rama dhe mogherini

rama dhe mogherini

Nga ana e saj, Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë në BE, Federica Mogherini, u ndal te progresi i shënuar nga Shqipëria vitet e fundit, duke vlerësuar si të domosdoshëm reformën në drejtësi.

"Një histori suksesi e Shqipërisë, është histori suksesi për BE. Nder që unë jam këtu në këto ditë jetike për Shqipërinë. Reformë të thellë tërësore dhe historike për gjyqësorin. Për shqiptarët është domosdoshmëri dhe nevojë absolute. Është e paprecedentë brenda Shqipërisë shkalla e madhe e mbështetjes për një reformë të thellë. Nuk ndodh që një udhëheqje politike të ketë mbështetje kaq masive të opinionit publik. Mesazhi im kryesor për kuvendin ishte, miratojeni reformën jo për Brukselin por se e kërkojnë qytetarët. Hallkat që keni ndërmarrë ju janë aq të mëdha sa nuk mund të prishin rrugëtimin që ka Shqipëria. Suksesi i Shqipërisë ka për të qenë suksesi i Europës. Unë jam e bindur se në një moment që ne do ta kemi dhe B dhe E së bashku. Ky është angazhimi im personal, e institucional i BE, që kjo punë të bëhet. Unë besoj që ne duhet dhe mund të hapim negociatat me Shqipërinë. Ne duhet dhe mund të kemi rolin e Shqipërisë plotësisht brenda BE", u shpreh Mogherini.

Zyrtarja e lartë e Brukselit e cilësoi si të shkëlqyer rolin e Shqipërisë në rajon dhe më gjerë.

rama me mogherinin

rama me mogherinin
 Foto të tjera..

Redaksia Online
(L.Q/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Barcelona pëson humbjen e parë sezonale, Osasuna e turpëron 4-2 në 'Pamplona'

Barcelona pëson humbjen e parë sezonale, Osasuna e turpëron 4-2 në 'Pamplona'