"Rrëzohet" Nishani, mazhoranca bie
në 71 vota, Kuvendi 10 orë debate

"Rrëzohet" Nishani, mazhoranca bie<br />në 71 vota, Kuvendi 10 orë debate
TIRANE- Mazhoranca rrëzoi dje në Kuvend dekretet e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani për ligjin e “Arsimit të Lartë” dhe atë të “Turizmit”. Pas një seance maratonë që zgjati rreth 12 orë, Kuvendi rrëzoi me 71 vota kundër, 18 vota “pro” dhe 1 abstenim dekretin “Për Arsimin e Lartë“ dhe me 72 vota kundër, 1 abstenim dhe 14 vota “pro” rrëzoi dekretin tjetër, atë të ligjit “Për Turizmin”.

Gjatë votimit të dekretit për “Turizmin” ka abstenuar ish nënkryetari i Kuvendit, njëherazi kryetar i PBDNJ, Vangjel Dule. Ajo që bie në sy është rënia e mazhorancës nga 87 deputetë që ka realisht në Kuvend (pa llogaritur dy deputetët që janë në burg), në 72 dhe 71 vota për dekretet e Nishanit.

Ndërsa vetëm për një marrëveshje, mazhoranca ka arritur 84 votat. Nga ana tjetër, pr/ligji “Për shërbimet dhe produktet biocide në shëndetin publik u miratua me 74 vota “pro”, ndërsa me 82 vota u miratua ratifikimi i marrëveshjes me BE­në “Për pjesëmarrjen e Shqipërisë në programin “Evropa për qytetarët”.

Ndërsa ratifikimi i marrëveshjes mes palës shqiptare dhe KFW Frankfurt AM MAIN, për projektin “Ujësjellësi Rural III” u miratua me 84 vota. Në fund të seancës, deputetët miratuan me 73 vota “pro”, asnjë kundër, asnjë abstenim projektvendimin për shqyrtimin me procedure të përshpejtuar nga Kuvendi të disa shtesave në ligjin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Dekreti i Presidentit për “Arsimin e Lartë” hapi edhe debatet dje në Kuvend. Opozita e kundërshtoi ligjin duke argumentuar se shtetit do të marrë nën kontroll të gjithë sistemin arsimor. Ndërsa në emër të mazhorancës, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla kërkoi votën e deputetëve “pro” ligjit, pasi sipas saj drafti ka marrë mbështetjen e Brukselit dhe reformon në tërësi sistemin arsimor në vend. “Që në paragrafin e parë të arsyetimit të Presidentit duket qartë që nuk bëhet një dallim i qartë i komunikatave të përgjegjësve për arsimin evropian.

Sipas dekretit thuhet se ligji “duket sikur nuk garanton autonominë e institucioneve të arsimit të lartë”. Ligji bën ekzaktësisht ruajtjen e autonomisë, madje zgjerimin e saj. Ligji mundëson një autonomi më të zgjeruar në karrierën e titujve akademikë. Vetëm një agjenci krijohet të tjerat riorganizohen. Edhe në këtë proces ne po ndërtojmë një partneritet të rëndësishëm. Ju ftoj të votoni rrëzimin e dekretit të Presidentit për të mbrojtur ligjin e mbështetur nga maxhoranca e grupeve të interesit që janë konsultuar si kurrë më parë”, tha Nikolla.

12 orë debate
Seanca e djeshme e Kuvendit zgjati gati 12 orë dhe u shoqëruar nga debate të ashpra. Edhe pse rendi i ditës përbëhej nga çështje që logjikisht nuk duhet të merrnin shumë kohë diskutime, përveç dy dekreteve të Presidentit Bujar Nishani, polemikat mes palëve për çështje jashtë rendit të ditës, bënë që seanca të shndërrohej në maratonë.

Diskutimet dhe debatet për dekretet kanë marrë më pak se gjysmën e 12 orëve diskutime të Kuvendit. Përveç debateve mes ministres së Arsimit Lindita Nikolla dhe përfaqësuesve të opozitës, anëtarë të komisionit të Medias dhe Mjeteve të Informimit Publik për ligjin e “Arsimit” dhe përplasjeve për “Turizmin”, pjesa tjetër e debateve u përqendrua te dekriminalizimi, akuzat për korrupsion dhe trafikun e drogës.     


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 18 Shtator 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Lufta/ Kievi lëshon ‘shi’ dronësh ndaj Moskës! Forcat ruse bombardojnë një depo municioni në Ukrainë

Lufta/ Kievi lëshon ‘shi’ dronësh ndaj Moskës! Forcat ruse bombardojnë një depo municioni në Ukrainë