SUEDI- Në debatin e zjarrtë për Presidentin e ri të Komisionit Evropian, kancelarja gjermane Angela Merkel shpreson të ketë një zgjidhje kompromisi, megjithëse nuk ndryshon nga qëndrimi i saj.
 
"Jean-Claude Juncker është për mua kandidati, unë dua ta kem atë si president të Komisionit, këtë e kam thënë në Gjermani dhe këtë e përsëris edhe këtu", tha kancelarja Angela Merkel në përfundim të takimit të nivelit të lartë në Harpsund të Suedisë.  

Kjo nuk kishte qenë tema kryesore e bisedimeve midis saj dhe kryeministrave të Britanisë së Madhe, Suedisë dhe Hollandës, David Cameron, Frederik Reinfeldt dhe Mark Rutte. Kancelarja tha se në këtë takim jozyrtar është diskutuar më tepër për agjendën evropiane të pesë viteve të ardhshme.
 
Duke folur në adresë të Cameronit, Merkeli tha se vendimet e përbashkëta duhet të merren në një frymë evropiane. "Kërcënimet nuk bëjnë pjesë këtu", tha Merkel.  Cameroni kërcënoi me daljen e Britanisë së Madhe nga BE, sepse ai është kundër Junckerit. "Ky nuk është konflikt midis Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe", paralajmëroi Presidenti i Këshillit të BE, Herman van Rompoy në Bruksel. Duhet gjetur së bashku një zgjidhje.
 
Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)