TIRANË – Kryeministri Rama e ka konsideruar sot si një hap shumë të madh, përgatitjen e draft-reformës së pensioneve dhe shpëtimin e skemës së sigurimeve shoqërore, që ështe në prag të falimentimit  e brenda pak vitesh do linte pa asnjë qindarkë, pensionistët e ardhshëm. Këtë “shpëtim” ai e ka parë në në domosdoshmërinë e kalimit në Kuvend të draft-projektligjit, që u bë i mundur falë të qënit të hapur me Bankën Botërore.

Në fjalimin e tij me rastin e nënshkrimit të marrëveshjeve me BB-në, Rama e veçoi këtë reformë:

"Mbi të gjitha, me lejoni të them se në mënyrë ndoshta të pamerituar, por për ne mjatueshmërisht e kënaqshme, ka kaluar pa zhurmë reforma më e rëndësishme, në këndvështrimin tim, e shumë viteve, reforma e pensioneve, që tanimë është në fazën e vet përfundimtare dhe pret të marri aprovimin e parlamentit.

Edhe njëherë tjetër, jo sepse në zotërojmë ndonjë aftësi apo meritë të veçantë, por sepse patëm meritën që ta shohim në sy skuadrën e Bankës Botërore.

Të mos i bishtnojmë kërkesës tanimë 20 vjeçare që duhet kjo reformë për të mos çuar në kolaps, jo vetëm sistemin e pensioneve, por gjithë sistemin financiar në Shqipëri dhe përsëri të angazhojmë një numër ekspertësh që duke qenë përreth ekspertes së njohur që Banka Botërore na vuri në dispozicion, të bëjmë të mundur dy gjëra:

E para, një draft reformë që shpëton në kuptimin më konkret të fjalës, disa mijëra njerëz qysh në hapin e parë, të cilët do ngeleshin pa asnjë qindarkë për shkak të fillimit të falimentimit të skemës së pensioneve;

Nga ana tjetër, na jep mundësinë që të shohim se puna në ekip me partnerët tanë solli një rritje të dukshme dhe të menjëhershme të cilësisë së burimeve njerëzore, që prej kohësh janë të angazhuar dhe paguhen nga shteti në këtë sektor.” - theksoi ai.

Redaksia online
(ar.sh/Shqiptarja.com)