TIRANË - Deputeti socialist, anëtar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Arben Çuko, në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” i kërkon prokurorisë të zbardhë motivet se pse demokrati, Genti Strazimiri, ishte dje me armë në protestën tek liqeni në kryeqytet. Ai thotë se organi i akuzës duhet t’i japë përgjigje pyetjes nëse deputeti demokrat kishte parashikuar të kryente vrasje në mes të protestuesve për t’ia faturuar atë më pas policisë.

Çuko shprehet se nuk është i habitur nga fakti që deputeti demokrat mban armë, madje shkon edhe më tej, duke e cilësuar si një kamikaz që mund të kishte edhe tritol në trup gjatë protestës. Sa i takon veprimit të policisë, deputeti socialist, Arben Çuko  thotë se në momentin që deputeti u shfaq me armë, ai duhet të ishte ndaluar, pasi arma e tij tashmë konsiderohet pa leje, që prej 17 marsit, kur ka marrë njoftim nga Komisariati i Policisë së Shtetit.