Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) mund të distancohet përfundimisht nga Kuvendi i Kosovës. Kjo ka qenë deklarata e Muharrem Nitajt, anëtari i Kryesisë së AAK-së, dhënë për Gazetën Blic.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është duke e shqyrtuar seriozisht mundësinë që të kalohet në një fazë tjetër të kundërshtimit. Në këtë kuadër, po ashtu (AAK) është duke e shqyrtuar seriozisht mundësinë që të distancohet nga kjo legjislaturë e Kuvendit të Kosovës, për shkak të pamundësisë që deputetët tanë ta kryejnë mandatin e tyre në përputhje me kushtetutën”, ka deklaruar Nitaj për Gazetën Blic.
 
Sipas tij, ky vendim vjen pas situatës që u paraqit në Kuvend ditën kur u rizgjodh presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, - raporton Telegrafi.

“Nuk besojmë se pas skenave në Kuvend, në ditën e votimit të presidentit, ka mbetur shumë hapësirë për të qenë pjesë e këtij Kuvendi”, është shprehur Nitaj.

Ai ka theksuar se AAK do të vazhdojë të jetë kundër qeverisë aktuale, derisa ajo ta kuptojë se rruga e vetme për të ardhur te një zgjidhje, janë zgjedhjet e parakohshme.

“Ne edhe si parti, por edhe si opozitë jemi pozicionuar kundër kësaj qeverisjeje antikushtetuese. Kjo nuk është kurrfarë fshehtësie dhe këtë qeveri do ta kundërshtojmë deri sa ajo të mos bindet se dalja nga kriza aktuale politike, është shpallja e zgjedhjeve të parakohshme. Në këtë kundërshtim nuk do të ndalemi, deri në arritjen e synimit që janë zgjedhjet”, ka thënë zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj.

Më 8 shtator të këtij viti, dorëheqjen nga mandati i deputetit të Kuvendit të Kosovës e dha edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj. Ndërkohë, seanca e radhës, pritet të mbahet këtë të enjte. Me këtë rast, dy partitë e tjera opozitare,Vetëvendosja dhe NISMA, kanë thënë për Gazetën Blic se opozita nuk do të tërhiqet dhe se seanca nuk do të ketë mundësi të zhvillohet në mënyrë normale. 

Redaksia Online
(m.b/Shqiptarja.com)