Zjarret masive që përfshinë Kaliforninë në SHBA, shkaktuan vdekjen e 76 personave, ndërsa dëmet janë kolosale. Numri i viktimave sa vjen e rritet, po ashtu edhe ai të zhdukurve. Deri tani raportohet për 1200 persona fati i të cilëve nuk dihet. Një ditë më parë, Kalifornia u vizitua nga presidenti Donald Trump i cili u shpreh i tronditur nga shfarosja e gjithçkaje prej flakëve gjigande të ditëve të fundit.
Sipas mediave amerikane, një qytezë, Paradise, (Qyteti i Parajsës) është drejt zhdukjes. Me 23 mijë banorë dhe i ndodhur 280 km në veri të San Franciskos, kjo qytezë ka pësuar dëme të mëdha në historinë e zjarreve në SHBA. Siç duket edhe nga pamjet, aty duket sikur ka ndodhur apokalipsi. Flakët nuk kanë lënë asgjë mbi tokë.
Ndërkohë, në gjithë zonën e prekur nga zjarret, nga ora në orë mbi 50 mijë persona presin urdhrin e evakuimit, pasi flakët po përhapen me shpejtësi duke marrë gjithçka që iu del përpara. Autoritetet parashikojnë se shuarja e flakëve do marrë të paktën 10 ditë, deri në fundin e muajit nëntor.