Adrien Rabiot pas zyrtarizimit ka folur sot për herë të parë si futbollist i Juventusit. Francezi i cili sezonin e fundit ka luajtur me ekipin e dytë të Paris SG për shkak të kontraditave me klubin, fillimisht ka deklaruar se Buffon dhe Ronaldo kanë patur ndikim të madh për kalimin e tij te ‘zonja e vjetër’, ndërsa më pas ka shtuar:
“Juventus është një klub i madh, me shumë prestigj dhe ka një përvojë të madhe në Europë edhe pse me disa komplikacione vitet e fundit. Si e shoh unë, Juvja është një hap mbi PSG-në.”
KËSHILLA NGA BUFON – "Kam folur shumë me Bufonin sezonin e kaluar ai më dha shumë këshilla. Më foli shumë për Juven. Ai ishte njeriu më i mirë që mund të flisja për këtë klub. Mendimi i tij më ka ndikuar shumë. Ai ka luajtur një rol deciziv në këtë transferim."
SERIA A – "Kam qenë në Paris për 7 vite, është hera e parë që luaj jashtë vendit tim, por dëshira dhe vendosmëria është e njëjtë. Asgjë nuk do ndryshojë."
SARRI – "Ende nuk e kam pasur rastin të flas me Sarrin, por njerëzit që kam takuar më kanë lënë shumë mbresa. Jam në dispozicionin e tij dhe klubit për të ardhmen e klubit."
POZICIONI NË FUSHË – "Pozicioni i preferuar është ai i mesfushorit të majtë, por mund të luaj edhe në mesfushë me dy. Përshtatem në ndihmë të klubit."
KAPITULLI PSG – "Ishte një periudhë e komplikuar. Tani është mbyllur dhe fillon një aventurë e re. Dua të lë çdo gjë pas. Doja ta mbyllja ndryshe me PSG, por nuk varej vetëm nga unë."
RONALDO – "Pata shansin të rritem duke luajtur me kampionë të mëdhenj. Më ndihmuan të rris nivelin e lojës. Ronaldo është një kampion i madh, dhe sigurisht që edhe ai pati një peshë në vendimin tim të zgjedh Juven. Atmosfera në dhomat e zhveshjeve është shumë pozitiv dhe aty ka shumë profesionistë, që ndihen rehat me njëri-tjetrin."