Shpejtësia mbi normat e lejuara dhe parkimet e gabuara vijojnë të jenë shkeljet më të përhapura në rrugët e Gjirokastrës. Vetëm gjatë javës 17-23 gusht, Policia Rrugore ka vendosur 1383 gjoba, pas kontrolleve të zhvilluara në të gjithë qarkun.

Pjesa më e madhe e masave administrative janë vendosur për drejtuesit që kanë tejkaluar shpejtësinë e lejuar dhe për ata që kanë ndaluar ose parkuar në kundërshtim me rregullat. Janë ndëshkuar gjithashtu drejtues që kanë kryer parakalime të gabuara, kanë lëvizur pa kaskë apo pa rrip sigurimi, si edhe raste të drejtimit të mjetit nën efektin e alkoolit.

Kontrollet nuk janë mbyllur vetëm me gjoba. Tre drejtues mjetesh janë proceduar penalisht për shkelje të rënda të rregullave të qarkullimit, ndërsa 24 të tjerëve u është pezulluar leja e drejtimit.

Sipas Policisë Rrugore, monitorimi në akset urbane, interurbane dhe rurale do të vazhdojë edhe në ditët në vijim me përdorimin e dronëve, radarëve dhe mjeteve të tjera inteligjente, me fokus rritjen e sigurisë në rrugë.