VLORE- Fjala e kryeministrit se pas aksionit të energjisë elektrike do të fillojë një tjetër aksion e pikërisht ai për vjedhësit dhe debitorët e ujit ka bërë që prej tre ditësh pranë zyrave të pagesës së ujit në Vlorë të shënohen radhë të gjata. Çdo ditë qytetarë të shumtë qëndrojnë në këto ambiente për të shlyer detyrimet.
 
Fluksi për të paguar debitë, konfirmohet nga vetë drejtoresha e Ujësjellës-Kanalizime Vlorë, Varvara Gjika. Sipas saj arkëtimet janë rritur me 200 % apo 300 %, ndërkohë që derdhjet në arka arrijnë në 1.4 milionë në ditë.

“Ka konsumatorë që nuk e kanë njohur ndërmarrjen e Ujësjellësit ndër vite, ata po vijnë pranë arkave tona dhe po derdhin debinë që kanë grumbulluar ndër vite. Nëqoftëse derdhjet vjetore kanë qenë 500 mijë lekë të reja, sot ajo ka shkuar deri në 1 milionë e 500 mijë lekë të reja. Fjala e kryeministrit ka pasur një ndikim jashtëzakonisht të madh tek të gjithë debitorët e ndërmarrjes sonë”, tha Varvara Gjika.
 
Për abonentët që nuk paguajnë bëhet me dije se do të ketë ndërprerje të ujit të pijshëm deri në shlyerjen e detyrimeve ndaj UKV.

Redaksia online
(e.s/shqiptarja.com)