Ministrja e Shëndetësisë, gjatë një vizite në institucionet shëndetësore në Elbasan, u ndal te investimet në teknologji dhe infrastrukturë, si dhe te planet për modernizimin e shërbimeve shëndetësore.

Në fokus ishte unifikimi i sistemit të radiologjisë në një platformë të mbështetur nga Inteligjenca Artificiale, me synim përmirësimin e diagnostikimit, rritjen e bashkëpunimit mes specialistëve dhe standardeve të shërbimit për pacientët.

Sipas ministres platforma do t’u mundësojë mjekëve radiologë të shqyrtojnë dhe diskutojnë rastet, të ndajnë opinionet e tyre profesionale dhe të koordinojnë përgjigjet mjekësore. Kjo qasje synon të kontribuojë në rritjen e standardeve dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit.

“Ne kemi në plan që, shumë shpejt, i gjithë sistemi i radiologjisë të funksionojë në kuadër të një projekti me inteligjencë artificiale. Kjo do të përbëjë një avantazh shumë të madh për të gjithë mjekët radiologë, por jo vetëm për ta, pasi në këtë sistem do të kemi mundësi të kontrollojmë dhe të diskutojmë rastet, duke ndarë secili mendimin dhe opinionin e vet.  Në këtë mënyrë, duke qenë pjesë e një sistemi të përbashkët, do të rritet edhe standardi i shërbimit. Gjithashtu, synojmë që edhe përgjigjet të jenë të koordinuara.”-u shpreh  Spahiu.

Paralelisht, vijojnë investimet në teknologji dhe infrastrukturën shëndetësore, përfshirë edhe institucionet e shëndetit mendor, me synim përmirësimin e kushteve të trajtimit dhe garantimin e një kujdesi më cilësor e dinjitoz për pacientët.

Modernizimi i shërbimeve shëndetësore dhe përdorimi i teknologjive të avancuara synojnë të përmirësojnë proceset e punës së profesionistëve dhe kujdesin ndaj qytetarëve.