Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Rafael Grossi, i bëri thirrje Iranit dhe partnerëve të tij botërorë që të arrijnë “rezultate konkrete, të prekshme dhe të dukshme” në bisedimet lidhur me programin bërthamor të Teheranit, pasi rikthimi i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë mund të nënkuptojë se dritarja për diplomaci po mbyllet.
Duke folur për gazetarët në kryeqytetin iranian më 14 nëntor pasi u takua me shefin bërthamor të Iranit, Mohammad Eslami, Grossi tha se po rritet presioni për të lëvizur drejt arritjes së një zgjidhjeje me grupet e mbështetura nga Irani që luftojnë me Izraelin dhe për shkak të Trumpit, që ka qëndrime të ashpra kundër Teheranit, i cili do të marrë detyrën në janar.
“Ne e dimë se është e rëndësishme që të ketë momentum për të arritur tani disa rezultate konkrete, të prekshme dhe të dukshme që do të tregonin se kjo punë e përbashkët është duke e përmirësuar situatën dhe të na largojë nga konflikti dhe lufta”, tha Grossi.
![]()
“Fakti që ka tensione ndërkombëtare dhe rajonale tregon se hapësira për negociata dhe diplomaci nuk po rritet, por po zvogëlohet”, tha ai.
Vizita e Grossit në Iran u zhvillua rreth dy muaj para inaugurimit të Trumpit, i cili gjatë mandatit të parë në vitin 2018 tërhoqi shtetin e tij nga marrëveshja bërthamore që Irani arriti me fuqitë botërore më 2015, dhe rivendosi sanksionet ndaj Republikës Islamike.
Kjo marrëveshje parashihte frenimin e programit bërthamor të Teheranit, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve dhe pakti synonte që të parandalonte Iranin nga posedimi i armëve bërthamore.
Grossi po ashtu u takua me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araqchi.
Araqchi, që ishte kryenegociatori i Iranit gjatë kohës kur u arrit marrëveshja bërthamore, tha se bisedimet me Grossin ishin “të rëndësishme dhe të drejtpërdrejta”.
Ai u zotua se Irani do të vazhdojë të bashkëpunojë me Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore për mospërhapje bërthamore “me guxim dhe në mirëbesim”, duke përsëritur qëndrimin e kamotshëm të Teheranit se programi i tij bërthamor është “paqësor”.
Megjithatë, Araqchi shtoi se Irani nuk do të negociojë “nën presion”.
Pasi Uashingtoni u tërhoq nga marrëveshja bërthamore, Irani e zgjeroi programin e tij bërthamor dhe kufizoi inspektimet e Agjencisë të udhëhequr nga Grossi në uzinat bërthamore.
Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore dhe komuniteti ndërkombëtar kanë shprehur shqetësimin e tyre se Teherani ka shkelur kufizimet e vendosura në marrëveshje sa i përket pasurimit të uraniumit, duke e pasuruar uraniumin deri në 60 për qind. Për armë bërthamore, kërkohet uranium i pasuruar prej 90 për qind. /REL/
Komente

