RAI 3 reportazh/ Veliaj: Tirana
pas 5 vitesh epiqendra e Ballkanit

RAI 3 reportazh/ Veliaj: Tirana<br />pas 5 vitesh epiqendra e Ballkanit
Emisioni “Presa Diretta” i kanalit RAI 3 i ka kushtuar një hapësirë të konsiderueshme në prime time një reportazhi për shqiptarët e Italisë dhe për ndryshimet rrënjësore që po ndodhin në Shqipëri. Komuniteti i madh prej më shumë se 500 mijë shqiptarëve që jetojnë në Itali dhe niveli i lartë i integrimit të tyre konsiderohet si një nga shembujt më pozitiv sot në arenën italiane dhe jo vetëm.
 
 Reportazhi, pasi bën një panoramë të gjerë me shembuj integrimi të suksesshëm në Itali vjen në Shqipëri ku historitë e suksesshme të rikthimit të emigrantëve shqiptarë ndërrthurren me ndryshimet rrënjësore që ka pësuar vendi dhe në veçanti Tirana, e cila merret si shembull i një kryeqyteti të ri, dinamik, modern dhe gjithnjë në lëvizje.
 
 Gjatë këtij reportazhi gazetarja italiane ka intervistuar edhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili veçon raportet shumë të mira që ekzistojnë mes dy popujve, si dhe shndërrimin e Shqipërisë në një vend gjithmonë e më tërheqës për të investuar dhe bërë biznes nga italianët. Kryebashkiaku Veliaj thekson se me ritmet e zhvillimit që ka marrë, Tirana brenda një kohe të shkurtër do të kthehet në një nga qendrat më të rëndësishme të Ballkanit.
 
Intervista e plotë
 
Veliaj: Jemi duke punuar me një ekip Italian, Stefano Boeri dhe disa arkitektë të tjerë, për të hartuar planin urbanistik të Tiranës së re.
 
Gazetarja: Bëhet fjalë për një investim prej sa milionë eurosh?
Veliaj: Në total, gjysmë miliardë.
 
Gazetarja: Erion Veliaj është kreu i ri i Bashkisë së Tiranës. Më parë, ish-ministër i Punës e tashmë një politikan shumë i njohur këtu në Shqipëri. Shprehet se çdo vit rritet numri i italianëve që kërkojnë të punojnë apo jetojnë në Tiranë.
Veliaj: Vitin e kaluar firmosa 20 mijë leje-qëndrimi, ndaj mendoj se është një vend i mirë për biznes. Shumica janë të rinj, kanë shumë energji dhe talent, flasin katër apo pesë gjuhë të huaja. Mosha mesatare është 30-31 vjeç, pra shumë të rinj. Rrjedhimisht nuk u mungojnë idetë për start-up dhe këtë muaj kemi pasur më shumë interes nga Italia për kompani që merren me  açounting, financa publike se sa për call center.
 
Gazetarja: Cili është parashikimi juaj për Tiranën pas 5 apo 10 viteve?
Veliaj: Këtë vit, “The Guardian”  e cilësoi Tiranën në dhjetëshen e parë sa i përket listës së vendeve për të bërë turizëm. Ndaj, besoj se pas 5 vitesh do të jetë epiqendra e Ballkanit.
 
Gazetarja: Sa ndikon, sipas jush, kjo marrëdhënie e privilegjuar me Italinë në gjithë atë çka thatë?
Veliaj: Besoj se për shumicën e shqiptarëve, Shqipëria është si një qytezë e Italisë, ku shumica dërrmuese flet italisht, është në kontakt me televizionin italian, ndaj ndihet edhe pjesë e familjes, në një farë mënyre. Po ashtu, edhe italianët që vijnë këtu ndihen si në shtëpinë e tyre. Kjo në fakt  është diçka që nuk e vlerësojmë sa duhet. Tani, kjo vala e populizmit, ku të gjithë hartojnë platforma politike kundër emigrantëve, myslimanëve  apo të huajve, kjo nuk është diçka e mirë. Italia dhe Shqipëria kanë pasur gjithmonë lidhje të ngushta, duke konsoliduar një platformë për një bashkëjetesë në harmoni, duke zhvilluar biznesin dhe raportet e mrekullueshme njerëzore.

dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Çeki: Zbulohet një rrjet propagande i financuar nga Rusia

Çeki: Zbulohet një rrjet propagande i financuar nga Rusia