Kryeministri Rama ka reaguar në platformën X pas sulmeve iraniane ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe. Ai shprehet se është një sulm ndaj një kombi sovran dhe refleks i një sistemi të destinuar të dështojë.

Rama thotë se Emiratet e Bashkuara janë kthyer në një simbol për promovimin e paqes dhe një rajon që ka zgjedhur zhvillimin e bashkëpunimin. Kryeministri shpreh mbështetje e solidaritet dhe thotë se siguria në Gjirin Persik është domosdoshmëri globale.

Ai bën thirrje për një përgjigje të qartë dhe në unitet nga komuniteti ndërkombëtar kundrejt këtij agresioni.

“Sulmet e verbra dhe të dëshpëruara të Republikës Khomeiniste kundër Emirateve të Bashkuara Arabe nuk janë thjesht një sulm ndaj një kombi sovran. Ato janë një sulm ndaj stabilitetit, prosperitetit dhe vetë idesë se Lindja e Mesme mund të përcaktohet nga paqja dhe bashkëpunimi, e jo nga lufta dhe kaosi.

Shënjestrimi i një oazi paqësor si Dubai me raketa urrejtjeje dhe shkatërrimi zbulon edhe një herë natyrën e vërtetë të regjimit mesjetar në Teheran. Ky është refleksi i një sistemi të destinuar të dështojë, një sistemi që eksporton dhunë dhe përdor terrorin si armë kundër fqinjëve që kërkojnë paqe, për t’i frikësuar jo vetëm ata, por para së gjithash popullin e vet që kërkon liri.

Emiratet e Bashkuara Arabe janë bërë një simbol global i promovimit të paqes, hapjes ndaj dialogut, dinamizmit ekonomik, bashkëjetesës ndërfetare dhe vitalitetit kulturor. Ato përfaqësojnë një model se si mund të duket një Lindje e Mesme moderne: e sigurt në vetvete, e ndërlidhur, me vizion përpara dhe thjesht e bukur. Të godasësh verbërisht kundër saj do të thotë të godasësh vetë mundësinë e një rajoni që ka zgjedhur zhvillimin mbi shkatërrimin, bashkëpunimin mbi përballjen, paqen mbi luftën.

Shqipëria qëndron në solidaritet të plotë dhe të palëkundur me udhëheqjen dhe popullin e Emirateve të Bashkuara Arabe. Siguria në Gjirin Persik nuk është një çështje lokale; ajo është një domosdoshmëri globale. Çdo përpjekje për ta destabilizuar atë kërcënon jo vetëm rrugët energjetike, korridoret tregtare dhe arkitekturën e brishtë të paqes rajonale, por edhe ekuilibrin më të gjerë të sigurisë ndërkombëtare.

Komuniteti ndërkombëtar duhet të flasë me qartësi dhe unitet: agresioni i sponsorizuar nga shteti, sulmet me raketa kundër mjediseve civile dhe destabilizimi i qëllimshëm nga një regjim që vret popullin e vet në shkallë masive nuk mund të lënë asnjë vend për Republikën Khomeiniste në bashkësinë e kombeve, pavarësisht dallimeve në sisteme apo pikëpamjeve politike.

Rruga përpara për rajonin nuk shkruhet me raketa, por me njohje të ndërsjellë, integrim ekonomik dhe udhëheqje të përgjegjshme. Emiratet e Bashkuara Arabe, nën drejtimin vizionar të liderit të tyre të madh, Presidentit Mohammed Bin Zayed, kanë zgjedhur të jenë një far stabiliteti dhe përparimi për të gjitha kombet që duan paqen. Ata që zgjedhin errësirën dhe shkatërrimin duhet ta gjejnë veten të izoluar nga një botë që qëndron për stabilitet, bashkëpunim dhe paqe”, shkruan Rama.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:37
Sulmet e Iranit, diplomati shqiptar në Katar thirrje bashkëatdhetarëve: Qëndroni brenda banesave, jemi ende larg normalitetit

1772376450_thumbsbcd4b9b9648ff088198ff2d3b5a1cd30f3.jpg

I Ngarkuari me Punë në Ambasadën e Shqipërisë në Doha, Ermal Kaleci, u bën thirrje shqiptarëve në Katar që të qëndrojnë brenda banesave dhe rezidencave të tyre në rast sulmesh të mëtejshme me raketa nga Irani.

Përmes rrjeteve sociale, Kaleci thekson se kushtet e nevojshme të sigurisë nuk janë të favorshme për të rifilluar aktivitetet normale të përditshme dhe se hapësira ajrore e Shtetit të Katarit vijon që të jetë e mbyllur.

Postimi i plotë i Ermal Kalecit,  i Ngarkuari me Punë në Ambasadën e Shqipërisë në Doha:

Të dashur bashkatdhetarë,

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Katar po monitoron nga afër zhvillimet mbi situatën e sigurisë rajonale në tërësi, dhe në veçanti në Katar, në koordinim të ngushtë me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, autoritetet e Katarit si dhe Përfaqësitë Diplomatike rezidente në Doha.

Aktualisht, kushtet e nevojshme të sigurisë nuk janë të favorshme për të rifilluar aktivitetet normale të përditshme. Për rrjedhojë, ju këshillojmë të qëndroni brenda banesave dhe rezidencave tuaja, në rast shpërthimesh të mëtejshme, si dhe të merrni masat e nevojshme paraprake në këtë situatë, duke shmangur lëvizjet e panevojshme, ndjekur udhëzimet dhe protokollet e publikuara nga autoritetet lokale.

Ambasada bën thirrje për qetësi, kujdes të shtuar, vigjilencë dhe durim për tejkalimin e kësaj situate të vështirë.

Aktualisht hapësira ajrore e Shtetit të Katarit vijon që të jetë e mbyllur, deri në njoftim të dytë.

Me qëllim shmangien e informacioneve të pasakta, Ambasada ripërsërit rëndësinë e ndjekjes së informacioneve përmes mediave të besueshme vendase si dhe atyre ndërkombëtare.

Gjithashtu inkurajohet zbatimi me përpikmëri i udhëzimeve të lëshuara nga autoritetet e Katarit në kohë reale, adresuar në aparatet tuaj celularë.

Së bashku do të qëndrojmë në kontakt të vazhdueshëm përmes emailit dhe kanaleve të mediave sociale të Ambasadës në Facebook, X dhe Instagram si dhe grupit në ëhats app: Komuniteti Shqiptar Doha.

Në rast emergjence, linjat telefonike të Ambasadës, si vijon, janë në dispozicion 24/7:

+974 77180778

+974 30079922

Faleminderit për bashkëpunimin Tuaj.

Ora 13:06
Pas sulmeve në Gjirin Persik, Rama solidarizohet me Arabinë Saudite dhe Katarin: Fuqia e vërtetë qëndron te uniteti!

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas sulmeve me raketa ndaj vendeve të Gjirit, duke i quajtur ato një goditje ndaj stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama vlerëson reagimin e Arabia Saudite dhe Katari, duke thënë se raketat u neutralizuan dhe kërcënimi u zmbraps me forcë dhe saktësi. Sipas tij, kur shënjestrohen infrastruktura kritike dhe zona civile, nuk bëhet fjalë për një incident lokal, por për një sulm ndaj vetë stabilitetit.

Ai thekson se aftësia për të rrëzuar raketat tregon jo vetëm kapacitete të avancuara mbrojtëse dhe koordinim të lartë, por edhe vendosmëri strategjike. Rama shton se forca e vërtetë qëndron te uniteti i vendeve të Gjirit, që sipas tij kanë zgjedhur progresin dhe bashkëpunimin në vend të provokimit.

Kryeministri shpreh solidaritet të plotë edhe me Kuvajtin dhe Bahreinin, duke theksuar se në Gjirin Persik siguria është e pandashme dhe se siguria e njërit është forcë për të gjithë.

“Arabia Saudite dhe Katari, dy xhevahirë të shndritshëm në kurorën e një Lindjeje të Mesme të re, të përkufizuar nga shpresa, zhvillimi marramendës dhe bashkëpunimi i guximshëm rajonal, treguan edhe një herë se çfarë do të thotë një udhëheqje e përgjegjshme përballë agresionit të pamatur. Raketat u gjurmuan, kërcënimi u neutralizua dhe mesazhi ishte i qartë: ata që luajnë me kaosin do të përballen me forcë dhe saktësi. Kur shënjestrohet infrastruktura kritike dhe zona civile, nuk kemi kurrë të bëjmë me një ‘incident lokal’. Është një sulm ndaj vetë stabilitetit, ndaj begatisë dhe ndaj vizionit të përbashkët të një Gjiri që ka zgjedhur progresin në vend të provokimit dhe partneritetin në vend të paranojës. Aftësia për të rrëzuar raketat pasqyron jo vetëm kapacitete të avancuara mbrojtëse dhe koordinim të përkryer, por edhe qartësi strategjike dhe vendosmëri të palëkundur. Por përtej teknologjisë dhe taktikave, fuqia e vërtetë qëndron te uniteti: te vendet e Gjirit që qëndrojnë krah për krah kundër atyre që e ngatërrojnë destabilizimin me ndikimin. Solidaritet i plotë dhe i palëkundur edhe me Kuvajtin dhe Bahreinin. Në Gjirin Persik, siguria është e pandashme. Siguria e njërit është forca e të gjithëve.” shkroi Rama në X.