I ardhur nga zona e Dibrës, për shumë vite me rradhë, ngriti biznesin e tij në Tiranë, duke menaxhuar, administruar një kompani të fuqishme në fushën e Tregëtisë. “Suksesin duhet ta çojmë deri në fund, ta përcjellim me fitore në kuvendin e Shqipërisë”, thotë ai, në një intervistë për Shqiptarja.com.
Zoti Suli, si paraqitet situata në zonën tuaj elektorale? Shpeshherë keni bërë denoncime për presione të vazhdueshme?
Një qeveri e dëshpëruar, në 5 ditët e fundit të saj, po përpiqet me të gjitha mjetet dhe mënyrat të shpëtojë nga përgjegjësia që do të mbajë pas votës plebishitare të gjithë qytetarëve shqiptarë në 23 qershor, për programin ambicioz të Rilindjes. Padyshim, duke qenë shumë afër banorëve të zonës në njësinë 11, kam parë dhe kam ndjekur nga afër trysninë dhe presionin, që nga marrja me dhunë e zyrtarëve të administratës në mitingje elektorale, deri në pushimet flagrante nga puna të të gjithë atyre, që zotërinjtë pushtetarë në ikje i mendojnë si mbështetës të programit të Rilindjes.
Por nuk ka asnjë forcë që e ndal uraganin e Rilindjes që sa vjen e rritet në këto ditë të fundit, përpara fitores. Në zonën e Laprakës, Bregut të Lumit, Kodër Kamëz etj, këto ditë janë parë shpesh e më shpesh Bujar Vukaj, drejtor i Doganës së Tiranës, ,Alfons Muça, drejtor i Bashkisë së Tiranës, Isë Doçi, Drejtori i Konvikteve të Tiranës, Lek Culkaj Doganier në Rinas, Doloreza Rrapollari, zyrtare e Ministrisë së Brendshme, Petrit Zenuni Drejtor i Shkollës së Mesme, Alkes Buda në Njësinë 11,dhe shumë zyrtarë të tjerë me taborre nga pas, duke bërë presion ndaj qytetarëve për votën e tyre.
U bëj thirrje gjithë qytetarëve të ndershëm të kësaj zone, se ora e presionit pa shkak të strukturave shtetërore është duke përfunduar. Ne jemi të ndërgjegjshëm dhe të vetëdijshëm, se makineria shtetërore në ikje, do kërkojë me çdo mjet të pengojë ëndrrën evropiane të Shqiptarëve për Rilindjen, por kjo do të marrë fund në 23 qershor, pasi qytetarët e Laprakës, Institutit, Josif Pashkos, Bregut të Lumit, kur të gjithë, do të votojnë për numrin 29 në fletën e votimit.
Në fakt, zona është e gjerë, dhe gjithmonë ka votuar për të djathtën. Si po arrini ju të bindni votuesit për programin e Rilindjes?
Padyshim që programi i Rilindjes është një program që hyn në çdo shtëpi e troket në këtë derë dhe është shpresëdhënës për jetën e të gjithë këtyre qytetarëve. Duke u ndalur një nga një në të gjitha zonat, duke folur me banorët, kam mbajtur në çdo rast shënim hallet e tyre. Le të ndalemi te Bregu i Lumit: Kjo qeveri, edhe pse e ka administruar në nivel qendror dhe lokal, e ka lënë infrastrukturën në mëshirë të fatit. Mungon uji i pijshëm dhe energjia elektrike vjen si me pikatore.
Çështja e legalizimeve është një premtim i gënjeshtërt i pambajtur i një kryeministri plak në ikje siç është Berisha, ndërkohë që për shtresat sociale, komunitetin rom, thuajse nuk është bërë asgjë. Në Kodër Kamëz, kjo qeveri nuk i ka realizuar premtimet për legalizim për banorët, e mandej, këtu nuk funksionon as shërbimi policor në mënyrë efikase, që duhet të mbulohet nga rajoni tre. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për shërbimin shëndetësor. Në zonën e Institutit, strehimi mbetet problemi më emergjent për tu zgjidhur.
Kemi takuar familje të tëra në godina ku jetojnë bashkë 8 anëtarë të familjes në 1 dhomë, dhe ku mbi 10 familje përdorin të njëjtin tualet. Varfëria dhe papunësia, janë ulur këmbëkruq te banorët e kësaj zone. Për të mos folur për zonën e Laprakës, ku infrastruktura është për faqe të zezë e ku shërbimet sociale, këndet e lojërave për fëmijët, apo këndet shlodhëse për moshën e tretë, nuk ekzistojnë. Në zonën e Josif Pashkos qytetarët vuajnë mungesën dhe gënjeshtrën e legalizimeve, ujit të pijshëm e papunësisë në masë.
Do të vazhdoja të shkruaja e të flisja gjatë për të gjitha këto shqetësime që kanë banorët e këtyre zonave aq më tepër, që sikurse konstatoni ju, duket se problematika ka mbetur e pandryshuar për vite e vite me radhë. Do i tregojmë Berishës dhe Partisë Demokratike se nuk mund të ketë bastione me një popull me të cilin i tradhëtoi të tetë vitet e fundit. Banorët e këtyre zonave, do ta tregojnë me votën e tyre për PS dhe numrin 29, se Rilindja nuk është duke trokitur, tashmë ka ardhur për të gjithë.
Nëse nuk janë zgjidhur gjithë këto vite, a mund të premtoni ju zgjidhjen e problemeve të evidentuara më sipër?
Kryeministri që do të zgjidhet pas 6 ditësh nga shqiptarët, Edi Rama, e ka thënë qartë edhe me banorët e këtyre zonave se problemet e shpejta që ata kanë, që kanë të bëjnë me legalizimet, ujin e pijshëm, energjinë elektrike, papunësinë e varfërinë, do të zgjidhen dhe do të zbuten djeshëm brenda vitit të parë të qeverisjes. Ne do të jemi aty, për t’i dhënë mbështetje dhe zë të fuqishëm në parlament, një ekipi fitues që do të dijë të menaxhojë, jo vetëm zonën për të cilën po flasim, por gjithë Shqipërinë.
Nuk do të ketë më diferencim social për shtresat në nevojë, por do të ketë një vëmendje maksimale ndaj çdo qytetari, fëmijë, i rritur, apo qytetarët e moshës së tretë që do të marrin vëmendjen dhe përkushtimin tonë maksimal. Nuk do të ketë më biznese që duhet të paguajnë haraçin tek taksidari i radhës, por do të kemi taksim zero për të gjitha bizneset e vogla, duke e lejuar gjithë këtë makineri të madhe të ekonomisë sonë nga gjobat e presionet. Nuk do të ketë më gënjeshtra të kultivuara në mendjet e njerëzve se duan të zgjidhin problemet, por do të ketë aksione konkrete në të mirën e të gjithëve bashkë.
Dhe do t’ju jap një shembull: Dy muaj më parë, qeveria u ka marrë nga 180 mijë lekë familjeve për tu lidhur ujin e pijshëm. Sot, për të blerë votën e tyre, këtë procedurë po e bëjnë pa lekë. Qytetarët e kësaj zone, janë të vetëdijshëm dhe e kuptojnë fare qartë efektin elektoral që kanë këto nisma sporadike që nuk i nxjerrin aspak nga hallet e telashet. Ndërkohë që në programin tonë të Rilindjes, janë dhënë me afate të caktuara, të gjitha punët e mira dhe për komunitetin, që do të bëjnë socialistët në të gjithë vendin.
Ju flisni sikur gjithçka ka përfunduar, por zgjedhjet janë në 23 qershor dhe qytetarët ende nuk kanë votuar...
Nuk ka asnjë dyshim se fitorja ka ardhur. Koalicioni i majtë do të qeveris këtë vend që nga 24 qershori, me një maxhorancë solide votash dhe me 78 deri në 80 deputetë në Kuvend, për të kryer gjithë reformat e premtuara. Nuk ka asnjë dyshim për këtë, ashtu sikurse e dimë fare mirë se kushdo që do të kërkojë të prekë edhe në një votë të vetme të qytetarëve shqiptarë në kutitë e votimit, do të dënohet sipas ligjit.
Me votën e çdo qytetari nuk mund të ketë asnjë shaka, sepse ne besojmë te populli shqiptar, besojmë te rilindja, besojmë te programi i Partisë Socialiste dhe votimit për nr.29 në fletën e votimit. Edi Rama, si kryeministër i të gjithë Shqiptarëve nesër, do të dijë të ndërtojë një të ardhme më të mirë jo vetëm për ne, por për fëmijët tanë, për rininë, një të ardhme evropiane, një shkollim sikurse një popull i zgjuar si i yni e meriton dhe hapjen e mijëra e mijëra vendeve të punës, për të zhdukur njëherë e përgjithmonë batakun e skamjes dhe vuajtjes ku e futi vendin kjo qeveri në ikje edhe për 5 ditë.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 18.06.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)