Rama: 21 janarin s'e tradhtojmë
kurrë, gjyqin ua bën reforma!
Video/ Lot e dhimbje në homazhe 

Rama: 21 janarin s'e tradhtojmë<br />kurrë, gjyqin ua bën reforma!<br />Video/ Lot e dhimbje në homazhe 
TIRANE - Në 5-vjetorin e protestës së 21 janarit, kryeministri Edi Rama i drejtoi gishtin e akuzës gjyqtarëve të korruptuar si të vetmit fajtorë që nuk po i japin paqen shpirtit të 4 qytetarëve të vrarë, duke mos vendosur drejtësinë në vend për vrasjen e tyre nga plumbat e Gardës në demonstratën para kryeministrisë të udhëhequr në 2011-ën nga Sali Berisha. 

"Çdo anëtar i Gjykatës së Lartë që prej 2013 mban të varrosur dosjen e 21 janarit pa guxuar ta nxjerrë në dritën e krimit, është sot i akuzuar si fajtor. Fakti rrëqethës se dosja e 21 janarit është e vetmja dosje e mbetur pa gjykuar nga viti 2013 në gjykatën e Lartë ndërkohë që Gjykata ka kohë që ka nisur punën me dosjet e vitit 2014, del dhe tepron për të kuptuar se kush e ka kapur për fyti drejtësinë, përmes gjykatësish që një zot e di se sa më të rënduar nga sa mund ta përfytyrojmë ne e kanë ndërgjegjen", u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë mbajti në kryeministri një ceremoni përkujtimore për viktimat e pafajshme të 21 janarit. 

Në prani të familjarëve të të ndjerëve, Rama theksoi disa herë gjatë fjalës së tij se nuk e ka tradhtuar 21 janarit, dhe se drejtësia do të vihet në vend. Shpresa e kryeministrit Rama për të ndëshkuar përgjegjësit e kësaj ngjarje është realizimi i reformës në drejtësi.

"Një ditë ose një tjetër drejtësia do të bëjë drejtësi, edhe për vrasësit, edhe për rivrasësit, edhe për ata që urdhëruan dhe vranë katër njerëz, por edhe për ata që shpikën në sallat e gjyqeve makabritetin e vrasjes si gabim teknik, dhe vranë të gjallët me çekiçin e pushtetit gjyqësor. Unë e di se drejtojnë mbi mua gishtin e akuzës për zvarritjen e drejtësisë. Shpirti i ardhur në majë të hundës prej një kase të korruptuarish lidhur me mish me thonjtë e politikës dhe krimit më quajnë tradhtar të 21 janarit. Nuk kam asgjë me ta ja marr vesh sakëlldinë kur shohin se përgjegjësit për atë masakër bilbëlojnë përditë dhe kërkojnë prej nesh hesap për plagët tronditëse sociale që i shkaktuan shoqërisë. Është cinike dhe poshtëruese, e di shumë mirë. Por sot nuk jam kokulur përpara jush, dhe nuk do të shkoj kokulur as përpara përmendoreve në bulevard. Kjo qeveria nuk e ka tradhtuar 21 janarin sepse kemi punuar çdo ditë duke hapur një kantier të madh reformash shtetndërtuese për të rilindur Shqipërinë e rrënuar nga autorët e 21 janarit", u shpreh Rama.

Në protestën e 21 janarit 2011 të organizuar nga opozita e majtë humbën jetën Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika. Ata u qëlluan me plumba nga Garda ndërsa protestonin paqësisht para godinës së kryeministrisë në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" për të kërkuar largimin e qeverisë së drejtuar nga Sali Berisha në koalicion me Ilir Metën. 

Fjala e plotë e Ramës

Fjala e kryeministrit Rama e zbardhur nga redaksia online Shqiptarja.com
21 janari është domosdoshmëria më jetike për një reformë të vërtetë, rrënjësore në drejtësi. Çdo politikan që sot nuk sheh tek familjet tuaja, tek prindërit dhe jetimët e 4 dëshmorëve, barrën e vet të detyrimit për t'i hapur rrugën drejtësisë, nuk do reformën në drejtësi, por është pengesa kryesore e saj. Çdo prokuror e gjykatës që nuk ndjen sot peshën e turpit për vuajtjen tuaj të pashoqe, nuk do reformën në drejtësi, por është vetë arsyeja pse kjo reformën duhet bërë me çdo kusht. Çdo anëtar i Gjykatës së Lartë që prej 2013 mban të varrosur dosjen e 21 janarit pa guxuar ta nxjerrë në dritën e krimit, është sot i akuzuar si fajtor. Fakti rrëqethës se dosja e 21 janarit është e vetmja dosje e mbetur pa gjykuar nga viti 2013 në gjykatën e Lartë ndërkohë që Gjykata ka kohë që ka nisur punën me dosjet e vitit 2014, del dhe tepron për të kuptuar se kush e ka kapur për fyti drejtësinë, përmes gjykatësish që një zot e di se sa më të rënduar nga sa mund ta përfytyrojmë ne e kanë ndërgjegjen.

Pushkatimi pa gjyq në bulevard hyn në ato raste përmes të cilave historia i ka mësuar popujve se drejtësia vonon por nuk harron. Mund të varroset dosja në varrezën ku Gjykata e Lartë varros patatet e nxehta, por nuk mund të tretet si trupat e 4 të vrarëve, nevoja therëse e drejtësisë për 21 janarin. Një ditë ose një tjetër drejtësia do të bëjë drejtësi, edhe për vrasësit, edhe për rivrasësit, edhe për ata që urdhëruan dhe vranë katër njerëz, por edhe për ata që shpikën në sallat e gjyqeve makabritetin e vrasjes si gabim teknik, dhe vranë të gjallët me çekiçin e pushtetit gjyqësor.

Unë e di se drejtojnë mbi mua gishtin e akuzës për zvarritjen e drejtësisë. Shpirti i ardhur në majë të hundës prej një kase të korruptuarish lidhur me mish me thonjtë e politikës dhe krimit më quajnë tradhtar të 21 janarit. Nuk kam asgjë me ta ja marr vesh sakëlldinë kur shohin se përgjegjësit për atë masakër bilbëlojnë përditë dhe kërkojnë prej nesh hesap për plagët tronditëse sociale që i shkaktuan shoqërisë. Është cinike dhe poshtëruese, e di shumë mirë. Por sot nuk jam kokulur përpara jush, dhe nuk do të shkoj kokulur as përpara përmendoreve në bulevard. Kjo qeveria nuk e ka tradhtuar 21 janarin sepse kemi punuar çdo ditë duke hapur një kantier të madh reformash shtetndërtuese për të rilindur Shqipërinë e rrënuar nga autorët e 21 janarit

Nuk kam tradhtuar askënd që doli kundër një qeverie që e vret popullin. Unë e di që pa reformën në drejtësi gjithçka kemi bërë nuk e merr dot vlerën që ka realisht. Mirëfunksionimi i sistemit të drejtësisë, është parakusht kryesor për të ndërtuar shtetin që ne kemi nisur të ndërtojmë dhe për të siguruar mbarëvajtjen e jetës sociale dhe ekonomike.

Sot të gjithë, por edhe përfaqësuesit e vetë sistemit të korruptuar të drejtësisë thonë se duan reformën në drejtësi. Pranojnë se gjendja aktuale e sistemit të drejtësisë është skandaloze. Por sigurisht ky është një teatër ku palët luajnë rolet e tyre dhe ku nuk janë të paktë ata që shpresojnë se reforma në drejtësi nuk do të bëhet kurrë, apo dëshirojnë që këtë proces historik dhe shembullor të hartimit të draftit për reformën ta katandisin si kokoshin në një thellë për tu gllabëruar përsëri nga gojët e shqyera të politikës siç janë gllabëruar të gjitha thelat e mbetura nga kokoshët e reformave të quajtura të tilla, në vite.

Ka vend për shpresë, sepse janë jo të paktë edhe politikanët edhe gjyqtarët apo prokurorët brenda atij sistemi të korruptuar që e duan reformën në drejtësi. Unë dua t'ju siguroj të gjithëve se personalisht nuk do të lejoj që PS ta tradhtojë reformën në drejtësi dhe e konsideroj reformën gur themeli për moralin e qeverisjes sonë. 

Ju garantoj se jam dhe do të mbetem zëdhënësi juaj dhe se në çdo hap, në çdo vendim, në çdo përpjekje, udhëhiqem nga domosdoshmëria për të mos e tradhtuar 21 janarin, si një çështje themelore në rrugën e reformën në drejtësi, dhe si një aspiratë popullore për të pasur një Shqipëri më të pastër, më të drejtë, një Shqipëri ku secili të ndihet në shtëpinë e tij dhe jo në shtëpinë e hajdutëve të pronës, lirive dhe të drejtave të veta, siç është ndjerë shpesh deri në të shkuarën e afërt. Shumë faleminderit, shumë respekt, dhe i përjetshëm qoftë kujtimi i atyre 4 njerëzve të zakonshëm që vazhdojnë dhe japin një kontribut të jashtëzakonshëm në rrugën tonë shumë të vështirë por jo të pamundur për të ndryshuar këtë vend, dhe për të përmbysur sistemin poshtërues të drejtësisë në këtë vend. 

Foto nga ceremonia perkujtimore ne kryeministri
edi rama te ceremonia perkujtimore


familjaret e 21 janarit

familjaret e 21 janarit

ceremonia perkujtimore 21 janarit

familjaret e 21 janarit

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Dita e katërt në qeli për “Babalen”, por Ervin Salianji vijon poston në Facebook nga Burgu! Telefonat dhe rrjetet sociale janë të ndaluara, si i realizon?

Dita e katërt në qeli për “Babalen”, por Ervin Salianji vijon poston në Facebook nga Burgu! Telefonat dhe rrjetet sociale janë të ndaluara, si i realizon?