Rama:'Crown Agents' do na ndihmojë
të garantojmë rritjen 1 % të GDP

Rama:'Crown Agents' do na ndihmojë<br />të garantojmë rritjen 1 % të GDP
TIRANE-Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se agjencia Crown Agents, e pajtuar nga qeveria shqiptare për asistencë doganore do të ndihmojë për të garantuar këtë vit rritjen me 1 % të GDP-së së vendit vetëm nga doganat.

Në takimin që u mbajt sot në hotel Tirana ku u prezantohet plani strategjik për reformën doganore dhe agjencia Crown Agents, kryeministri Rama, theksoi se kjo agjenci u pajtua për të bërë një transforim rrënjësor të institucionit të doganave. Në deklaratën e saj, drejtoresha e doganave, Elisa Spiropali tha se, janë denoncuar në prokurori disa raste abuzimi, që duhet tu shkojë deri në fund.

"Qasja jonë ndaj doganës nuk ka të bëjë vetëm me shifrat e një 3-mujori apo zgjidhjen e disa problemeve, por ka të bëjë me transforimin rrënjësor të këtij institucioni, të punës me biznesin etj. Kjo është arsyeja që kemi kërkuar bashkëpunim me Crown Agents. Ne nga kjo asistencë presim kontributin e paçmuar që kjo kompani mund të japë është për punën në dogana dhe sjelljen e çdo doganieri në Shqipëri. Kjo kompani do të bëjë 450 kontrolle në muaj dhe do të na ndihmojnë për të garantuar këtë vit rritjen me 1 % të GDP-së së vendit vetëm nga doganat"- tha Rama.

Nga ana e saj përfaqësuesi i kësaj kompanie, David Smith sqaroi pozicionin e  “Crown Agents”, sipas të cilit kjo agjenci, do të ketë vetëm rol këshilltar dhe jo menaxher të të ardhurave.

Ndërkohë drejtoresha e Doganave i kërkoi prokurorisë të hetojë dhe të çojë deri në fund hetimet për denoncimet që ky institucion ka bërë. Gjatë këtij prezantimi, të pranishëm ishin edhe ministri i Financave, Shkëlqim Cani dhe ai i Zhvillimi Ekonomik, Arben Ahmetaj.

 RAMA: NE DURRES E HAN TE HOTIT NDAHET MESJETA ME MODERNEN
“Koha e re ka sjellë urgjencë për ta formatuar rolin e këtij institucioni. Koha e re që është vulosur me 1 milionë vota për mirëqeverisjen nuk pranon institucione të kohës së vjetër të keq qeverisjes, ku shërbimi puqej me kushte mesjetare si në Durrës dhe Han të Hotit që i pashë këto ditë, apo dhe në Morin, Kakavijë etj. Këto gjëra kanë zhvlerësuar shtetin dhe kanë zhvlerësuar të ardhmen e këtij vendi. Ato duken si vende që ndajnë mesjetën me modernen, ku mesjeta është këtej nga ne."- tha Rama.

RAMA: CROWN AGENTS DO NA NDIHMOJE TE GARANTOJE RRITJEN 1 % TË GDP
“Gjatë këtyre tre muajve të parë janë hedhur hapat në këtë rrugë dhe kanë dalë probleme akute, si fakte dhe shifra. Shifrat flasin për një përpjekje të lavdërueshme por për mua nuk janë asgjë se kaq. Qasja jonë ndaj doganës nuk ka të bëjë vetëm me shifrat e një 3-mujori apo zgjidhjen e disa problemeve, por ka të bëjë me transforimin rrënjësor të këtij institucioni, të punës me biznesin etj. Kjo është arsyeja që kemi kërkuar bashkëpunim me Croën Agents. Ne nga kjo asistencë presim kontributin e paçmuar që kjo kompani mund të japë është për punën në dogana dhe sjelljen e çdo doganieri në Shqipëri. Kjo kompani do të bëjë 450 kontrolle në muaj dhe do të na ndihmojnë për të garantuar kët  ë vit rritjen me 1 % të GDP-së së vendit vetëm nga doganat.”

RAMA: DOGANIERET TE JENE SHERBETORE TE QYTETAREVE
Gjatw fjalës së tij, kryeministri Edi Rama tha se, “rezultatet afatshkurtëra të pashoqëruara me reformimin nga themelet janë sporadike dhe të paqëndrueshme. Ne jemi të vendosur që të ndryshojmë me rezultate të qëndrueshme, në burime dhe në qëndrueshmërinë e ekonomisë së vendit. Në këtë sistem që gjeneron një profil krej të ri për doganat shqiptare do të ripërcaktohet me standarde europiane roli dhe profili i punonjësve të doganave”.

“Besoj se askujt nuk i mbetet hatri që të quhesh doganier në Shqipëri nuk është një titull që të nderon. Kjo fjalë në Shqipëri është baraz hajdut sot për sot. Dhe është këtu që ne duhet të synojmë ndryshimin që ta bëjmë fjalën doganier në fjalën shërbëtor të vendit dhe qytetarit. Çdo punonjës i kësaj administrate duhet të bëhet një kujdestar i biznesit në marrëdhënien me biznesin. Duhet të shënojë integritet dhe mbi të gjitha duhet të rezatojë qytetari, ose shqip njerëzillëk në komunikimin me biznesin dhe qytetarin. Kjo e fundit mund të ishte më e para për tu vënë në jetë por është më e vështira kur sistemi është i kalbur dhe kur kultura nga e shërbimit është ajo e rrëmbimit”, deklaroi Rama.
 
RAMA: KUSHTET TUAJA JANE TE KEQIJA, DO TI NDRYSHOJME
“Qeveria në bashkëpunim me doganat do të sigurojë transformimin e mjedisve duke nisur punën menjëherë që brenda 4 viteve të gjitha doganat të mos dallojnë nga ata në BE. Angazhimi i administratës doganore në trajnime të ndryshme. Përfshirjen në nisma sociale dhe së fundmi garantimin dhe komunikimin mes institucionit dhe biznesit. Roli ne doganieri dua të ilustroj me një shembull: Në 2010 në lojërat olimpike të Vankuverit kanë marrë pjesë 19 doganierë francezë dhe 4 prej tyre kanë marrë medalje”, theksoi kryeministri në fjalën e tij.

Sipas Ramës, “përfytyroni tani doganierin shqiptar duke bërë 100 metërshin apo të jetë në maratonë. Jemi të gjithë në një anije ku duhet të dalim të gjithë dhe të marrim rrugën me not që të dalim në bregun tjetër. Duhet të ndryshojmë kulturën e punës dhe të sjelljes të gjithë së bashku. Nuk ka dyshim që kushtet që u ofrohen kolegëve tuaj në rajon apo BE janë më të mira. Por kjo nuk përbën justifikim që të kemi ekipin doganor me peshëm më të lartë në botë. Sfida jonë është që termat ti përafrojmë çdo moment, çdo vit dhe ti barazojmë statusin e doganierit me statusin që ky shërbim ka me vende të BE”.
 
RAMA: CROWN AGENTS, SHERBIM ME CILESI TE LARTE
Gjatë fjalës së tij me administratën doganore, Rama tha se, “skuadra e Crown Agents, që prodhojnë me cilësinë më të lartë të shërbimit ndaj qytetarëve të bëjë që edhe dogana jonë ti përafrohet shërbimit sipas standardeve të BE. Kjo qeveri është garancia e parë që askujt nuk i kërkohet që të tolerojë askënd jashtë binarëve të ligjit, apo ti hidhet në qafë kërkujt për llogari të pushtetit të maliqit. Ky është një rol që ne e kemi marrë, që drejtoresha e ka marrë, që drejtimi i ri i doganave e ka marrë dhe duhet ta marrin të gjithë dhe për ata që nuk e marrin nuk ka vend në dogana”.

“Kooperimi mes doganës dhe Crown Agent është një gjë e paçmuar për të ndryshuar këtë shërbim. Roli i doganës shkon më tej, pasi është sjell atë klimë besimi pa të cilat nuk mund të kemi rritje investimi në Shqipëri apo optimizmit që i duhet biznesit për të ardhmen. Dogana është esenciale në mbrotjen e konsumatorit, luftës ndaj trafiqeve dhe krimit të oganizuar. Qarkullim i lirë dhe siguri për të gjithë, janë dy fjalë kyqe për doganën që e përkufizojnë vetë misionin e doganës, që tregojnë origjalitetin e doganës për zbatimin ligjit”, deklaroi kryeministri Edi Rama.

RAMA: SHENJAT E PARA JANE MJAFT TE MIRA, POR DUHET PUNE
“Edhe doganat e BE-së e kanë kaluar këtë komedinë tonë. Dogana në fund të fundit është mbrojtësja e parë e qëndrueshmërisë së një vendi. Shenjat e para duken mjaft pozitive por nuk duhet të gënjehemi se do të rriten vetë. Nëse arrimë të kemi çdo punonjës të saj si pjesë aktive e një skuadre për transformimin e doganës dhe që drejtorja e përgjithshme të mos harrojë të ndërrojë kostumet aktuale të doganierëve dhe ne do e mbështesim drejtorinë e doganave dhe që këtë vit doganierët të vishen me kostumet që meritojnë si për dimër edhe për verë. Të mos harrojë që nuk e ka ngarkuar njeri që të jetë në sulm ndaj biznesve por në sulm ndaj trafiqeve dhe të korrupsionit, por të jetë në mbrotje të doganave.

CROWN AGENTS: DO JEMI KESHILLTARE JO MENAXHUES
Crown Agents synon të rrisë të ardhurat në një kohë të shkurtër dhe këto të ardhurat të rrinë në këtë standard afatgjatë, do të zbulojë skemat e mashtrimit si dhe  do të reduktojë mundësinë që korrupsioni të ndodhë. “Çfarë do të bëjmë? Të rrisim të ardhurat në një kohë të shkurtër dhe që këto të ardhurat të rrinë në këtë standard afatgjatë. Dua të bëjë shumë të qartë që jemi si këshilltarë dhe jo si menaxherë, për të punuar me ju dhe qeverinë. Kemi një ekip me ekspertë ndërkombëtarë, nga Suedia, Finlanda, Anglia, Letonia.  Zbatimi i kontrolleve në dogana dhe zbulimi i mashtrimit. Agjentët tanë do të jenë me ju në terret për të parandaluar edhe mashtrimin. Do të rrisim nivelin e integritetit dhe do të reduktojmë mundësinë që korrupsioni të ndodhë”- tha David Smith

SPIROPALI: PROKURORIA T'I HETOJË DERI NË FUND DENONCIMET TONA
"Premë fijet e trafikut. Bëmë eficente strukturat e ligjit dhe ato të kontrolluese. Evidentuam shkelje të rënda të ligjit deri në shumën e 22 milionë dollarëve. Për të gjitha rastet e evidentuara nxisim prokurorinë që të hetojë dhe shpresojmë që do e çojnë deri në fund. Administrata doganore në muajt tetor-nëntor-dhjetor 2013 mblodhi 60 milionë dollarë më shumë krahasuar me atë të një viti të kaluar.”- tha Spiropali në fjalën e hapjes së këtij aktiviteti.

Të pranishëm në këtë aktivitet është kryeministri Edi Rama, Drejtoresha e Doganave Elisa Spiropali dhe ministri  i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj dhe ministri i Financave Shkëlqim Cani.

DO NDRYSHOHET KODIN DOGANOR, IMAZHIN E PIKËS DOGANORE DURRËS E HANI I HOTIT0
 Spiropali tha se do ndryshohet kodi doganor por dhe imazhi i pikës doganore të Hanit të Hotit dhe Durrësit, që janë kontakti i parë i të huajve  me Shqipërinë.
 
“Puna më e madhe mbetet për tu bërë. Dje dhe pardje vizituam bashkë me kryeministrit dy dogana, Durrësin dhe Hanin e Hotit. Ato dogana kanë kushte të papranueshme dhe ju punoni aty edhe me turne 24 orëshe dhe e dini që punoni në ambientet të padenja. Ndryshimi i këtyre pikave doganore është prioritet, i premtuar nga kryeministri Rama. Në qendër të punës tonë do të jetë lehtësimi i shkëmbimeve tregtare, heqja e korrupsionit, thjeshtim të procedurave doganore. Do të nisë puna për përmirësimin e ligjeve në bashkëpunim me biznesin. Do të ndryshojmë kodin doganor, sipas standardeve të BE. Dogana do të shndërrohet nga një hallkë që krijonte bllokim në një strukturë që lehtëson punën. “
 
Duke folur për Crown Agents, Spiropali shprehu kënaqësinë dhe gadishmërinë për të bashkëpunuar me këtë agjenci e cila do të sjellë një standard të ri të doganave shqiptare.

 AHMETAJ: BASHKËPUNIMI ME AGENTS MBYLL SHTIGJET E KONTRABANDËS
“Misioni juaj është përballja e parë me BE. Detyra e parë është lehtësimi i tregtisë, e dyta është mbledhja e të ardhurave dhe e treta është klima e biznesit. Për vite të shumta figura e doganierit në biznes nuk ka qenë shumë e mirë. E për këtë, qeveria e re ka përparësi rregullimin e klimës së biznesit. Duam të bëjmë një ndryshim shumë të madh me atë që ka qenë pasi biznesi duhet ta dijë që ne jemi ndryshme. 

Ne kemi edhe një detyrë tjetër që merr rëndësi në vitet që vijnë: Të jemi pasqyra e një klime të re me biznesin. Kryeminsitri ka thënë: Të mbledhni të ardhurat është përgjegjësi, por të trajtoni biznesin ashtu siç duhet është përgjegjësi. Bashkëpunimi me Crown Agent është një shenjë e drejtpërdrejtë për të mbyllur shtigjet e kontrabandës”- tha Ahmetaj.

CANI: DUHET TE LUFTOJME KORRUPSIONIN E EVAZIONIN
“Ne jemi karakterizuar për ngritje të institucioneve, por dy institucione nuk kanë ndryshuar: Doganat dhe Tatimet. Ne do të luftojmë korrupsionin, evazionin në dogana. Edhe nga mënyra se si jemi trajtuar tani, nga telefoni, ngjyra e partisë, korrupsioni, duhet të ndryshojë, që të ndryshojmë përgjegjësinë ndaj shtetit, me një ego profesionale jo për xhepin por për shtetin.  Gjatë këtyre 4 muajve ne kemi insistuar në këtë ndryshim. Ne arritëm që të ndryshojmë trendin. Të dhënat e 3 mujorit të fundit të 2013 janë shumë shpresdhënëse dhe më të mira se vitet e kaluara. Të gjithë në këto 4 muaj ka rezerva për të shmangur korrupsionin dhe mashtrimin dhe rastet e gjetura nga ju tregojnë qartë që ka vend për të punuar.  Sot i japim doganave një mbështetje profesionale Croën Agents. Në emër të ministrisë i premtojmë mbështetje të plotë dhe suksese.”

Redaksia online
(sg/ac/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Media britanike ‘Daily Mail’: Mirë se vini në Rivierën Shqiptare, destinacioni i ri i pushimeve me ujëra bruz dhe plazhe të pacenuara

Media britanike ‘Daily Mail’: Mirë se vini në Rivierën Shqiptare, destinacioni i ri i pushimeve me ujëra bruz dhe plazhe të pacenuara