Rama: Ballkani në trysninë e aktorëve
të tretë, duhet vëmendje nga NATO

Rama: Ballkani në trysninë e aktorëve<br />të tretë, duhet vëmendje nga NATO
Në datë 25 maj 2017, u zhvillua në Bruksel takimi i posaçëm i Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të NATO-s, ku Shqipëria u përfaqësua me një delegacion​ të kryesuar nga Kryeministri, Edi Rama, i shoqëruar nga Ministrat Bushati dhe Kodheli.
 
Boshtet kryesore të këtij Samiti të veçantë, organizuar në suazën e vizitës së parë të Presidentit amerikan Trump në NATO, ishin konfirmimi i lidhjes së fortë Trans-Atlantike; një ndarje e drejtë e përgjegjësive për rritjen e buxheteve të mbrojtjes brenda një dekade në 2% të PBB, si dhe lufta kundër terrorizimit dhe roli i NATO-s në këtë drejtim.
 
Në vijim të apelit të qartë të Presidentit Trump për “më shumë efikasitet në luftën kundër terrorizmit”, vendet aleate vendosën që NATO të anëtarësohet në Koalicionin anti-ISIL. 
 
Liderët ranë dakord gjithashtu që, për të përmbushur të gjitha sfidat me të cilat përballet sot siguria Euro-Atlantike, është e nevojshme një ndarje më e drejtë e barrës financiare të aleancës.
 
Në vijim të angazhimeve të marra në Samitin e Uellsit dhe të konfirmuara në Samitin e Varshavës, Shqipëria ka rritur buxhetin e mbrojtjes dhe investimet në rritjen e kapaciteteve.
 
Gjatë diskutimeve, Kryeministri Rama theksoi se përpos angazhimit për zbatimin e një plani progresiv për arritjen e objektivave buxhetorë, Samiti i Brukselit e gjen Shqipërinë me kontribute të dyfishuara në Kosovë (KFOR) si dhe në Misionin Resolute Support në Afganistan, me anije patrullimi në Operacionin e NATO-s në Egje në ndihmë të Greqisë dhe Turqisë për të luftuar trafikimin e emigrantëve, si dhe së shpejti, me kontingjentin tonë ushtarak që do të dislokohet në Letoni nën komandën Kanadeze.
 
Ndërkohë që rajoni i Ballkanit Perëndimor mbetet i një rëndësie strategjike për NATO-n dhe nën trysninë e aktorëve të tretë, “lipset që vëmendja e Aleancës të mbetet e lartë dhe angazhimi i saj konkret, në mbështetje të paqes dhe sigurisë si dhe avancimit të integrimit Euro-Atlantik të vendeve aspirante”, nënvizoi Kryeministri Rama. 
 
Diskutimet e aleatëve konfirmuan se NATO mbetet një komunitet i pashembullt i lirisë, paqes, sigurisë dhe vlerave të përbashkëta, duke përfshirë lirinë individuale, të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit dhe se sot Europa dhe Amerika e Veriut kanë nevojë për njëra-tjetrën më shumë që kurrë.
 
Gjatë samitit u inaugurua selia e re e Aleancës si dhe dy memorialë simbolikë: ai i Murit të Berlinit dhe memoriali i Sulmeve të 11 shtatorit 2001, kur për herë të parë u vu në zbatim edhe neni 5 i Traktatit të Uashingtonit.
 
Selia e re e NATO-s e cilësuar si “një godinë e shekullit 21 për një Aleancë të shekullit 21” është e projektuar për t'i ngjarë gishtërinjve të ndërlidhur, duke simbolizuar kështu unitetin dhe bashkëpunimin mes aleatëve.


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Ishte duke prerë dru bashkë me djalin, plagoset aksidentalisht 59-vjeçari

Ishte duke prerë dru bashkë me djalin, plagoset aksidentalisht 59-vjeçari