Rama - Bashës:Këta 5 ndërtues
i akuzon se pastrojnë para? Fol!

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur akuzave të kryetarit të PD, Lulzim Basha se qeveria po lejon ndërtimin e hoteleve me 5 yje dhe kullave në Tiranë, për pastrimin e parave të drogës, duke përmendur me emra biznesmenët e ndërtimit, një pjesë e mirë e të cilëve janë financues të PD-së. 

Samir Mane, Shefqet Kastrati, Bashkim Ulaj, Ramë Geci dhe Avni Ponari, janë ndërtuesit më të mëdhenj në vend të përmendur nga kryeministri, i cili pyeti Bashën nëse i akuzon edhe këta për pastrim parash. 

Mos më qesh, se nuk ka nevojë të më shkelësh syrin, Zamir Mane është pjesë e PPP. Ata kanë bërë kërkesa për t'i ndërtuar dhe do t'i ndërtojnë me patjetër, kurrë nuk i kam prerë rrugën unë një personi që do të investojë duke i treguar flamurin e partisë. Lulëzim të lutem, këtu flitet për politikë, ne debatojmë, sigurisht ti je aty, por mbi ty dhe mua është shqipëria dhe shqipëria janë njerëzit që punojnë qoftë si sipërmarrës edhe si punëtorë të thjeshtë dhe është skandaloze që një parti e djathtë, e iniciativës së lirë, pa rregulla strikte del këtu dhe të mbiu droga në gojë. Sikur jeni të tërë nën efektin e drogës, për mua i keni thënë të gjithë ska problem, por unë problemin e kam kur cenoni Shqipërinë, sepse ne në fund të fundit ne paguhemi nga taksat.

Fillimisht Rama solli në vëmendje kërkesën e ndërtuesit Avni Ponari i cili sipas tij ka kërkuar të ndërtojë një hotel me 5 yje në Valbonë. Sipas Ramës, Ponari është sponsor i PD, ndërsa ngriti pyetjen, duke iu referuar akuzave të Bashës, se paratë e kujt po investon ky ndërtues.

"Avni Ponari, ndërtues dhe sponsor i PD, kërkon të ndërtojë një hotel me 5 yje në Valbonë. Po pastron para? Të Kujt? Po investon para të tij legjitime. Kjo është kërkesa e parë. Dhe ndryshimi mes nesh dhe jush, mes meje dhe atij që foli përpara meje, është ky unë nuk i ndaj shqiptarët në të tanët dhe të tyrëve. Po e mbyll me Papën Lul, ai thotë "nuk rritesh dot nëse nuk e pranon vogëlsinë tënde". Në përpjekjen për t'u bërë një kopje e të madhit, që s'ka ardhur akoma dhe pozën për t'u bërë Luli i të varfërve, je një kopje e pagëlltitshme e "Lulit të vocërr"", tha Rama. 

Rama iu përgjigj Bashës edhe sa i takon akuzave për minierat e Bulqizës, pas reportazhit të gazetares italiane të emisionit "Le lene", Alice Martinelli. "Dhe meqë ma përmende Bulqizën pyete Samir Manen për investimin në miniera, pyete për ndryshimin rrënjësor për investimet, çfarë do të thotë ai", vijoi Rama. 

Basha: Tre propozime ka buxheti, të treja në shërbim të krimit dhe klientëve, detyrimi i çdo biznesi të vogël për të lëshuar faturë me TVSH, është një masë që nuk do sjellë asnjë përfitim buxhetor, përkundrazi do rrisë koston për biznesin e vogël. Është një politikë që do dëmtojë mirëqenien e njerëzve, prandaj është kundërshtuar nga FMN, BB, ekonomistët dhe ekspertët, sipërmarrësit e vegjël dhe vetë qytetarët. Olsi Rama ka dy vjet që kërkon të marrë me koncesion pagesën e TVSH, Rama për pak e bëri këtë koncesion, por ishte FMN, ndaj ka bërë dredhinë duke futur në skemën e TVSH 200 mijë biznese. Për pasurimin e tij dhe të klientëve të tij Rama po dënon me qindra e mijëra familje shqiptare. Mjerimi u takon fëmijëve të Bulqizës ndërsa për vëllain e kryeministrit përgatiten koncesione. Olsi Rama la Amerikën dhe erdhi sapo i vëllai u bë kryeministër. Masa e dytë e rëndësishme e buxhetit është heqja e tatimit mbi ndërtimin, fitimin dhe ulja e TVSH në 6% për të gjitha hotelet luksoze. Ky buxhet synon pastrimin e parave të drogës, duke privatizuar spitalet, shkollat, rrugët dhe çdo infrastrukturë që do t'i vijë në mendje Edi Ramës. 

Rama: "Unë nuk mundem veçse të buzëqesh, duke replikuar për sharjet, fyerjet dhe shpifjet që sapo më adresoi shumë i dashuri Lul. Meqë e nise me Papa Franceskun edhe unë po e vazhdoj me të, që thotë “Flisni vetëm për mëkate e skandale, sepse iu intereson zhurma që bënë një pemë që bie dhe jo pylli që rritet”. T’i hysh gjithë atyre që u  thanë është njëlloj si t’i hysh detit me këmbë. Jemi një vend që është më i bukuri, turistik në të gjithë kilometrat katror të tij, me dy dete, me erëra që fryn, me diellin që lind e perëndon më bukur se kudo dhe sot jemi i vetmi vend në Mesdhe që nuk kemi një hotel me pesë yje. Jo yje që kanë emrin e pronarit dhe një palasë nga pas. Ne do ndërtojmë hotele me pesë yje në Shqipëri dhe për këtë nuk kemi bërë asnjë shpikje, por kemi adoptuar legjislacion të ngjashëm me atë të vendeve si Mali i Zi, Kroacia, Sllovenia, etj. Po marr Malin e Zi që në këtë aspekt na ka lënë targën e nuk ia shohim më. Si do u bëka ky pastrim i madh parash, kur paketa është shumë e qartë. Kemi kërkesën e parë, quhet Avi Ponari, votues dhe sponsor i PD, kërkon të ndërtojë hotel me pesë yje në Valbonë. Po investon të ardhurat e tij legjitime. Ndryshimi i madh mes meje dhe Bashës është ky, unë nuk i ndaj shqiptarët në tanët dhe të atyre dhe kurrë nuk i fusë njerëzit në një thes. Po e mbyll me Papa Franceskun “Nuk rritesh dot nëse nuk e pranon vogëlsinë tënde”. Problemi yt është se në përpjekjen për tu bërë një kopje e të madhit, që s’na ka ardhur ende, je një kopje e pagëlltitshme e Lulit e vockël".

Basha: "Vjen këtu e dërdëllit me batuta, për njerëz që ti vetë i etiketon si votues e financues të kësaj e asaj partie. Unë nuk i ndaj njerëzit në demokratë e socialistë, por në njerëz të lidhur me krimin dhe të ndershëm. Në demokratë e socialistë të ndershëm dhe një grusht horrash, kryesisht në partinë tënde, që i ke mbledhur ti shndërrimin e këtij vendi në lavatrice të krimit. Jemi vend kryesor për pastrimin e parave të drogës. Ti nuk e pe drogën asnjë ditë, katër vite me radhë, as gomonet, as radarët e fikur, as avionët, as ministrin. U bëre gazi i botës dhe një mëngjes u cove e the ‘e mposhtëm drogën’, duke u bërë qesharak. Po gabohesh nëse mendon se jam këtu për t’u marrë me ty. Nuk më intereson dhe s’më ka interesuar kurrë personi yt. Është detyra ime të paralajmëron ndonjë njeri që ka mbetur këtu i ndërgjegjshëm të mos e ngrejë kartonin për të varfëri të shqiptarëve. Ka hotele me pesë yje, ti dhe ministrat e tu i njihni shumë mirë. Do t’i vëmë kufirin te thana krimit e drogës".

Rama: "Në letrën e tij Presidenti thotë “Ne duam drejtësi, jo gjueti shtrigash në Shqipëri”. Këtë të fundit nuk do ta shpjegojmë sot se është dita e tolerancës. Papën e solle ti Lul, dhe unë duke qenë se e njoh veprën e tij më mirë se ti, ta solla këtu. Pranoje vogëlsinë tënde Lul, para se të rritesh. Je fallso, prano vogëlsinë Lul". 

Rama: Eja këtu dhe më thuaj Lulzim, Samir Mane është pjesë e skemës së pastrimit të parave, më thuaj këtu, Shefqet Kastrati është te kjo lista jote, Bashkim Ulaj është, po Ramë Geci? Se unë këta njoh si biznesmenë që kanë kërkuar të ndërtojnë kulla dhe që janë njerëz që e kanë vënë pasurinë ndërkohë që ti ishe ende në Hollandë, Lulizim. Të mbiu goja në drogë, sikur jeni nën efektin e drogës kur flisni, nuk kam asnjë problem unë, por ju cenoni direkt këtë vend, duke cenuar njerëzit e këtoj vendi para të cilëve ti dhe unë duhet të rrimë me respekt. Boll më erdhe këtu, se ti Lulit të vocërr as te këpuca e shqyer nuk i afrohesh dot”

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen