TIRANE- Kryeministri Edi Rama, e vlerëson takimin në Prizren gurthemel që shumë shpejt me angazhimin e dy qeverive do ta bëjë Shqipërinë e Kosovën hapësirë të integruar shqiptare në ekonomi, jetë sociale, kulturore etj. Kështu deklaroi në emisionin “Zona B” të “Klan Kosovës”. “Bashkimi ka ndodhur e na takon neve ta materializojmë me strategji të përbashkët kombëtare. Ky është një moment ku hapet një faqe e re në marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri”, tha Rama. Ai konsideron se vite më parë ky takim do të ishte i pamundur. “Ka pasur shumë rrugë për të bërë, shumë dhimbje, dhe shumë zhgënjime, dhe sot është dita për të thënë se jemi përpara një rruge të re”, tha Rama. Ai vlerëson se do ketë njerëz që do t’i akuzojnë pse s’po e heqin kufirin, ta bëjnë Shqipërinë edhe Kosovën një republikë.

“Por të dyja këto qasje janë larg qasjes sonë, që është realiste e strategjike me një frymëmarrje afatgjate dhe jo me një frymëmarrje të shkurtër për konsumin e frikës apo të pasionit nacionalist të momentit”, ka thënë Rama.
“Mbledhja e ardhshme në Vlorë ku do të jetë vazhdim i kësaj pune të dy qeverive si një qeveri” tha Rama. Duke nënvizuar se ky është synim për një hapësirë strategjike që e konsiderojnë të përbashkët ku ka dy shtete dhe një komb.

“Kemi marrë një vendim për linjën 110 kV për zhbllokimin e punës për interkonjeksionin, që ishte katastrofë e dëmshme, s’dua ta them antikombëtare, sepse s’dua të besoj që ishte e tillë”, ka shtuar Rama. Sa i përket problemit të sigurisë energjetike, sipas tij, vetë tregu është kompleks. Sa i përket vizitës së tij të mundshme në Beograd, Rama tha: “Do të shkoj në Beograd me dorën e shtrirë të bashkëpunimit mbi rrugën e shtruar të paqes.


Shkrimi u publikua sot (14.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)