"Patëm në këtë Europian të parë, një skuadër të vërtetë e një publik të mrekullueshëm që e bëri Francën të ndryshojë në pak ditë perceptimin shumë vjeçar jo aq pozitiv për shqiptarët. I dhuruam mijëra imazhe të bukura Europianit, që bënë xhiron e botë. Ndërsa qershia mi tortën e festës, vajza që mori vëmendjen e Euro dhe rrjeti social, ishte një tifozë e kuqezinjve", u shpreh Rama, duke iu referuar fanses shqiptare në stadiumin "Vellodrome" të Marseille, Rike Roçi.
Rama tha se kombëtarja u eliminua vetëm nga kompeticoni vetëm nga golavarazhi i cili nuk ishte në favor të ekipit të De Biasit. Ai theksoi se kthimi nga Europiani nuk përbën zhgënjim, pasi kuqezinjtë e realizuan misionin e tyre.
"Asnjë pishman pse u kthyet sot me një gol diferencë, por vetëm krenari që gëzuat e bëtë të ndjehet kaq krenar shtetin tonë, kombin tonë. Të barabartë mes të barabartësh në çdo ndeshje. Tani po, mund të them se e kam skuadrën time, tha Gianni, për të përballuar grupin e vështirë të Botërorit. Xhani o xhan, faleminderit o mik i shtrenjtë. Je një "axurr" në fushë, dhe një kuqezi në zemër kur gjen forcë edhe atëherë kur duket se është konsumuar pika e fundit e gjakut. Nuk do jetë dot mjaft ajo që keni dhënë ju për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku rrojmë, shkon shumë përjetë futbollit, Asnjëri prej jush nuk është dhe nuk do jetë për shumë kohë i qetë, nga ato që morët dhe që Shqipërua mori nga verdikti i fushës. Filmi i ndeshjeve dhe kthimi i ndeshjeve kthehet, tek goli i marrë me Zvicrën, tek fundi i pamëshirshëm i ndeshjes me Francës dhe tek ai dreq goli i dytë që rezultoi i rëndë sa një mal".
Gjatë fjalës së kryeministrit nuk munguan as batutat në lidhje me premion e dhënë futbollistëve të kuqezi. “Që të jem i sinqertë deri në fund, shyqyr që nuk e parashikuam dot që sa të mëdhenj do ishit, se kushedi sa do ishte premua që do na kishit marrë pa ikur në Francë".
Rama nuk kurseu as batutat kur u ndal tek Etrit Berisha për ta falenderuar për emocionet që na tha.
“Falenderoj të gjithë, nga Berisha im më i dashur, e deri tek autori i golit, Sadiku”, tha ai.
Kreu i qeverisë nuk la pa përmendur edhe ndeshjen me Serbinë, ndërsa pohoi se nuk ka për ta harruar kurrë fjalimin e trajnerit të kombëtares në dhomat e zhveshjes në Beograd.
"Ndihem keq sa herë e mendoj ndeshjen me Serbinë. Ishte fjalimi i Gianit, brenda dhomave të zhveshjesh do ta kishte zili të gjithë. S’kam për ta harruar kurrë. Ishte ai fjalim që i hapi duart e Europianit”, theksoi Rama.
Një dedikim të veçantë kryeministri i adresoi kapitenit të kombëtares, Lorik Cana, të cilin e falenderoi publikisht për gjithçka ka dhënë për fanellën kuqezi. “Faleminderit Lorik, kapiteni legjendat. E di vëllai im se sa keq e përjetove atë karton të kuq. Por, besomë, pamja jote e përkushtuar totalisht ndaj skuadrës në stolin rezervë, dukej se e kishe ndeshjen e parë tënden, Si në ditë të këqija dhe të mira je kapiteni. Gjithmonë krenar për ty Lorik. Faleminderit të gjithë ju vëllezër kuq e zi, nga Berisha im i dashur, e deri tek i fundit. Edhe deri tek babai në pritje, që preferoi të ishte pranë nënës së tij, Elseid Hysaj. Kjo është historia jote e suksesit Duka”, tha Rama.
Kreu i qeverisë theksoi gjithashtu se qeveria do të vijojë investimet në sport, ndërsa me ndërtimin e "Arenës Kombëtare", Shqipëria do të ketë një nga stadiumet më të bukura në botë. Në hyrje të stadiumit të ri, tha Rama, do të vendoset një pllakatë ku do të jenë të skalitura të gjithë emrat e lojtarëve të kombëtares që morën pjesë në Europianin e Francës. "Ne e kemi nisur ndërtimin e ‘Arena Kombëtare’ dhe ju premtoj se do ta keni këtu një stadium ndër më të bukurit në Europë. Edhe unë si Gianni jam i bindur se me siguri do të na dhurojë emocione. Në hyrje të Arenës Kombëtare do të vendoset një pllakë me të gjithë emrat tuaj, ku do të shkruhet: "Kjo Arenë i dedikohet kombëtares kuqezi në "Euro 2016"". Do investojmë për sportin në shkollë. Ndërtuam në kohë rekord për eliminatoret "Arenën e Elbasanit". Kur vjen fala posaçërisht tek futbolli, do të thotë të investosh për fuqizimin shpirtëror dhe ekonomik", deklaroi kryeministri Rama.
Fotogaleria - Rama pret Kombëtaren në Kryeministri
Fjala e Kryeministrit Rama në ceremoninëe pritjes së Ekipit Kombëtar të Futbollit në COD
De Biasi: Dua të qëndroj, për të vazhduar rrugën e mrekullisë
Nga ana tjetër, trajneri Gianni De Biasi, falenderoi kryeministrin për mbështetjen, ndërsa shprehu dëshirën e tij për të vijuar detyrën si trajner i Shqipërisë. "Unë kam ndërmend të rri akoma këtu për të vazhduar rrugën e mrekullisë", u shpreh De Biasi, ndërsa shtoi se tashmë ai njeh më mirë himnin shqiptar sesa atë italian. "Unë gati njoh më mirë himnin shqiptar sesa atë italian", tha De Biasi. Duke iu referuar sloganit të qeverisë "Rilindje", trajneri italo-shqiptar tha se gjithçka ka bërë kombëtarja në këtë Europian ka qenë një "Rilindje e Vërtetë". "I detyrohemi për këtë brezave të rinj. Gjithçka kemi bërë në Francë, kemi mundësi për të ndërtuar një Rilindje të vërtetë. Me këta djem, unë kam parë një kombëtare të të gjithëve, nga Kosova, Presheva, Mali i Zi, Maqedoni, për të ndërtuar këtë Rilindje", tha ai.
Pas këtij kampionati, tha De Biasi, e gjithë bota sportive, ka filluar të na marrë më shumë në konsideratë. "Ajo çka është më shumë e rëndësishme është rëndësia që kanë këta djem që kanë kaluar nga koncepti i individit tek forca e grupit. Duke krahasuar paraardhësit e mi unë jam mirënjohës. I jam kthyer shpesh shembullit të Skënderbeut, dhe kur ai përdor atë shembullin e fuqisë, grupit, si ata shkopinjtë e mbledhur ku dikush nuk mund t'i thyejë, kjo është forca e skuadrës tonë që na çoi në Kampionatin Europian. Unë jam i bindur që ata i fituan të treta lojërat që zhvilluan", theksoi De Biasi.
Para takimit me Kryeministrin Rama, lojtarët e kombëtares aplikuan në Ministrinë e Jashtme për tu pajisur me pasaporta diplomatike, një premtim ky i kreut të qeverisë pas fitores së Shqipërisë ndaj Rumanisë në ndeshjen e tretë dhe të fundit të kombëtares tonë në "Euro 2016".
Më herët, Kombëtarja mori "Çelësin e Qytetit" nga Bashkia e Tiranës, çmim i cili u dorëzua nga kryebashkiaku, Erion Veliaj, "Çelësi i Tiranës". Në një ceremoni të organizuar jashtë Bashkisë, Veliaj i dorëzoi kapitenit çmimin simbolik, ndërsa u shpreh se kombëtarja theu një mentalitet. Sipas tij, shqiptarët kur janë të bashkuar, mund të fitojnë çdo betejë. "Ju mundët një mentalitet që ne s'ia dalim, por ne kur jemi bashkë jemi të pamposhtur, mund t'ia dalim dhe mund të fitojmë çdo betejë. Secili prej jush është dëshmi e faktit se nuk vjen nga familje e njohur, secili ia ka dalë me punë", u shpreh Veliaj.
Avioni i Kombëtares mbërriti në pistën e aeroportit "Nënë Tereza" në orën 15:40 minuta, pas gati 3 orë udhëtimi nga Franca. Moment emocionues ishte ai i zbritjes së lojtarëve nga shkallët e avionit, të cilët kthehen me kokën lart nga Kampionati Europian.
Lojtarët u pritën në aeroport nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Lindita Nikolla.
Ekipi udhëtoi në drejtim të Tiranës me një autobus të hapur për të përshëndetur të gjithë tifozët në dy anët e rrugës.
18:50 Lojtarët i drejtohen "Tirana Fan Zone"
Pas pritjes së organizuar në Kryeministri, ekipi kombëtar iu drejtua "Tirana Fan Zone" ku po zhvillohet një koncert festiv.
Foto të tjera nga festimet në Fan Zone
Ora 18:00 Kombëtarja pritet me ovacione në Kryeministri, Rama takon lojtarët
Ekipi kombëtar është pritur me entuziazëm nga qindra tifozë kuqezinj përpara Kryeministrisë. Pas aplikimit në Ministrinë e Jashtme për pasaporta diplomatike, lojtarët tiu drejtuan selisë së Qeverisë, ku u pritën nga kryeministri Edi Rama.
Ora 16:55 Lojtarët mbërrijnë në Ministrinë e Jashtme- aplikojnë për pasaporta diplomatike
Ekipi u prit nga ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati. Gjatë fjalës së shkurtër, Bushati tha se tashmë lojtarët e ekipit kombëtar, janë ambasadorët e Shqipërisë në botë.
"Shqipëria ka shumë diplomatë, por ju jeni shkëlqesitë e vërtetë për vetë forcën që keni demonstruar në mbarë Europën", tha Bushati, duke ftuar lojtarët që të aplikojnë për pasaportat diplomatike. "Ju ftoj të nënshkruani për pasaportën diplomatike, për të vijuar më pas edhe me procesin burokratik i cili do të kryhet brenda një kohe rekord", tha Bushati.
Duke vlerësuar arritjen e kombëtares në Europianin e Francës, Bushati tha se "arritët të ngrini Shqipërinë në një prej piedestaleve të futbollit botëror". "Ky është mesazhi më i mirë për të treguar si kemi të gjitha mundësitë për të përparuar si komb. Rrugëtimi juaj drejt Francës ka qenë edhe rrugëtimi i shqiptarëve. Ju bëtë atë që politika e ka tabu, përfaqësimin e denjë të të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen, duke u shndërruar në kombëtaren e shqiptarëve. Ju keni dëshmuar se jeni ambasadorët tanë në botë. Kontributi juaj në përcjelljen e vlerave dhe shpirtit të vërtetë të shqiptarëve është i paçmuar", deklaroi Bushati.
Ora 16: 20 Kombëtarja mbërrin në Bashkinë e Tiranës - Veliaj i jep "Çelësin e Qytetit"
(Kryebashkiaku Veliaj i jep ekipit "Çelësin e Qytetit")
Ora 16:10 Autobusi me lojtarët e kombëtares niset drejt Tiranës
Autobusi me lojtarët e ekipit kombëtar është nisur nga aeroporti "Nënë Tereza" në drejtim të Tiranës. Lojtarët po udhëtojnë me një autobus të hapur, për të përshëndetur tifozët e ekipit të cilët kanë dalë përgjatë rrugës për të pritur ekipin kombëtar.
Ora 15:40 Avioni i kombëtares mbërrin në aeroportin "Nënë Tereza"
Avioni me lojtarët e kombëtares ka mbërritur në aeroportin "Nënë Tereza". Lojtarët u pritën nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit dhe Sporteve Lindita Nikolla.