Nga foltorja e Kuvendit, Rama tha se Berisha ka vajtuar kur vdiq bashkëshorti i saj, Hysni Kapo, ish Sekretar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës. “Pjesa më e bukur është tjera, u kujtove një vit me vonesë për të na akuzuar ne. Vjet nxori Fahriu pa lejen tënde medaljen për Viton, por për Viton nuk flet ti, se Vitos nuk i është tharë akoma fustani nga lotët e tu kur vdiq Hysniu. I thoje ç'na gjeti, na vdiq babushi i madh i partisë. Vito nuk dinte ç'të bënte, të qante për burrin a të pushonte lotët e tua”, u shpreh Rama.
Sipas tij, e shkuara e turbullon ish kryeministrin. “Historinë për fat të mirë as ti as unë nuk e shkruajmë dot. Ti nuk ke të shkuar se e shkuara të turbullon, por shqiptarët duhet të dëgjojnë se të njëjtën këngë me vrasje, e çdo lloj produkti të skutave më të errëta, ja servir shqiptarëve”, tha ai.
Nga ana e tij, ish kryeministri Sali Berisha i ka kujtuar Edi Ramës se ligji për veteranët është amenduar në vitin 2013 ndaj dhe Kryeministri duhet që të kërkojë falje publike. Sipas Berishës, në nenin 6 të këtij ligji thuhet “Statusin e veteranit nuk e gëzojnë personat që janë dënuar ose dënohen me vendim gjykate me krime kundër lirisë dhe pavarësisë dhe kriminelët e regjimit të luftës së klasave të regjimit totalitarë”. “Përcaktimin nuk e gëzojnë kriminelët, ti e amendove ligjin.
Duhet të kërkosh falje publike që amendove këtë ligj. Anulo dekoratat, rikthe në fuqi lustracionin, amendoje ligjin”, tha ai. Përballë sulmeve të deputetit demokrat por edhe të përfaqësuesve të tjerë të së djathtës në Kuvend, shefi i mazhorancës tha se qeveria ka marrë vendim për të tërhequr të gjitha medaljet që janë dhënë për 70-vjetorin e Çlirimit nga Ministria e Mbrojtjes. “Do tërhiqem të gjitha medaljet që u dhanë me dekretin e Saliut, por edhe s’do lejohet më që të tjerë pas nesh të bien pre e të njëjtit qorrsokak”, deklaroi Rama.
Rama sqaron deklaratën: Tokat i morën njerëzit e Berishës
Kryeministri Edi Rama ka sqaruar dje për herë të parë deklaratën që bëri nga Saranda, e cila u shndërrua me shpejtësi në selinë e Partisë Demokratike si përçarje e shqiptarëve në veriorë dhe jugorë. Nga foltorja e Kuvendit Rama sqaroi se kanë qenë njerëz të afërt me ish kryeministrin Berisha ata që kanë bërë grabitjen e tokave në bregdet nëpërmjet falsifikimeve.
“Nuk ka në jug asnjë okupator tjetër që të ketë marrë tokat e familjeve atje përveç atyre që ti i di shumë mirë që janë një grusht i vogël njerëzish që kanë përvetësuar mijëra e mijëra hektarë jo për të ndërtuar shtëpi, siç bënë ata që erdhën nga veriu, por për tu pasuruar. Janë 50 mijë hektarë të cilat sot janë verifikuar që janë marrë me falsifikime nga pronarë inekzistent. Ky ja ka dhënë ato prona, por ato do t'i kthehen shtetit dhe pronarëve atje”, tha Rama.
Shefi i mazhorancës vijoi më tej duke thënë se është pikërisht ish-kryeministri Berisha i cili ka nxituar ndër vite përçarjen e shqiptarëve në varësi të origjinës së tyre. Sipas Ramës, Berisha me të gjithë rivalët ka tentuar të krijojë ndasinë veri-jug, ndaj sipas tij është Berisha ai që duhet të kërkojë falje. Menjëherë pas fjalës së Kryeministrit, Berisha i është kundërpërgjigjur për deklaratën nga Saranda, duke e konsideruar gënjeshtar.
“Gjatë qeverisjes sime dhe të Partisë Demokratike - vijoi ai - u bë gjithçka për të zhdukur diskriminimin krahinor, të instaluar në gjysmë shekulli në vend. Ndërkohë që vetëm në Sarandë, sipas Berishës, në kohën e qeverisjes së tij janë bërë miliona
euro investime”.
Paloka: Të tërhiqen dekoratat, Kodheli: Jeni i vonuar
Nga salla e Kuvendit demokratët kërkuan ngritjen e një grupi të përbashkët deputetësh për të hartuar dhe miratuar brenda kësaj seance një rezolutë përmes të cilës të hiqen të gjitha dekoratat që i dhanë dhënë personave që sipas tyre, kanë bërë genocid dhe kanë ndyer duart me gjakun e qytetarëve të pafajshëm.
“Ti hiqen dekoratat atyre që dihet se kanë ngjyer duart e tyre në gjakun e qytetarëve të pafajshëm. Që tani të ngrihet një grup të përgatisë këtë rezolutë dhe rezoluta të miratohet sot”, u shpreh nënkryetari demokrat. Nga ana e saj, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli u përgjigj se demokratët janë të vonuar në kërkesën e tyre.
Sipas saj, qeveria ka filluar punën për të dalë nga ky qorrsokak. “Ne e kemi filluar punën për të dalë nga ky qorrsokak ku na keni futur. Jo vetëm për tërheqjen e atyre medaljeve të dhënë padrejtësisht për shkak të vendimeve të marra 20 vjet ë parë por do ta vazhdojmë këtë gjë se nuk mund të kemi mbi kurriz një faj të një natyre që nuk na takon. këtë e bëjmë edhe përmes ndjesës. Ndjesë që duhet ta kishin kërkuar vite më parë”, tha ajo.
Debatet mes mazhorancës dhe opozitës
Rama: Berisha i dha pension Nexhmijes dhe Aranit Çelës
Jozefina Topalli: Z.Meta, ju si kryetar Kuvendi, ministrat dhe deputetët t’i kërkojnë kryeministrit t’i heqë dekoratat kriminelëve më të mëdhenj të Shqipërisë. S’mund të hiqemi këtu sikur s’ka ndodhur asgjë. Kërkoj që edhe ju t’i kërkoni kryeministrit heqjen e dekoratave.
Sali Berisha: Propozoj të miratojmë një rezolutë që t’i imponojmë ekzekutivit tërheqjen e dekoratave për gjakësorët, xhelatët e regjimit komunist. Të ngrihet një grup pune që të imponojë heqjen e menjëhershme të këtyre dekoratave.
Mimi Kodheli: Kemi çuar në Kryeministri propozimin për ndryshimin e VKM-së së vitit 1994 për Statusin e Veteranit.
Sali Berisha: Rama të vijë këtu, të mos fshihet pas kësaj.
Ilir Meta: Hartojeni rezolutën në bashkëpunim me grupet e tjera parlamentare dhe silleni seancën e ardhshme.
Mimi Kodheli: Qeveria e ka nisur punën e saj për të tërhequr këtë dekoratë. Qeveria ra pre e një liste veteranësh të dekretuar nga Sali Berisha si president në vitet '94-95 ku edhe Shyqyri Çoku ishte radhitur si veteranë i kategorisë A.
Edi Paloka: Ti hiqen dekoratat atyre që dihet se kanë ngjyer duart e tyre në gjakun e qytetarëve të pafajshëm. Që tani të ngrihet një grup të përgatisë këtë rezolutë dhe rezoluta të miratohet sot, pavarësisht se ju do përmendini rregullore.
Mimi Kodheli: Jeni kujtuar vonë, kanë kaluar 25 vjet për të bërë këtë propozim i cili vjen si shkak i një ligji VKM, komisioni të ngritur mbi këtë ligj dhe VKM lidhur me këtë listë famëkeqe të veteranëve të kategorisë A. Ne e kemi filluar punën për të dalë nga ky qorrsokak ku na keni futur.
Sali Berisha: Të vijë këtë xhelati (kryeministri Rama) dhe të mos fshihet prapa të tjerëve se nuk dua të them fjalën. Të vijë këtu?
Edi Rama hyn në seancë. Ndërhyrje nga salla: Erdhi, erdhi...
Sali Berisha: A erdhi? Të qëndrojë këtu të mos fshihet prapa Mimit por të dalë vet. Të vijë këtu njeriu që çoi në Gjykatën Kushtetuese ligjin që ne bëmë në vitin 2008 për përjashtimin në funksionet publike të xhelatëve.
Sadri Abazi: Komunistët i ke mbrojtur ti, se je dhe vetë.
Berisha, Abazit: Mos i jep shumë gojës ti. T’i rendis dhe krimet e tua këtu unë. Se ti je këtu për pasuritë e krimit.
Sali Berisha: Edi Rama ta dijë mirë se flakët e bunkerit janë flakë për ty. Janë flakë urrejtje për ty.
Edi Rama: Ky është një debat përtej medaljeve. Është një debat prej 25 vitesh. Kërkova ndjesë për një faj që nuk e bëmë ne. Ndjesën duhet ta kishte kërkuar çdo vit për 25 vjet me radhë, falsifikatori më i madh i historisë së Shqipërisë. Persekutorin e Patër Zef Pllumit e futi në listë Sali Berisha në vitin 1995. Edhe Aranit Çelën edhe Nexhmije Hoxhën, të cilët kanë përfituar pension nga Sali Berisha.
Sali Berisha: Ligji i vitit 1994 thotë: nr. 7874, datë 17. 11. 1994, ky ligj për statusin e veteranëve, në nenin 6 të këtij ligji thuhet, “statusin e veteranit nuk e gëzojnë personat që janë dënuar
ose dënohen me vendim të Gjykatës për krime kundër lirisë dhe
pavarësisë së Atdheut dhe kriminelë në luftën genocide të klasave
në regjimin totalitar”.
Edi Rama: Nuk ka në jug asnjë okupator tjetër që të ketë marrë tokat e familjeve atje përveç atyre që ti i di shumë mirë që janë një grusht i vogël njerëzish që kanë përvetësuar mijëra e mijëra hektarë jo për të ndërtuar shtëpi, siç bënë ata që erdhën nga veriu, por për tu pasuruar.
Sali Berisha: Kjo është e vërtetë aq saç ishte e vërtete heqja e TVSH për ushqimet, shëndetësinë falas, kurse në 50 mijë hektarë është 50 mijë herë gënjeshtar dhe nuk është i aftë të thotë se një familje e vetme ka marrë një metër katror tokë në mbarë Shqipërinë.
Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)