TIRANE - Kryetari i Partisë Socialiste deklaron se Berisha nuk ka ndërtuar 10.400 km rrugë siç pretendon gjatë 2 mandateve të tij qeverisës, por gati 90 % më pak. Rama thotë se me ekip ekspertësh ka bërë përllogaritjet dhe e vërteta rezulton ndryshe nga ç’thotë Berisha. Rezulton se ka ndërtuar dhe rikonstruktuar 1515 km rrugë.

“Ndoshta kjo do të regjistrohet si një prej gënjeshtrave më monumentale të një kryeministri shqiptar: “Kemi ndërtuar 10.400 km rrugë të të gjitha llojeve”.shkruan në blogun e tij kryesocialisti.

“Qeveria dhe Kryeministri, le të publikojnë tabelën e tyre të rrugëve të shtruara segment për segment dhe financim për financim e le të provojnë shifrën e tyre! Por fatkeqësisht ky shtet ka marrë fund deri në pikën ku s’ka as inventar rrugësh dhe kjo qeveri nuk e nxjerr dot as një tabelë kaq të rëndomte për një shtet normal”.

Kreu i PS-së shton se përveç shifrës së Kryeministrit asnjë ministri nuk ka publikuar inventare në lidhje me rrugët e shtruara.

“Ne dhe gjithë shqiptarët, mbetemi në pritje që qeveria të publikojë tabelat e rrugëve që janë ndërtuar në këta 8 vjet dhe të provojë se nuk gënjen dhjetëfish kur pretendon se ka shtruar aq rrugë sa distanca Tiranë – Tokio e matanë në oqean”, - shton Rama.

(ad.ti/shqiptarja.com)