Nuk ka në jug asnjë okupator tjetër që të ketë marrë tokat e familjeve atje përveç atyre që ti i di shumë mirë që janë një grusht i vogël njerëzish që kanë përvetësuar mijëra e mijëra hektarë jo për të ndërtuar shtëpi, siç bënë ata që erdhën nga veriu, por për tu pasuruar. Janë 50 mijë hektarë të cilat sot janë verifikuar që janë marrë me falsifikime nga pronarë inekzistent. Ky ja ka dhënë ato prona, por ato do t'i kthehen shtetit dhe pronarëve atje.
Shefi i mazhorancës vijoi më tej duke thënë se është pikërisht ish-kryeministri Berisha i cili ka nxitur ndër vite përçarjen e shqiptarëve në varësi të origjinës së tyre. Sipas Ramës, Berisha me të gjithë rivalët ka tentuar të krijojë ndasinë veri-jug, ndaj sipas tij është Berisha ai që duhet të kërkojë falje.
"Përçarjen me njerëzit në veri je munduar ta nxisësh historikisht me të gjithë kryeministrat. Nëse ka një kryeministër që duhet të shkojë t'i kërkojë ndjesë atyre në Bathore dhe atyre që ndërtuan pa leje ai je ti. Sa për revoltën popullore, ti që më bën thirrje të lexoj flakët e bunkerit duhet të gjesh aftësinë të lexosh rezultatin e zgjedhjeve, bëhu gati të lexosh edhe 2017-ën. Monument kulture nuk të bëjmë dot, ti je monument i antishtetit që duhet të rrish këtu t'i kujtosh shqiptarëve se nga çfarë kanë shpëtuar", tha Rama.
Që në momentin që mori fjalën, Rama citoi fjalimit e Berishës në opozitë që nga 1999-a, kur në kuvend votohej buxheti.
“Prej 25 vjetësh kënga nuk ndryshon, por vetëm personazhi. Më pas dilet në konferencë me personazhin dhe u thuhet kjo ishte loja. Nuk është faji im që shqiptarët e marrin shumë seriozisht politikën. Në fakt, politika është lojë njësoj si ajo e Bunkerit, ajo e Sudes ajo e piramidave financiare dhe ajo universitare. Njësoj si loja e borxheve të fshehura, si ajo e kamatave të energjisë që nuk u falën kurrë”, tha ai.
Kryeministri deklaroi se e njëjta lojë vazhdon edhe ndaj ministrave të përfolur për korrupsion. “E njëjta lojë vazhdon prapë, kënga po ajo, edhe me Saimir Tahirin, Ilir Beqen dhe Damian Gjiknurin dhe me këdo që përpiqet të bëjë një projekt. I njëjti kod i Partisë së Punës në Partinë Demokratike”, tha Rama.
Berisha: Asnjë verior nuk ka marrë toka në bregdet
Menjëherë pas fjalës së Kryeministrit, Sali Berisha i është kundërpërgjigjur për deklaratën nga Saranda, duke e konsideruar gënjeshtar.
“Edhe njëherë,e dëgjuat Nastradinin, njeriun që realitet të vetëm krijon e njeh dhe pranon atë që krijon në mendjen e tij. Sipas tij, alpinët paskan okupuar e pushtuar 50 mijë hektar tokë në bregun e Shqipërisë dhe se këtë e paskan bërë nga Sali berisha. Kjo është e vërtetë aq saç ishte e vërtete heqja e TVSH për ushqimet, shëndetësinë falas, kurse në 50 mijë hekatrë është 50 mijë herë gënjeshtar dhe nuk është i aftë të thotë se një familje e vetme ka marë një metër katror tokë në mbarë Shqipërinë” tha Berisha.
"Gjatë qeverisjes sime dhe të Partisë Demokratike - vijoi ai - u bë gjithçka për të zhdukur diskriminimin krahinor, të instaluar në gjysëm shekulli në vend.
Ndërkohë që vetëm në Sarandë, sipas Berishës, në kohën e qeverisjes së tij janë bërë mijëra euro investime.
“Vetëm në Sarandë, ku nastradini deklaron se në Llogara e poshtë nuk është bërë një investim. Harronte se ishin bërë mbi 220 milion euro investime. 80 km rruga Orikum – Sarandë, 18 km rruga Sarandë – Butrint, 32 km rruga Qafë botë – Sarandë, 18 km rruga Sarandë – Mile. Rruga e Finiqit Landfilledi, ujësjellësi, porti detar i Sarandës, hyrja e qytetit, etj” tha Berisha.
Ky është Nastradini i ri - vijoi Berisha - duke thënë se në fshatrat e bregut, me Bankën Botërore, ka ujësjellës me 37 milion dollarë. "Vetëm për fermerët e bregut u dhanë 700 projekte në agrume, ullinj e vreshta e prodhime blegtorale. Në energjetikë, u investuan 40 milion euro, Unaza e jugut është vepër e qeverisë së mëparshme", përfundoi ai.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptajra.com)