TIRANE- Ngjarja historike e 20 shkurtit që lidhet me figurën e Enver Hoxhës,u kujtua edhe në seancën e djeshme, por jo si një pjesë e historisë së vendit, por nëpërmjet akuzave të ndërsjellta. Kryeministri Rama duke iu kundërpërgjigjur qëndrimit të Berishës për akuzat e lidhjes së tij me sistemin komunist, iu drejtua opozitës se ata në mesin e tyre kanë vullnetarë të Enver Hoxhës madje dhe karikaturën e tij në parti. Ai i është drejtuar ish-ministrit të Financave, Ridvan Bodes se ka qenë vullnetar i Hoxhës madje ka mbajtur bustin e tij. “Që ke qenë vullnetar i Enverit ka qenë, ke ngritur bustin e Enverit për antimiting e bëre.

S`ke faj, larg ke qenë, mendove se të erdhi rradha se doje të vije në Tiranë. Unë nuk ta thashë për tu fyer por të thashë sepse na folën për vullnetarë të Enverit. Sepse ti je i vetmi vullnetar i Enverit që kemi këtu. Sepse ke qenë dhe je vullnetar i atij që ke në krah”, i drejtohet Rama- Bodes. Por ndërkohë që ai vijoi edhe më tej duke akuzuar Berishën nëpërmjet një fotoje të tij në varkë me familjen e Enver Hoxhës. “Unë nuk e di se kush rrinte mbrapa mureve, nuk e di po se kush rrinte si për gjynaf majë të varkës, këtë e di. Kjo histori ka vazhduar shumë gjatë dhe histori e dhimbshme në Partinë e marrë nën kontroll nga më i keqi i komunistëve, komunist mbi komunist.

Është hata, këtë hata populli e zgjidhi tani e keni ju mbi kokë këtë hata”, vijoi ironinë Rama. Pas fjalimit të kryeministrit, kreu i Kuvendit njoftoi votimin për rendin e ditës, ç`ka solli irritim të opozitës, deputetët e së cilës u mblodhën para foltores për të kërkuar të drejtën e replikës pas Ramës. Duke iu referuar protesës së djeshme Meta iu drejtua opozitarëve: “Mabi qetësi, se nuk e keni këtu mitingun, e keni jashtë”.

“Një përbuzje ndaj një akuze dhe shpifje ordinere, të shpifësit profesionist, gënjeshtarit më të madh që për fat të keq e kemi kryeministër. Zotëria thotë se jemi në ditë të zezë, sepse është dita e rënies së etërve shpirtëror. Halli është se ti ke dalë nga gjirizet e bllokut dhe ty sot të dhimbset ati yt shtetëror dhe biologjik. Ti ndihesh keq sepse gjysma e atyre që ke marrë në krah kanë dalë nga gjiri i bllokut dhe ti mundohesh të ngreshë akuza për njerëz që kanë ngrënë internimin e babait tënd.

Debatet dhe batutat

Akuzat nga kapja e institucioneve e deri te lidhjet me Enverin e Nexhmijen
 
Berisha: Ky është puç ndaj institucioneve të vendit. Turp, me këtë akt po sakrifikoni statusin. Ky është një akt i shëmtuar nga ana juaj, ju jeni përgjegjës për këtë akt. Një kryetar parlamenti nuk vepron siç vepron ti me vullnet patologjik për të prishur këtë parlament, por dhe të jeni të bindur se do të përgjigjemi në mënyrë adekuate.
Meta: Më thuaj çfarë do nga unë?
Berisha: Zbato rregulloren ti si kryetar Parlamenti
Meta: Për çfarë ta zbatoj...
Berisha: Ti o zotëri mund të veprosh si të duash se kështu si e ke nisur. Të vijë këtu letra, ku ajo i ka kërkuar Ramës për pasuritë. Ka thirrur Linda Bashën ta marrë në pyetje
Meta: Po ç`lidhje ka kjo me mua...
Berisha: Po e keni bërë shtetin si një klub
(reagime nga salla e Kuvendit)

Berisha: U prekët ju sharësit profesionistë eeee. Se të punësosh burrat dhe gratë e juaja qenka normale, u prekët ju sharësit profesionistë
(Braçja flet nga vendi)
Berisha: Pra ku janë, ku është letra, as zonjën nuk e keni thirru këtu të flasë vetë
Meta: Mund të jap një përgjigje unë apo s’mundem?
Berisha: Ju keni zgjedhur të bëni kamikazin sot, po ndëshkon Shqipërinë dhe ky është një akt i shëmtuar dhe i paprecedent. Të paktën minimumi i integritetit për të ndjekur ligjin e parlamentit. I thoni opozitës se nuk funksionin në këtë mënyrë.
Meta: Ju kërkoni të mbledh konferencën e kryetarëve?
Berisha: Jo s’kërkoj atë

Meta: Ju ngrini pretendimin se vendosja nga ana ime si kryetar i kuvendit për çështjen në fjalë është në kundërshtim me rregulloren se nuk është ngritur Konferenca e Kryetarëve. Dakort unë do reflektoj dhe do e mbledh që tani. Pse të mos e mbledh, njëherë thoni mblidheni, tani thoni jo. Ju flisni se është bërë një skandal i madh, por skandali është bërë që në momentin kur parlamenti nuk e ka konsumuar dekretin e presidentit të republikës.
Berisha: Nuk kam asgjë për të thënë, rrugëdalja e vetme z kryetar nga ky qorrsokak është heqja nga rendi i ditës dhe procedimi sipas procedurës së parlamentit por ju sic e keni nisur me vrull.

Meta: Këtu vërtet ka ndodhur një problem i madh kur pikërisht në seancën kur do votohej për dekretin e presidentit të Republikës, kur ishte kandidatura e zonjës Xhuka dhe një tjetër, është votuar për një kandidaturë dhe kuvendi nuk është shprehur për kandidaturën tjetër. Kjo kandidaturë është propozuar në kundërshtim me ligjin. Unë nuk kam votuar për Xhukën meqë më bëre akuza. Doni konferencë kryetarësh unë e mbledh menjëherë.
Topalli: Me oficerë të burgjeve dhe hetues sepse e keni në ADN tuaj në kundërshtim total të ligjit për të hequr një zonjë, e cila i ka dhënë këtij shteti gjithë mendjen, punën dhe ndershmërinë dhe jeton vetëm me rrogën e saj. Kurdo që asaj ti mbarojë mandati ajo është më e pastrëta  më e dlira më e ndërgjegjshmja në raport me shtetin.

Batutat për Enverin
Rama: Si ka mundësi që vazhdoni të besoni se shqiptarët mund t`iu besojnë sa herë që merrni këtu fjalën dhe flisni nga pozitat e dikujt që sapo ka rënë nga qielli. Nga pozitat e dikujt që nuk ka qenë këtu, në këtë parlament, ky parlament që u bë pengesa e madhe e opozitës, kur kemi qenë në opozitë, ky parlament që u bë dhe gazi i botës. Nuk keni rënë nga qielli thjesht keni rënë nga pushteti. Nuk keni rënë para disa vjetësh, por para pak muajsh. Po fyeni inteligjencën e këtij populli duke i thënë, cohu se erdhi ora të bësh atë që bëre 20 e ca vite më parë o popull kur u ngrite për të shembur një regjim.

Topalli: Po kush po flet mo...
Balla: Manushaqe mbylle gojën ti...
Rama: Ju dini të gjykoni, syrgjynosni me shpifje si në kohë të Partisë së Punës. E morët këtë shembull nga Parti e Punës dhe e morët këtë nga shërbëtorët e Enverit.
Topalli:S`ke faj ti, ke përkrah Mimin, e atë zonjën tjetër...
Rama: Fizikisht ka këtu një vullnetar të Enverit dhe nuk është në këtë krah (tregon PS), por është në këtë krah (tregon PD). Ja ku u erdhi (për Ridvan Boden). Mes jush keni karikaturën e gjallë të Enverit, e keni mes jush. Nuk është Enveri joo, është karikatura e tij.
Strazimiri: Ja po na flet tani...

Rama: Jo tani po shikon telefonin (për Berishën). Unë nuk e di se kush rrinte mbrapa mureve, nuk e di po se kush rrinte si për gjynaf majë të varkës, këtë e di. Kjo histori ka vazhduar shumë gjatë dhe histori e dhimbshme në Partinë e marrë nën kontroll nga më i keqi i komunistëve, komunist mbi komunist. Është hata, këtë hata populli e zgjidhi tani e keni ju mbi kokë këtë hata.
Balla: Ja ku je o Sali te varka...
Rama: Për zonjën në fjalë s`kam asgjë, madje kam patur bashkëpunim deri në fund...
Topalli: Kështu po e ban ti dhe me presidentin...
Abazi: O sorrë e zezë mbylle moj mbylle ti...

Berisha: Ai ka frikë nga e vërteta dhe të tha ty të mos më jepte fjalën, ndërkohë kur doli me libër shpie e çfarë nuk tha. Aty nga data 20 dhjetori në një miting në sheshin italia më erdhën 2 persona, njëri prej tyre ishte i disekuilebruar dhe ai ishte Edvin Kristaq Rama. E mori fjalën dhe  tha: Në çdo shtyllë të varim nga një komunist dhe unë i thashë, po për babanë tënd çtë bëjmë. Edhe atë më tha. I thashë shko dhe bëj partinë e varjes se ne jemi Partia Demokratike. Eksperienca jote me familjen Hoxha është një ndër qesharaket. Me Hoxhën ty të lidhin firmat për varje, në sheshet e Tiranës e qyteteve nga babai yt. Të lidh ty firma mbi varjen e Havzi Nelës. Me ekzekutimin e një fshatari për të cilin sigurimi i bëri çdo kurth për ta varë si agjent grek. Lidhje me Hoxhën i ke fatale
Topalli: Po shkelni rregulloren o Ilir
Abazi: Kapi për zhelesh Xhozi...

Bode: Një përbuzje ndaj një akuze dhe shpifje ordinere, të shpifësit profesionist, gënjeshtarit më të madh që për fat të keq e kemi kryeministër. Zotëria thotë se jemi në ditë të zezë, sepse është dita e rënies së etërve shpirtëror. Halli është se ti ke dalë nga gjirizet e bllokut dhe ty sot të dhimbet aty yt shtetëror dhe biologjik. Ti ndihesh keq sepse gjysma e atyre që ke marrë në krah kanë dalë nga gjiri i bllokut dhe ti mundohesh të ngreshë akuza për njerëz që kanë ngrënë internimin e babait tënd.

Rama: Që ke qenë vullnetar i Enverit ka qenë, ke ngritur bustin e Enverit për antimiting e bëre. S`ke faj, larg ke qenë, mendove se të erdhi rradha se doje të vije në Tiranë.
Bode: Unë në Tiranë kam qenë.
Rama: Unë nuk ta thashë për tu fyer por të thashë sepse na folën për vullnetarë të Enverit. Sepse ti je i vetmi vullnetar i Enverit që kemi këtu. Sepse ke qenë dhe je vullnetar i atij që ke në krah.... Vdiq i shoqi dhe gruaja thotë, s`dija të bëja: Të qaja burrin apo të qaja Saliun, sepse iku burri por Saliu qante më shumë se të gjithë. E dini mirë ju për kë e kam fjalën. E njihni atë zonjë. Ju e keni me Enverin e vdekur se ju mban peng ky i gjalli, karrikatura e tij.


Shkrimi u publikua sot (21.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)