Ai theksoi sot se "duhet të ndërpritet kultura e pandëshkueshmërisë dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë të japë llogari nesër pse refuzoi kërkesën e Prokurorisë për të arrestuar 6 vrasësit e dyshuar të 21 Janarit".
Rama garantoi se "do t’i japim Ministrisë së Brendshme dinjitetin e humbur prej vitesh, por tanimë të nëpërkëmbur në mënyrën më të papërballueshme nga qenia në krye të një personazhi që gabimisht gjendet në zyrën e Ministrit të Brendshëm sepse duhet të ishte në skenën "Portokallisë". Besoj që megjithë nivelin e lartë që ka arritur Portokallia nuk gjendet në Shqipëri një aktor që të mund të jetë në lartësinë e Ministrit të Brendshëm për të bërë të gajaset populli shqiptar", - tha ai.
Në veçanti, kryesocialisti premtoi "strehim e punësim për familjet e policëve të vrarë dhe mbështetje ekonomike për shkollimin e fëmijëve të tyre".
RAMA: DREJTORI I PERGJITHSHEM I POLICISE DO JAPE LLOGARI PERSE NUK ARRESTOI 6 VRASESIT E DYSHUAR TE 21 JANARIT
"Problemi ynë mungesa e ligjshmërisë. Problemi ynë nuk është se na mungojnë masat ndaj çdo lloj shkelje të ligjit. Problemi në këtë vend është se na mungon një qeveri dhe një shtet që t’i respektojë këto masa. Çfarë lidhje ka me ligjin dhe si mundet ligji i shkruar në letër të mbrojë të drejtën e publikut kur një Drejtor i Përgjithshëm policie refuzon të zbatojë kërkesën ligjore të prokurorisë për të ndaluar gjashtë persona të dyshuar për vrasje. E kam fjalën për vrasjet e 21 janarit" - tha kryesocialisti Rama.
"Ku? Në ç’vend të botës demokratike, por besoj edhe në diktatura, kërkesa e prokurorisë ndeshet me refuzimin arbitrar të Drejtorisë së Përgjithshme dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë për të ekzekutuar masat e kërkuara nga prokuroria? Askund! Kjo ndodh vetëm aty ku shteti dhe pushteti janë bërë e njëjta gjë. Ku pushteti e ka kthyer shtetin në mekanizmin për të shkelur ligjin për interesat e veta, apo për të ndëshkuar në mënyrë të paligjshme ata të cilët i rrezikojnë këto interesa.
Sot ka një pyetje që bëhet kudo. Çfarë do të ndodhë nesër, në rast se kjo kulturë e pandëshkueshmërisë nuk ndërpritet dhe si do të ndërpritet kjo kulturë e pandëshkueshmërisë. Unë besoj se nuk është e paudhë të mendosh se ky drejtori i Përgjithshëm i Policisë sot, nesër do të duhet të japë llogari dhe të përgjigjet pse nuk i ka zbatuar kërkesat e Prokurorisë për të ndaluar 6 njerëz të dyshuar si vrasës, apo të përfshirë në vrasjet e 21 janarit. Sepse zbatimi i ligjit në një shoqëri nuk është i lidhur me hakmarrjen, hakmarrjen e shoqërisë ndaj atyre që e shkelin ligjin, por është e lidhur me sigurinë. Me sigurinë se duke u ndëshkuar shkelësit e ligjit, ligji nesër do të shkelet më pak. Në qoftë se ne nuk kërkojmë ndëshkimin e atyre, që kanë abuzuar me uniformën e policisë, që kanë abuzuar dhe shpërdorur detyrat më të larta në Policinë e Shtetit, do të thotë që ne t’ua lëmë rrugën hapur abuzimeve dhe shpërdorimeve të mëvonshme nga të tjerë. Sepse shkelja e ligjit nuk është e majtë apo e djathtë. Shkelja e ligjit është shkelje e ligjit dhe shkelësit e ligjit nuk janë tanët apo të atyre. Shkelësit e ligjit janë shkelës të ligjit dhe si të tillë duhet të trajtohen".
RAMA: GARANTOJME STREHIMIN DHE PUNESIM FAMILJET E POLICEVE TE VRARE
Në fjalën e kryesocialistit, sot spikati premtimi: "Do të strehojmë dhe punësojmë të gjitha gratë e policëve të vrarë dhe do mbështesim arsimimin e të gjithë fëmijëve të tyre. Nuk do lejojmë që vejushat e policave të mbahen e strehohen nga të afërmit e tyre, por do të garantojmë strehimin e tyre sëbashku me fëmijët, punësimin e tyre dhe fëmijëve, mbështetje financiare për shkollim".
"MINISTRI I BRENDSHEM ESHTE NJE AKTOR QE TE GAJAS"
Kreu i PS-së e trajtoi gjërësisht sot, problemin e rendit në Shqipëri, ku vetëm gjatë 48 orëve të fundit, pati 5 të vrarë. "Kupola e policisë është e lidhur me krimin dhe ne do t’i ndërpresim këto fije", - tha ai. -"Ne do t’i japim ministrisë së Brendshme, dinjitetin e humbur prej vitesh, por tani të nëpërkëmbur nga qënia në krye të vet, të një personazhi që gabimisht gjendet në atë zyrë se duhej të ishte në skenën e “Portokallisë”. Theksoj se me gjithë nivelin që ka arritur “Portokallia”, nuk besoj se gjendet njeri në lartësinë e ministrit të Brendshëm që të gajasë popullin shqiptar".
LUFTA KUNDER KRIMIT DO TE NISE ME RESPEKTIMIN E HAPESIRES PUBLIKE
"Vite me pare", - tha kryesocialisti, -"nese ju kujtohet ne parkun Rinia, pavarësisht shtimit të policëve dhe masave disiplinore, krimi nuk ulej, rritej. Me rivendosjen e ligjshmërisë dhe rregullit mbi hapësirën publike, me ndriçimin e këtyre hapësirave gjatë natës u regjistrua menjëhërë një rënie e shifrave të kriminalitetit. Kur flasim për luftën kundër kriminalitetit duhet të kemi parasysh një qasje të thellë dhe respektim të hapësirës publike, që fillon nga garantimi i saj në disporcion të çdo qytetari dhe familjeje dhe i rregullave në të.
Kryetari i famshëm i bashkisë së Nju Jorkut që rivendosi rregullin në metrolopin amerikan, e nisi nga vijat e bardha, nga respektimi i dritave të semaforëve, nga beteja e dukshme konkrete në sytë e të gjithë qytetarëve. Në Tiranë ne do imponojmë respektin për rregullat në këtë hapësirë për të gjithë barabar jo siç ndodh këtu e gjithë e ditën me qytëtarët me imunitet e deri deputetët që parkojnë në trotuaret e Parlamentit, që mund të fyejnë dhe dhunojnë çdo polic që tenton t’i ndalojë, por duke perdorur forcën e shembullit kudo në rrugë dhe hapësirën publike. "
INSTITUCIONET E KETIJ SHTETI JANE SI LOJA "E KA KUSH E KA", JO ME DHJETRA POLICI
Kreu i opozitës e konsideroi shtetit shqiptar dhe ligjet e tij "si shteti “E ka kush e ka” në të gjitha fushat. Qytetari përcillet godinë më godinë dhe në fund kthehet aty ku u nis, pa e marrë atë që ka kërkuar dhe kjo është tamam “e ka kush e ka”. Shqipëria është e mbushur me policë, që kontrollojnë pjesë të ndryshme të territorit dhe jemi dëshmitarë që polici mund të jetë 10 m larg dikujt që sharron një pemë dhe vazhdon ha fara pa u shqetësuar fare se një pasuri politike po shkatërrohet para syve të tij. Pse? Se me sharrën merret policia pyjore. Kur bën shkelje ligjore, polici sheh dokumentet dhe ai tjetri hedh në tokë paketën e cigares bosh, kanaçen e pijes, gazetën 55 që e ka përdorur për të mbështjellë bukën dhe polici s’i thotë gjë, se atë punë e ka polici i mjedisit. Reforma jonë do të jetë e thellë, se ne do kemi vetëm Policinë e Shtetit!", - garantoi ai.
"ATE QE BERISHA I KA BERE KRUJES, S'E IMAGJONIN TA BENIN AS DY SULLTANET QE E RRETHUAN"
Duke shpalosur programin edhe më gjerë, Kryeopozitari përmendi rastin kur Kryeministri tha për Krujën, "që s’e ka parë, se e ka shkatërruar Edi Rama. Sa për beton, në këtë kohë krize, unë vetëm klanin kam parë të hedhë. Se nga Kruja, mjerë kujt i ka rënë rruga të kalojë. Edhe tre sulltanët që bënë tre rrethime, as e përfytonin dot se do t’ia bënte ndonjëri. Me Skënderbeun që rri atje lart dhe këta që e gërryejnë nga poshtë, nxirr qymyr e nxirr gëlqere e me një kryeministër që thotë: Edi Rama po e shkatërron".
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)