Rama: Dekriminalizimi, "bllof" i
PD, nuk kap asnjë deputet të PS

Rama: Dekriminalizimi, PD, nuk kap asnjë deputet të PS">
Kryeministri vendit Edi Rama, i ftuar në emisionin Top Story deklaroi se ligji i dekriminalizimit nuk kap asnjë deputet të Partisë Socialiste.

“Nuk ka asnjë arsye dhe asnjë motiv, por është rezultat i një ezaurimi nervor të PD-së. Sot e them që mezi e pres ligjin që ata e quajtën të Dekriminalizimit, edhe pse është një term shumë vulgar për një Republikë kushtetuese Parlamentare, që të shoh se kush janë këta kriminelë. Ligji që e kanë shkruar vet nga A në ZH dhe për të cilin kemi dhënë konsensusin tonë, nuk kap as edhe një deputet të Partisë Socialiste. Është e turpshme që u kriminalizua jeta politike, parlamentare, me një propagandë të shfrenuar vendi ynë. E vërteta është që ai ligj, më i ashpri në gjithë kontinentin tonë apo në botë, nuk kap asnjë deputet të PS-së.”, tha Rama.

Ai shtoi se ligjit i janë bërë të gjitha ndryshimet që ka kërkuar PD dhe s’ka më ç’të bëhet. “PD ka dalë bllof, pasi kuptojnë se nga PS nuk ka të inkriminuar dhe po kërkojnë amendime të ligjit. Tani këta fantazojnë dhe kërkojnë argumente. Kërkesa e ktyre nuk mund të pranohet në asnjë gjykatë, pasi nuk ka sens. Edhe ligji i dekriminalizmit është ofendues, por ne e pranuam me mirëkuptim”, shtoi Kryeministri Rama.

Ja intervista e Kryeminstrit

Intervista

Zoti Basha ka sjellë një vezë para emisionit, për t’iua bërë dhuratë.


Kryeministri Edi Rama: E marr si dhuratë nga koteci i PD.

Sokol Balla: Ju shqetëson sulmi në Kuvend?
Kryeministri Edi Rama: Ka një dallim të madh, sepse nëse një grupi protestuesit të sapodalë apo të padalë nga veza u takon të përdorin një vezë, por që një parti të përdorë këtë është fakt i shterimit të madh të ideve dhe fuqisë për të imagjinuar të nesërmen. Në këndvështrimin tim është ezaurim i nervave. Pas disfatës së 2013-s dhe pa u ringritur kurrë si një opozitë, por duke mbetur si një qeveri e vjetër në opozitë, PD merret me hijet e Enver Hoxhës dhe hijen e pushtetit, duke e kthyer këtë në një luftë mllëfesh, sa me tullat, sa me llaçin, sa me parqet. Një gjë shumë e trishtueshme për një parti që është katandisur në një organizatë kakarisësish.

Sokol Balla: Ka një arsye pse opozita protestoi...
Kryeministri Edi Rama: Nuk ka asnjë arsye dhe kjo nuk është e parë ndonjëherë nga ndonjë parti tjetër e madhe opozitare në botë.

Sokol Balla: I keni përdorur edhe ju bilbilat?
Kryeministri Edi Rama: Është tjetër gjë përdorimi i bilbilave dhe përdorimi dhe cënimi cinik i kundërshtarit politik.

Sokol Balla: Kemi një kundërdeklaratë të Bashës në rrjetet sociale, ku Basha jep motivet e protestës së sotme...
Kryeministri Edi Rama: Nuk ka asnjë arsye dhe asnjë motiv, por është rezultat i një ezaurimi nervor të PD-së. Sot e them që mezi e pres ligjin që ata e quajtën të Dekriminalizimit, edhe pse është një term shumë vulgar për një Republikë kushtetuese Parlamentare, që të shoh se kush janë këta kriminelë. Ligji që e kanë shkruar vet nga A në ZH dhe për të cilin kemi dhënë konsensusin tonë, nuk kap as edhe një deputet të Partisë Socialiste. Është e turpshme që u kriminalizua jeta politike, parlamentare, me një propagandë të shfrenuar vendi ynë. E vërteta është që ai ligj, më i ashpri në gjithë kontinentin tonë apo në botë, nuk kap asnjë deputet të PS-së.

Sokol Balla: Ndoshta është arsyeja pse PD ka propozuar amendamente të tjera.
Kryeministri Edi Rama: Edhe kaq sa kemi pranuar, kemi shkuar tej limiteve të të drejtave të njeriut. Kemi rënë dakord që asnjë palë të mos e çojë këtë ligj në Kushtetuese dhe në Gjykatën e Të Drejtave të Njeriut, sepse s’ka asnjë Gjykatë Kushtetuese dhe asnjë Gjykatë Strasburgu që të mos e hedhë poshtë këtë. Sepse s’ka asnjë parti që përcakton si kriminel një deputet. Kriminel të përcakton gjykata dhe jo partia. Kjo histori s’ka asnjë lidhje me ne, me koalicionin apo me PS-në. Në rastin konkret Armando Prenga është përjashtuar menjëherë nga anëtar i PS-së, sapo doli një çështje që pritet ta zbardhë gjykata nëse ai është kriminel apo jo.

Sokol Balla: Lidhur me amendimin e Dekriminalizimit... nuk do t’i pranoni këto amendime?
Kryeministri Edi Rama: Ligji është punuar për një kohë të gjatë nga të dyja partitë. I është dhënë mundësia opozitës që të fusë çfarë të dojë dhe të shqyrtojë çfarë të dojë nga ato që kishim shtuar ne. Por meqë kanë dalë blof dhe kanë kuptuar se asnjë deputet i PS-së nuk përfshihet nga ky ligj, duan të bëjnë ndryshime që të thonë se ja e kapëm një deputet.

Sokol Balla: Pse e quani ngjarje të shëmtuar për sa kohë që gjykata nuk ka përcaktuar fajësinë apo pafajësinë?
Kryeministri Edi Rama: Për ne mjafton një deputet, i përfshirë në një sherrnajë të atyre përmasave dhe i ndaluar nga policia me urdhër të Prokurorisë, dhe ai mbetet jashtë grupit parlamentar dhe jashtë PS. Edhe një deputet që gjuan me vezë nuk ka vend në partinë tonë, jo më një deputet që është përfshirë në një çështje ku ka pasur të plagosur.

Sokol Balla: Sapo i dhatë të drejtë Blushit që ka thënë se në PS bëhesh deputet nëse ke armë pa leje, ndryshimi është se Prenga e kishte me leje...?
Kryeministri Edi Rama: Nuk më takon të merrem me të tilla gjykime dhe opinionet e mia jopozitive ndaj çdo socialisti nuk i ndaj me publikun. Sa i përket kësaj çështjeje, kjo është montuar politikisht nga fillimi në fund. Nëse do të kthehesha në 2013-n do të bëja të njëjtën zgjedhje që kam bërë, sepse nuk kam zgjedhur në listën e PS asnjë kriminel. Kam respektuar parimet e PS-së në zgjedhjet e kaluara dhe kam kërkuar nga të gjithë deputetët, për herë të parë, dëshminë e penalitetit. Atë dokument kishim në atë kohë, nuk e kishim këtë ligj që kemi sot. Të gjithë kandidatët e atëhershem, dëshminë e kanë pasur të bardhë. Po të njihja ndonjë kriminel do ta nxirrja unë se kush ishte, por nuk mund të ngre gishtin në hava, pavarësisht përpjekjeve të dështuara të opozitës, që mbetet një qeveri e vjetër së cilës i ka mbaruar historia në 2013-n dhe nuk po gjen mundësitë për të bërë opozitën e shqiptarëve.

Sokol Balla: Si i përzgjedh një kryeministër si ju njerëzit që duhet të bëhen deputet. Blushi ka sulmuar Prengën, ndërkohë që ky i fundit ka dhënë një deklaratë sot se për Blushin në atë kohë nukka qenë një kriminel. Ju kujt i qëndroni?

Kryeministri Edi Rama: Unë u qëndroj të vërtetave të thjeshta, që i ndaj me ndjeshmëri dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë me njerëzit. Njerëzit gjykojnë, fjalët gjykojnë veprat dhe faktet. Për fat të mirë, shqiptarët unë kam pasur fatin t’i provoj më shumë se një herë, ata nuk manipulohen lehtë. Nëse do të bëheshin, nuk do të isha zgjedhur aq herë si kryebashkiak i Tiranës. Më kanë akuzuar për gjithfarë lloj poshtërsish dhe maskarallëqesh, por kur dikush që të akuzon për diçka që nuk e ke bërë, ki kujdes se mund ta bëjnë vet. Nëse më akuzojnë se kam ndërhyrë te gjykatësit për të nxjerrë Prengën nga arresti shtëpiak për ta sjellë në Parlament, janë ata që kanë bërë gjithfarë lloj makinacionesh për këtë gjë. Unë nuk i kam në kontroll gjykatat dhe jam shumë i lumtur që nuk i kam as unë dhe as ky sistem, që nuk e bën të mundur të kesh kontrollin e plotë ndaj gjykatave. Ndaj duam reformën në drejtësi, që gjykatat të funksionojnë normalisht. Nëse ka një arsye për të diskutuar për këtë është qëllimi për të bërë reformën në drejtësi, që ka interes PD-ja që ta shmangë.

Sokol Balla: Do të flasim edhe për reformën në drejtësi, por ju nuk do të pranoni amendimet e PD-së për Dekriminalizimin.
Kryeministri Edi Rama: Po si mund të bësh një ligj për një person? Po nëse nesër bëhet edhe dikush tjetër, e kështu me radhë? Cfarë do të bëhet, do të pezullohet nga jeta publike dhe çfarë vendi jemi ne që të bëjmë ligje të posaçme për një person, si të ishte për një ndërtim pa leje.

Sokol Balla: Në republikën e gangsterëve thotë Basha...
Kryeministri Edi Rama: Këto janë shprehje të vjetra që janë përdoru aq shumë, sa kanë humbur kuptimin dhe forcën. Ndaj ka përfunduar PD në këtë pikë, sepse s’ka lënë gjë pa thënë, në 99% të rasteve pa vend fare, saqë njerëzit nuk kanë më kohë të dëgjojnë këtë retorikë vulgare.

Sokol Balla: Ju thatë se asnjë deputet nuk preket nga ky ligj, a është ai i dështuar?
Kryeministri Edi Rama: Jo Sokol, është blof gjithë propaganda që ka bërë PD-ja për të kriminalizuar PS-në dhe qeverisjen e saj, sepse faktikisht e bën ligjin siç e donin vet dhe u thanë shqiptarëve se janë 9 kriminelë që do të largohen nga Parlamenti. Asnjë s’ka për t’u larguar, sepse asnjëri nuk është kriminel dhe nuk është subjekt i atij ligji. Kush është kriminel aty? 

Sokol Balla: Referencat kanë qenë për Ndokën, Frrokun, Doshin...
Kryeministri Edi Rama: E para Frroku nuk ka qenë kurrë deputet socialist, por i një partie të vogël në koalicion me qeverisjen tonë dhe ne nuk kemi përgjegjësi për listat e tyre. E dyta, Doshi është larguar nga PS jo si kriminel, sepse nuk e kam njohur kurrë të tillë. Kriminel do të thotë të kesh bërë krime dhe të jesh gjykuar si i tillë nga gjykata. Nuk jam penduar as sot për përjashtimin e Doshit, por nga kjo e deri te kriminalizimi i tjetrit është diçka me shumë diferencë. Prej atëherë janë kriminalizuar persona dhe familje të tëra, por ku jemi ne? Kur gjuha arrin deri këtu dhe skandali etik deri këtu, edhe nga Parlamenti Europian tmerrohen, por nuk u shkon mendja se mund të mashtrohet deri në këtë farë feje.

Ne si PS kemi mbajtur qëndrim shumë të prerë dhe s’kemi mbrojtur askënd. Dy persona si Doshi e Prenga i kemi përjashtuar nga partia dhe grupi parlamentar, por jo se i kemi gjykuar si kriminelë. Ndërkohë që PD, kryetarin e Kamzës, të dënuar si hajdut nga gjykata, e konsiderojnë të persekutuar politik, sikurse edhe ish-ministrin e tyre të arrestuar. Kujt ia tregojnë këta këtë dyfytyrësi kur flasin për këtë çështje? A mos janë këta ëngjëj? Këta që shtrinë 4 persona në rrugë më 21 janar dhe që i kanë ikur gjyqeve me raporte mjekësore?

Sokol Balla: Fleckenstein iua kërkoi miratimin që në janar të Dekriminalizimit?
Kryeministri Edi Rama: Në fakt është një deputet i PD-së që po merret me aktet nënligjore, si Bylykbashi. Pse nuk i kanë sjellur? Këta janë një kotec, nga ku kanë harruar dhe kanë ngatërruar ditën me natën dhe i vënë të kakarisin duke i bërë të gjithë vrasës.

Sokol Balla: Strazimiri, Berisha dhe disa të tjerë kanë paralajmëruar se mund të lënë mandatin e deputetit?
Kryeministri Edi Rama: Kjo do të ishte humbje e madhe për Shqipërinë, për Parlamentin, nëse Berisha do të linte mandatin. Pa harruar këtë tjetrin që vuri kujën kur hëngri një shuplakë dhe sot bën si i fortë pse gjuajti një vezë. Normalisht e para është e papranueshme, por në momentin që dhunon tjetrin nuk mund t’i biesh gjoksit.

Sokol Balla: Kjo është arsyeja pse Ruçi kërkon përjashtimin e tyre nga Parlamenti?
Kryeministri Edi Rama: Çfarë e dinë veten këta që marrin vezë e gurë në Parlament? Janë disa humbësa që thanë se socialistët na e morën programin dhe u sulën t’i vinin zjarrin bunkerit. Thanë që na e morën programin se na ulën taksat, ndërkohë që tani iu sulën parkut të Liqenit për të shkatërruar gjithçka që po ndërtohet. Si mund të justifikohet veprimi fizik, i kuptoj grevën, protestën dhe flijimin po të doni, por jo dhunën fizike ndaj asaj që ti nuk pëlqen. Kush je ti që nëse s’të pëlqen bunkeri, të lind e drejta ta prishësh?

Sokol Balla: Bëhet debati për Dekriminalizimin, ligji në fakt nuk ndryshon ndonjë gjë thelbësore, por problem mbetet arroganca kur deputetët që gjykohen se mund të preken nga ky ligj dalin krah jush nëpër evente të ndryshme...
Kryeministri Edi Rama: Unë nuk pretendoj që ata të PD-së të mund të arrijnë ndonjëherë në pikën që të kuptojnë se çfarë është një vepër arti, e kanë të drejtën e tyre që të jenë injorantë në këtë fushë. Por si mund të thyejnë një vepër arti në godinën e Kryeministrisë, në një kohë që e pëlqen apo jo, është një vepër arti me një vlerë të jashtëzakonshme dhe që qëndron në një prej muzeumeve më të mëdha ndërkombëtarë dhe është dhuratë për popullin shqiptar. Si mund ta thyejnë këta një pasuri kombëtare?

Të marrësh gurët dhe ta thyesh e të shkatërrosh një pasuri të popullit, jo e imja personale, kjo është barbari. S’të pëlqen parku i lodrave, punë e madhe shumë për PD-në. Ke të drejtën të protestosh e të vësh kujën, por s’të jep njeri të drejtë të veprosh në mënyrë fizike dhe të prekësh pronën e dikujt. Cënimi fizik i personit dhe i pronës publike apo private është krim. Parimi këtu është i thjeshtë: mund të jesh kundër mëngjes, drekë e darkë, por nuk mund të cënosh fizikisht. Kjo e ndan qytetërimin nga barbaria. Këtu ka një hipokrizi të madhe ku kontribuojnë të gjithë. PO flisni me një njeri, që ka mbjellë 55 mijë pemë dhe shkurre dekorative, duke vendosur veton si kryebashkiak për të mbjellë këto. Asnjë nuk është shkulur gjatë asaj kohe. Ai park do të bëhet park lodrash për fëmijët.

Sokol Balla: Te ai parku do të shtohet beton, ndoshta nuk priten pemë.
Kryeministri Edi Rama: Nuk e bëj unë parkun, për këtë pyesni kryebashkiakun. E bëj këtë sepse unë refuzoj barbarizmin, vandalizmin dhe injorancën, që tundin flamuj që janë alibi kauzash të sajuara dhe të dështuara, kjo është e papranueshme. Unë pretendoj që debat sa të duash, protesta sa të kesh qejf, por jo cënim fizik.

Sokol Balla: Te protesta e PS-së nuk pati dhunë...
Kryeministri Edi Rama: Jemi dy botë të ndryshme dhe nëse më pyesni për pjesën dhe punën tonë, sesi përpiqemi t’i zgjidhim problemet, mund të them se ka gjëra që mund t’i kishim bërë më mirë, më shpejt dhe që mund të jepnin rezultate në mënyrë më të dukshme, por një gjë është e sigurt: mes nesh dhe qeverisë së vjetër që nuk po arrin dot të bëhet opozita e re e këtij vendi, ka një hendek të madh botësh të ndryshme për mënyrën si duhet të funksionojë shteti, shoqëria dhe çdo gjë që i fut në bashkëveprim të tilla gjëra.

Sokol Balla: Në atë karrige ku jeni ju kanë qenë kundërshtarë dhe aleatë tuaj. Disa kanë thënë se i japin të drejtë parimisht Ben Blushit, si mund të thoni se jeni ndryshe nga ata, kur e keni shkelur Statutin për 3 vite? Flas për parime, sepse ju e njihni më shumë këtë fushë.
Kryeministri Edi Rama: Mos flisni me melankoli për gjërat që kanë përmendur të tjerët. Edhe fakti që diskutohet për Statutin e PS tregon që jemi dy botë të ndryshme. Keni dëgjuar për rregullat që kanë atje, si funksionojnë atje? Përgjigjja ime është shumë e thjeshtë, e sinqertë. Ne fituam zgjedhjet në 2013-n dhe u votuam për të qeverisur Shqipërinë. Në ato kushte askush, në Kryesi, në grupin parlamentar apo në parti, nuk e pati mendjen që të thotë se duheshin bërë zgjedhjet në parti, sepse do të ishin një tallje me publikun, që na votoi për të qeverisur vendin.

Në shtator morëm një vend të rrënuar dhe një mal i fshehur me borxhe, dhe ne nuk mund të thonim prisni se nuk do e thërrasim FMN-në për të bërë zgjedhje në parti. Ne nuk kemi pasur të përgatitur në Statutin tonë pjesën kur fitojmë zgjedhje, e modifikuam atë në një rregullore pafund në opozitë, por nuk menduam se çfarë ndodh kur kryetari bëhet kryeministër pas fitores së zgjedhjeve në raport me funksionimin kur është në pushtet. Kush nuk do të dëgjojë, nuk do. Partitë që i zgjedhin udhëheqësit me një anëtar një votë dhe jo me Kongres, kur lideri i zgjedhur nga partia për të kryesuar betejën dhe e fiton atë, ai është automatikisht lider. Këto zgjedhje kanë mekanizma sesi mund të kundërshtohet udhëheqësi, por jo sesi mund të bëhen zgjedhje në mes të mandatit.

Redaksia online
(S.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Skënder Minxhozi: Salianji i shpëtoi faqen PD (dhe vetes)

Skënder Minxhozi: Salianji i shpëtoi faqen PD (dhe vetes)