Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku inspektuan punimet në bypass-in e Vlorës mbrëmjen e sotme (13 nëntor).

Ministrja u shpreh se puna vijon 24 orë dhe deri më tani ka përfunduar 60% e ndërtimeve. Ajo tha se problemi i vetëm që kanë hasur deri më tani është shpronësimi në disa zona por që nuk do të shërbejnë si pengesë për vijimin e punës.

"Moti i mirë ka favorizuar punën. Puna ka ecur mirë. Kompania ka punuar pa ndërprerje. Deri më tani ka përfunduar 60%. Kemi pasur vetëm problem me zonën e Kaninës për punën e shpronësimeve të pronave" - tha ministrja Balluku. Punohet 24 orë. Deri më 15 janar do e dorëzojmë. Gjithë pjesa e mureve mbajtëse vijon dhe do ta përfundojmë. Edhe kur të ketë reshje, zona këtu na lejon vijimin e punës." - tha Balluku.

Kryeministri Rama shkruan në Facebook se kjo është një prej veprave më të mira të infrastrukturës kombëtare e cila do të afrojë bregdetin jonian për turistët dhe do të nxisë më tej zhvillimin e turizmit.

"Në kantierin e bypass-it ku prej muajsh punohet me tre turne, për të përmbyllur një prej veprave më spektakolare të infrastrukturës sonë kombëtare, e cila jo vetëm e afron bregdetin jonian për turistët dhe nxit zhvillimin e një tjetër zone plot potenciale, por do të ofrojë edhe një udhëtim panoramik të llojit më të bukur. Një segment kyç në strategjinë tonë të zhvillimit të turizmit, i cili do të jetë gati para nisjes së sezonit të ardhshëm turistik" - shkruan Rama.

Gjatë inspektimeve ishte dhe kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli i cili deklaroi se volumi është impresionues.

"Volumi i punës është impresionues. Shpresoj që data e përfundimit të punimeve të zbatohet pa problem" - tha Leli.