TIRANË- Vlersimi i shkollave më të mira publike e private sipas raportit të Maturës Shtetërore ka qënë pika kryesore në takimin e zhvilluar sot në qendrën e Kulturës, pranë Kishës Ortodokse,  në prani të kryeministrit Edi Rama dhe Ministres së Arsimit Lindita Nikolla.
Kryeministri Rama tha se " kemi ardhur për nje temë të vetme, për të rritur cilësinë e arsimit duke rritur transparencën, cilësinë e të gjithë mekanizmit të përcaktimit të meritave dhe shërbimin ndaj prindërve që investojnë në sistemin arsimor".
"Situata kur ne e morëm vendin, përfshirë sistemin arsimor, ishte he mbetet një situatë që është shumë larg ëndrrave dhe shpresave të këtij vendi për fëmijët e tyre. Është shumë larg ambicies sonë për Shqipërinë evropiane. Tashmë ministria e Arsimit është vendosur në atë rol që është dashur të vendosej që më parë për të mos lejuar sistemin arsimor të katandisej aty ku është katandisur. Reformat, ato të vërtetat dhe të thella, efektet e tyre i japin në kohë dhe jo menjëherë", tha Rama.
Shefi i qeverisë theksoi se "nuk do të kursejmë pushtetin tonë, siç kanë bërë të tjerë, që për të qëndruar në pushtet i kanë lejuar sëmundjen e plagët të zotërojmë të gjithë organizmit të vendit. Në këtë rrugë nuk do kursejmë askënd që në këtë rrugë do na dalë përpara, duke u bërë pengesë për këtë përpjekje të madhe kombëtare, dhe të jetë duke abuzuar me detyrën".
Rama: Rasti në Lushnje, maja e ajsbergut që do ta thërmojmë
Kryeministri Edi Rama ka theksuar se reforma në sistemin arsimor synon të luftojë korrupsionin në këtë sistem, si dhe fenomenin e mitmarrjes. Ndërsa i është referuar rastit korruptim të Drejtorisë Arsimore Lushnjë, ku drejtoresha e kësaj zyre kërkonte para në këmbim të një vendi pune mësues, Rama tha se ky është një fenomen që do të luftohet. Kreu i qeverisë u shpreh se ky ngjarja e Lushnjës "është maja e një ajsbergu, që qeveria Rama do ta shkatërrojë". Nisur nga kjo, kryeministri u shpreh se pas përfundimit të parë ku mësuesit do t'i nënshtrohen provimit, e më pas do të pajisën me licencë, nuk do të jetë më në dorën e drejtorëve apo të zyrave arsimore rajonale punësimi apo largimi i mësuesve nga puna.
"Edhe pse ka ndryshime rrënjësore e të ndejshme, vazhdon të ketë një shprehje të përgjithshme shqetësimi për mitmarrje në sistemin arsimor. Ngjarja e rënde të zyrës arsimore të Lushnjës nuk është një aksident të vetëshuar, por është maja e një ajsbergu që ne do ta bëjmë copë-copë pa kursyer askënd. Duke filluar nga ky ndryshim rrënjësor që do të kurorëzohet në muajin dhjetor në fazë të parë, dhe më fazat e tjera të vitit tjetër, asnjë drejtor dhe asnjë zyrë arsimore nuk do ketë në dorë të bëjë emërime e ç'emërime mësuesish. Rrugën e konkurrencës së ndershëm do ta përcaktojë mënyra e re e prezantuar nga ministrja e Arsimit, ku çdo kush që ka arsimin përkatës dhe në profilet e caktuara, të jetë i gatshëm të konkurrojë me të tjetër përmes një procesi transparent dhe të sekretuar", tha kryeministri Rama.
Nikolla: Rezultatet për përgjegjshmëri të reja
Ndërsa ministrja Nikolla këto rezultate do të shërbejnë për të zhvilluar përgjegjshmëri të reja si dhe të shohim se ku qëndron problemi për maturantët shqiptarë.
" Kjo është analiza e parë në mungesë të një analize në 9 vitet e kaluara, ku 30% e nxënësve rezultuan jo kalues në matuën shtetërore, kjo sigurisht është një problem. Do të ishte lehtë të vijonim si në të shkuarën , pa u marë me shifra dhe ky rezultat nuk ka të bejë me ju, me mësuesit por me mënyrën e vjetër të funksionimit", tha Nikolla. ATSH