Kreu i ri i qeverisë bashkë me ministrat e kabinetit të ri qeveritar i kanë lënë ambientet e Hotel ‘Colosseu’ Shkodër rreth orës 14.00 për t’ju drejtuar Tiranës, ndërkohë që si gjithnjë asnjëri prej zyrtarëve të lartë të majtë që pritet të marrin në dorë qeverisjen e vendit nuk ka dashur të komentojë për diskutimet në mbledhjen e kabinetit qeveritar që zgjati dy ditë.
Burimet brenda qeverisë së re të drejtuar nga lideri socialist shprehen se mbledhja e zhvilluar në qytetin e Shkodrës nuk do të jetë e fundit. Pasi përpara se të bëhet betimi para Presidentit pritet që Rama t’i mbledhë dhe njëherë në një takim ministrat për të formatuar përfundimisht programin qeverisës.
Ministrat do të raportojnë dhe njëherë në prani të kryeministrit të zgjedhur Edi Rama në lidhje me strukturën e dikasterit dhe programin e ditëve të para të 100 ditëve, për t’i dhënë dorën e fundit programit final, i cili pasi të shkrihet dhe të formatohet si program i qeverisë do të prezantohet në Kuvend dhe do të miratohet ditën e miratimit të qeverisë së re nga mazhoranca e ardhshme.
Mësohet se dhe ditën e djeshme, është diskutuar gjendja e vështirë e financave shqiptare për shkak të shpërdorimit pa kriter dhe për arësye elektorale të mbi 80 përqind të buxhetit të shtetit, duke sjellë në këtë mënyrë dhe boshatisjen e arkës së shtetit dhe vënien e qeverisë së re para vështirësisë së mbylljes së vitit, teksa kriza energjetike është në prag dhe rezervat jo vetëm ujore por dhe valutore për blerje energjie janë konsumuar.
Ministrat njëherësh pritet që në mbledhjen para miratimit në Kuvend dhe betimit para presidentit të detajojnë dhe planin e punës për çdo dikaster që drejtojnë, shpërndarjen e buxhetit, si dhe ku do gjenden financimet për të mbështetur programin e 100 ditëve të para të qeverisjes por dhe përballimin e situatës së vështirë.
Mësohet se të gjitha këto kërkesa të detajuara sipas dikastereve që kanë të bëjnë me luftën kundër krimit, luftën kundër korrupsionit, shëndoshjen e ekonomisë, përballimin e krizës së energjisë, sjellin nevojën e paraqitjes së planeve të detajuara për kërkesat për financime, kredi dhe nevojës për të arritur realizimin e këtyre projekteve të qeverisjes së re.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 04.09.2013
(Foto: Rama me ministrat dje në Shkodër)
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)