Gjatë fjalës së hapjes, kryeministri Edi Rama nuk la pa përmendur pesimizmin e shqiptarëve në fillim të vitit 2013, që u kthyer në një lum optimizmi në 23 qershor, duke votuar në masë kthimin e Partisë Socialiste në pushtet.
Rama tha se, padia ndaj Imamit është vetëm fillimi i denoncimeve të rasteve ku është abuzuar me pasurinë e shtetit.
Sigurisht që në qendër të fjalës së kryeministrit Rama dhe të pyetjeve të gazetarëve, ka qenë integrimi i Shqipërisë në BE, lufta ndaj korrupsionit, ekonomia e vendit, rimëkëmbja e saj, buxheti dhe paketa e re fiskale, si dhe bashkëpunimi me opozitën për të ndërmarrë reforma të tjera më të shumta.
Në këto kohë festash, nuk ka munguar edhe urimet e kryeministrit. Për opozitën tha se: 2014 të jetë viti i ringjalljes së saj. Një tjetër urim ishte për presidentin Nishani për festat dhe për dëshirën e tij për një mandat të dytë.
RAMA: 2013 NISI ME FRYME PESIMIZMI POR QE U KTHYE NE OPTIMIZEM
“Pesimizmi me të cilin nisi viti 2013, ditë pas dite i la vendin optimizmit të nisur pas 23 qershorit. Buxheti i 2014 ja ka kthyer optimizim Shqipërisë. Me votën e tyre, mjekët, policia, ushtarakët, tani do marrin më shumë lekë dhe do kenë më pak taksa”, tha Rama.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama tha se, "vitin e ardhshëm do të nisë me mbledhjen e parë të dy qeverisë, asaj Shqiptare dhe Kosovës. Shërbimet tona publike në arsim, shëndetësi etj, vitin e ardhshëm do të përfshihen në reforma të shumta".
"Plani kombëtar i kontrollit të territorit që ka nisur tashmë, gjatë vitit të ardhshëm do të bëhet edhe më i madh. Shlyerja e borxheve të pakëndshme, bashkë me kantieret e reja do ta bëjnë vitin e ardhshëm vitin e rilindjes.
Marrja në dorë e pasurive kombëtare dhe përdorja siç duhet sapo ka nisur dhe do të vazhdojë më shumë gjatë vitit të ardhshëm.
Shqiptarët që mbijetojnë në zonat informale dhe që prej prej vitesh të legalizojnë banesat, do ta përfundojnë kalvarin e tyre për legalizimin e banesave. Janari do të çelë nismën tonë tashmë të përgatitur për legalizimin e banesave.
Vendosja e ndërtimeve të reja në Gjirokastër, Berat dhe Krujë do të rilindë këto qytete.
Liria e medias gjatë këtyre 100 ditëve duket qartë.
Protestat ndaj armëve kimike dhe qeveria e Shqipërisë tregoi se është dhe mund të jetë partnere e denjë.
Nga BE-ja, hapat e Shqipërisë u vlerësuan. BE-ja vlerësoi punën e nisur nga qeveria e re dhe lënia e muajit qershor për statusin do të thotë shumë.
Si kryeministër i këtij vendi nuk mund të gjej kurrë fjalët që më dhanë këtë detyrë kaq të lartë. Si kryeministër u them të gjithëve se, rrugën e re nuk mund ta bëjmë pa mbështjetjen e tyre dhe i ftoj të bëhen bashkë.
Më leji që t’ju kujtoj sot se një vit më parë kryeministri i kishte kthyer oborret e shkollave në oborre mitingjes, ku biznesi nuk pyetej, që ai që punonte nuk ngrinte kokën, parlamenti ishte arena e konfliktit dhe opozitës nuk i jepej fjala.
Ka kaluar vetëm një vit dhe duket sikur ka kaluar një jetë. Dhënia e këtij mandati ishte merita e shqiptarëve për votën e tyre", deklaroi gjatë fjalës së tij kryeministri Edi Rama.
RAMA ME MEDIAN FLET PER INTEGRIMIN, HETIMET, LUFTEN NDAJ KORRUPSIONIT DHE REFORMAT
“Shqiptarët kanë votuar në 23 qershor për të paguar më pak dhe Kuvendi e ka ratifikuar shprehjen e vullnetit të dhënë në 23 qershor. 97 % e shqiptarëve më pak taksa, do të thotë që ata do të kenë më shumë para për konsum familjar.
2014 do të jetë viti i rimëkëmbjes ekonomike dhe do të kemi një rritje ekonomike më të lartë dhe me një trajektore të sigurtë në rritje gjatë 4 viteve të këtij mandati. 2014 do jetë një vit ku gjithkush do të ndjejë taksimin e ndershëm”, tha kryeministri Edi Rama, duke iu përgjigjur një pyetje nga gazetarët në lidhje me buxhetin e ri të 2014.
I pyetur në lidhje me bashkëpunimin me opozitën, kryeministri Edi Rama tha se, ka nisuir një erë e re në këtë fushë. “Njerëzit nuk kanë votuar thjeshtë për të zëvendësuar disa me disa të tjerë, por për një ndryshim rrënjësor. Kemi bërë një ndryshim rrënjësor edhe me opozitën dhe mjafton të shikoni se sa flet kryeministri dhe kreu i opozitës të kuptoni se si ka ndryshuar qëndrimi ynë. Ne do të dëgjojmë por edhe do të udhëheqim”, deklaroi Rama.
GJATE 2014 DO TE NGRIHET AGJENCIA E MBROJTJES SE BREGDETIT
Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur pyetjeve në lidhje me agjencinë e bregdetit dhe për ndryshimet kushtetuese që mund të priten.
“Agjencia kombëtare e bregdetit kërkon një bazë ligjore të re që e kemi përfunduar dhe në fillim të vitit të ardhshëm parlamenti do e miratojë ngritjen e kësaj strukture dhe çeljen e një kapitulli të ri për këtë pasuri tonën kombëtare, siç është bregdeti.
Nuk kemi asnjë objektiv për ndryshime kushtetuese. Por kemi për të bërë një reformë në drejtësi që mund të kërkojë ndryshime kushtetuese dhe që do e çojmë deri në fund këtë gjë”, u përgjigj kryeministri Rama.
RAMA: AI QE ISHTE PARA MEJE FLISTE ME MIRE PER KALIN DHE GOMARIN
“Shqiptarët kanë dëgjuar shumë shifra gjatë këtyre ditëve të fundit, por në këtë prezantin timin unë nuk desha t’i theksoja më shumë këto” deklaroi kryeministri Edi Rama.
“Ndërsa sa për atë për kalin apo gomarin, ju e dini se ai që ishte këtu përpara meje fliste më mirë për kalin dhe gomarin dhe ishte më kompetent”, ishte batuta e kryeministrit pas pyetjes së bërë.
VENDIMET E QEVERISE PUBLIKOHEN TE GJITHA
“Unë e përjashton këtë dhe besoj se mund të jetë diçka që mund të ketë ndodhur në një rast, që mund të ketë ndonjë pasqyrim. Pasqyrimi i vendimeve ndodh menjëherë dhe nëse nuk ka ndodhur do të ketë pasur ndonjë problem teknik”, tha kryeministri Edi Rama, duke iu përgjigjur pyetjes për mos publikimin e vendimeve në faqen online.
EKSTREMISTET NUK JANE PROBLEMI YNE, POR I BE
Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur edhe pyetjes në lidhje me paragjykimet nga forcat politike ekstreme në BE, se Shqipëria është një vend musliman.
“Referuar atyre forcave ekstremiste ata janë një problem i BE dhe janë çështje shqetësuese për BE dhe janë burim i një politike që bie ndesh me vlerat e këtij bashkimi. Nuk është në fuqitë tona ta trajtojmë dhe zgjidhim çështjen e tyre, por ne duhet të bëjmë maksimumin që integrimi të bëhet.
Përkatësia e një pjese e popullsisë tonë ndaj fesë muslimane prej tyre konsiderohet një problem ndërsa përsa më takon, meqë Shqipëria është një vend me shumë fe dhe bashkëecja mes tyre është një vlerë. Të gjithë bashkë duhet ti nënçmojmë këto dyshime dhe duhet tu themi që nuk lejojmë askënd që të stigmatizojë një vend të tillë apo të atillë. Shqipëria i përket Europës dhe në programin tonë jo rastësisht kemi folur për ribashkim me Europën”, deklaroi kryeministri Edi Rama.
RAMA: PAS RIKONSTRUKSIONIT TE QEVERISE NUK KA ASGJE
I pyetur nëse qeveria ka marrë leje për punimet e nisura për rikonstruksinin e kryeministrisë Rama tha se, nuk ka asgjë pas këtij procesi.
“Përgëzime për kompetencat si polici ndërtimore që keni marrë. Ju siguroj që në restaurimin e pjesës së përparme siç e quajtët ju, nuk ka mbrapa asgjë. Është thjeshtë ajo që duhet bërë për të pasur një mjedis të mirë pas një periudhe të gjatë pisllëku. E gjithë media është e lirë të zgjedhë aty ku do të rrijë dhe e vetmja faturë është ajo që do paguajë në lidhje me shikuesit e jo me qeverinë,” theksoi kryeministri Edi Rama.
KRYEMINISTRI PER REFORMEN NE DREJTESI
“Ngarkimet dhe shkarkimet vijnë pas reformës dhe nuk quhen reformë por zbatim të reformës edhe pse nga ana tjetër është e vërtetë që të gjitha qeveritë e kanë pasur prioritet jo vetëm drejtësinë, por integrimin, formalizimin ekonomisë, lirinë e medias, por problemi është çfarë kanë bërë.
Ne jemi të gatshëm me një dokument të përgatitur nga ministri i Drejtësisë që nuk është ekskluzivitet i qeverisë por kërkon një përfshirje të të gjithëve”, tha gjatë fjalës së tij kryeministri Rama duke iu përgjigjur interesit për reformën në drejtësi dhe më gjerë.
RAMA PER MBLEDHJEN ME QEVERINE E KOSOVES
Duke iu përgjigjur pyetjes për vendimet që do të merren gjatë mbledhjes me qeverinë e Kosovës, Rama tha se, të gjithë janë të ftuar për ti dëgjuar dhe lexuar. “Zakonisht vendimet zbardhen pas mbledheve dhe ju jeni të gjithë të ftuar në Prizren dhe pas mbledhjes do të bëjmë zbardhjen me gojë të vendimeve dhe do të zbardhen edhe me shkrim”.
“Në mbledhjen e parë mes dy qeverive do të akordojmë një fond për këtë maternitet në Preshevë e një fond për Preshevën, duke përmbushur zotimin e tij për t'u ardhur në ndihmë shqiptarëve që jetojnë atje.Ju urojmë gëzuar festat dhe një panoramë më të shëndetshme edhe për panoramën”, tha kryeministri Rama.
“Në vitin 2014 do të kemi rritje të formalizimit të ekonomisë. Se në çmasë këtë do ta shikojmë në fund të vitit të ardhshëm”, deklaroi kryeministri Edi Rama.
URIMI I KRYEMINISTRIT PËR OPOZITËN
“Kam një urim për kundërshtarin, për opozitën edhe pse duket sikur opozita është njëjës e jo shumën.
“Le të jetë viti 2014 viti kur opozita do të ngjallet sepse pas zgjedhjeve praktikisht opozita është si ilustrim i asaj shprehjes së famshme: të vdekurit qëndrojnë me të vdekurit. Ky është një urim shumë i sinqertë pasi nuk është në të mirën e vendit se nuk ëhstë mirë që edhe qeveria e opozita të ketë një program dhe që opozita të mos ketë program. Ne sigurisht nuk jemi këtu për të rindërtuar opozitën por e urojmë që të rindërtohet pasi na bën edhe ne më të fortë”, tha kryeministri Edi Rama.
NE JEMI TË GJITHË NJË SKUADËR
“Gramozi dhe unë jemi një skuadër. Kam thyer në këtë 100 ditë edhe atë mitin e mungesës së eksperiencës.
Përsa i përket sportit ne kemi paraparë që gjatë vitit të ardhshëm shkollor përfshirjen e të gjithë mësuesve në aktivitet bazuar edhe në programin tonë me moton, sporti për të gjithë. Do ta bëjmë fiskulturën pjesë të sistemit tonë arsimor”, tha Rama gjatë fjalës së tij.
RAMA: MARRËDHËNIET ME SHBA SHUMË TË MIRA. ALEATËT JANË NË QEVERI
Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur pyetjes në lidhje me marrëdhënit me SHBA, duke theksuar se nuk ka ndryshuar asgjë pas refuzimit për shkatërrimin e armëve kimike.
“Marrëdhëniet e SHBA nuk janë ato si me komshiun, që prishen e rregullohen. Ato janë marrëveshje të qëndrueshme dhe nuk prishen kollaj. Asnjëherë nuk kemi ndjerë ndonjë mungesë respekti dhe prishja e marrëdhënieve me SHBA do të thotë që të mos respektosh Shqipërinë si palë në këtë çështje”, tha Rama.
“Aleatët tanë janë të përfshirë në bashkëqeverisje dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim”, tha kryeministri Rama duke iu përgjigjur interesit të medias për mos përfshirjen e aleatëve të vegjël në qeveri.
PUNËSIMI, STANDARDE SI TË BE E JO TË AFRIKËS
Ne do të përdorim standardet e BE e jo të Afrikës për punësimin, pasi nuk funksion kështu. 2014 do të jetë viti i rilindjes së ekonomisë nga të gjitha anët në një marrëdhënie të re mes shtetit dhe kompanive. Trajektorja e rritjes së kompanive do të sjellë edhe rritjen e ekonomisë së Shqipërisë.
SHQIPËRIA PAS 5 VITESH? NUK JAM FALLXHOR
Kryeministri Rama i është përgjigjur një pyetje edhe për rolin që do të luajë Shqipëria pas 5 vitesh në Ballkan.
“Nuk jam as profet as fallxhor por mund t’ju them se koha ku jetojmë ka zhvillime të shpejta. Por duam që gjatë këtyre 4 vite duam ti japim Shqipërisë atë që duhet në Ballkan dhe do të luajë një rol dinjitoz, ambicioz dhe frymëzues”, deklaroi kryeministri Edi Rama.
DOSJA IMAMI ËSHTË HALLKA E PARË E NJË ZINXHIRI DENONCIMESH
“Dosja imami nuk ka lidhje me persona, por me domosdoshmërinë për të bërë transparencë të plotë. Është vetëm hallka e parë e një zinxhiri të gjatë bëmash të paligjshme në tek Mbrojtja dhe këto dosje do i çohen prokurorisë. Në prokurori do të shkojnë edhe dosje nga të gjitha dikasteret ku bashkëqeverisja ka lënë pas përfitime të paligjshme.
Guri i provës është domosdoshmëria që prokuroria të ndahet nga një traditë e lënies pas dore dhe mos prekjes së korrupsionit. goditja ndaj korrupsionit nga prokuroria duhet të prekë edhe gurët e themelit”, tha Kryeministri Rama.
“Ne na duhet Shqipëria Europiane këtu dhe ne s’na pengon njeri ta kemi këtu. Se çfarë ndodh jashtë nesh dhe këtu tek ne duhet ta trajtojmë”, deklaroi Rama.
NISHANI MANDAT TË DYTË? DËSHIRA TE KTHET NË NJË VETËDIJE PËR MANDATIN E PARE
I pyetur për dëshirën e shprehur të presidenti Nishani për një mandat të dytë, kryeministri Rama e ka përshëndetur këtë dëshirë dhe ka bërë edhe një urim.
“Dua ti uroj Gëzuar Vitin e Ri dhe me gjithë zemër që dëshira për një mandat të dytë të përkthehet në vetëdije dhe nevojë për ato që janë bërë gjatë mandatit të parë”, tha Rama.
RAMA: FETË NË SHQIPËRI JANË NJË E MIRË
Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë konferencës së tij se, të gjithë së bashku nuk duhet të lejojmë që kushdo, çfarë do lloj pasaporte të ketë, të mos na trajtojë si inferiorë.
Gjithashtu kryeministri deklaroi se, Shqipëria nuk ka kushte shtesë.
“Edhe për interesat e planetit është e nevojshme përgjigja. Unë se kam thënë asnjëherë që as qeveritë dhe vendet e BE nuk kanë pasur apo të kenë elementë të politikës ekstremiste. Por kjo nuk do të thotë që qeveritë e disa vendeve nuk ndikohen nga polika e ekstremistëve që fatkeqësisht rriten në prag fushatash si ato zgjedhjes që ju i përmendet me kompetencë dhe që do i paraprijë formimit të këshillit të ri.
Nuk ka kushte të reja për Shqipërinë dhe një kopje në shqip mund t’ua jap edhe ju. Për sa na takon ne, Shqipëria duhej ta merrte statusin dhe përsa na përket ne janë plotësuar kushte. Ne kemi hasur që në fillim ngurrimin e disa vendeve anëtare për atë që ka bërë qeveria e mëparshme, pasi tjetër kanë thënë e kanë bërë. Na kanë thënë që mendoni qershori dhe jo dhjetorin pasi është shumë herët për t’ju gjykuar. Por ne punuam edhe me këto vendet që dyshonin që të lëkundeshin në vendimin e tyre dhe të na përgëzojnë për punën. Ndërhyrja e parlamentit të Hollandës duke i thënë ministrit të Jashtëm që të mos merrte vendin tjetër, rrëzoi një ngrehinë që ishte e brishtë.
Ne nuk duhet të mos ndahemi për një gjë: Që ne jemi të gjithë muslimanë dhe të krishterë dhe jemi krenarë që jetojmë së bashku dhe askush nuk duhet të na tregojë me gisht që jemi problem. Ne duhet të themi që jemi një model dhe kështu duhet të themi që jemi të gjithë bashkë. Dhe nuk duhet të pranojmë që të ngrihen disa pavarësisht pashaportës që kanë që të na trajtojnë si inferior. Ta ruajmë këtë pasuri”, deklaroi kryeminstri Edi Rama.
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)